Pse askush nuk dëshiron të luajë me Turqinë?

Nga Burak Bekdil*

Turqia është tepër e madhe, tepër Islamiste dhe tepër jo-Europiane për Bashkimin Europian; shumë pak Islamiste dhe e papëlqyeshme si ish fuqi koloniale për shumicën e vendeve arabe; rivale sektare dhe rajonale për Iranin dhe një kërcënim sigurime për të rëndësishmit e Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait.

Teorikisht, Turqia është një aleate eNATO-s. Në realitet, është një aleate e NATO-s me kohë të pjesshme. Ajo qe vendi i parë anëtar qëkreu stërvitje ushtarake me ushtrinë e Sirisë dhe me Forcat Ajrore të Kinës; i dha një kontratë të mbrojtjes ajrore që qe sensitive për NATO-n një kompanie kineze; mbështeti xhihadistët në Siri dhe Vëllazërinë Myslimane gjithkund tjetër në Lindjen e Mesme; hyri në aleancë me ata që kombet e NATO-s i shohin si organizata terroriste (Hamas); ka qenë, deri së fundmi, në një listë shumë të turpshme të vendeve që dyshohet se sponsorizojnë terrorizmin bashkë me shtatë vende të tjera, përfshirë Sirinë e Pakistanin si dhe ka popullsinë me mbështetjen më të ulët për aleancën NATO.

Gjithashtu, teorikisht, Turqia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në të vërtetë, që nga viti 1974, Turqia ka qenë duke mbajtur të pushtuar një të tretën e një vendi anëtar të BE-së, Qipros; ajo krenohet me një numër dhunimesh të të drejtave të njeriut, sipas vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut; ajo mbetet problemi më i frikshëm për BE-në në shumicën e politikave themelore; ajo në mënyrë të përsëritur (dhe tërësisht jodiplomatike) injoron thirrjet e BE-së për më shumë liri; dhe është e mbërthyer nga një mosbesim i thellë ndaj BE-së. Një vëzhgim i kohëve të fundit, “Opinioni Publik në Bashkimin Europian – Nëntor 2014,” kryer nga Eurobarometri i Bashkimit Europian, zbuloi se vetëm 18 për qind e turqve kanë besim te BE-ja.

Së fundmi, kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, rikujtoi një shaka të paraardhësit të tij Viktor Chernomyrdin [kryeministër nga viti 1992 deri më 1998] i cili u pyet në një rast se kur Ukrania mund të bashkohet me BE-në. “Pas Turqisë,” u përgjigj Chernomyrdin. Dhe kur mund të pritet që Turqia të bëhet një vend anëtar, pyeti gazetari. “Kurrë,” tha ai.

Gjatë shumicës së viteve 2000, kërkimi për shpirtin e Turqisë u çiftua me kërkimin e perceptuar të udhëheqësve të saj për rigjallërimin e ideve pan-islamike dhe neo-otomane, gjë që e shtyu vendin drejt iluzionit të një “Bashkimi të Lindjes së Mesme,” që duhej të udhëhiqej, natyrisht nga Turqia. Në vend të kësaj, Turqia në vitet pas Pranverës Arabe e gjeti veten si një shënjestër armiqësore në Lindjen e Mesme. Shumë armiqësi të fshehta dhe të hapura dhe tensione krijuan kriza diplomatike me të gjitha vendet në ish tokat Osmane – me përjashtim të njërit: Emirati i vockël por i pasur me hidrokarbure i Katarit (krahas Hamasit).

Me ambiciet e saj neo-perandorake dhe me llogaritjet e politikave islamiste suni, Turqia edhe një herë nuk po ia del të përshtatet me asnjë aleancë të gjerë të politikës së jashtme apo ndonjë strukturë sigurie.

Teorikisht, Turqia është perandoria rajonale në Lindjen e Mesme Myslimane. Në realitet, është një aleat i padëshirueshëm.

Kështu, kërkimi për shpirtin vijon. Në janar 2013, Presidenti [në atë kohë kryeministër] Recep Tayyip Erdogan publikisht luajti me idenë që Turqia të kërkojë të ardhmen e saj në një aleancë tjetër: Organizata e Bashkëpunimit të Shanghait. Që nga ajo kohë, ai e ka përmendur këtë dëshirë disa herë. Në nëntor 2013, Erdogani edhe një herë kërkoi një karrige anëtari për Turqinë në këtë organizatë nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, pasi kjo mund “të shpëtojë Ankaranë nga telashet e procesit të anëtarësimit në BE.”

“Na lejoni të hyjmë në Organizatën e Bashkëpunimit të Shanghait dhe na shpëtoni nga ky telash,” kërkoi Erdogan nga Putini.

Disa vite më herët, Turqia qe sjellë si një “aleat acarues”: u bë anëtari i parë i NATO-s “partner dialogu” i Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait. Por a ka një të ardhme për Turqinë në këtë organizatë që në disa raste quhet “NATO plus BE e Lindjes?”

Teorikisht po. Turqia, me kulturën e vet demokratike dhe me sundimin gjithnjë e mëautoritar të Erdoganit, duket si shumë e përshtatshme për këtë grup. Anëtarët e grupit aktual janë Rusia, Kina, Uzbekistani, Taxhikistani, Kirkizistani dhe Kazakistani. (Partnerë dialogu janë Bjellorusia dhe Srilanka. Vende me status vëzhguesi janë Afganistani, India, Pakistani, Irani dhe Mongolia).

Por aktualisht, ka gjasa që Turqia nuk është më e dëshiruar në këtë organizatë po aq sa është e padëshiruar në BE apo mes vendeve arabe të Lindjes së Mesme. Peshat e rënda në këtë grup janë Rusia dhe Kina, që të duja mbështesin presidentin e Sirisë Bashar al-Assad, njeriun që dikur qe aleati më i mirë rajonal i Erdogan dhe aktualisht armiku më i madh rajonal. Gjatë vizitës së profilit të lartë të Putinit në Ankara në fillim të dhjetorit, Erdoganit iu desh të pranonte se Turqia dhe Rusia “janë të ndarë” në çështjen e Sirisë.

Për Rusinë, Turqia nënkupton $$$$$: dhjetëramiliardë dollarë në tregti dypalëshe – një klient perfekt për gazin natyror të Rusisë, si dhe një rrugë me potencial tranzit për të eksportuar gaz në vendet e treta. Por ajo nënkupton gjithashtu një vend armiqësor të sunduar nga islamistë që kërkojnë supremacinë suni përmes përdorimit të xhihadistëve, Hamasi dhe Vëllazëria Myslimane për të zgjeruar ndikimin e vet rajonal në Lindjen e Mesme, shpesh në kundërshtim me interesat e Rusisë.

Për Kinën gjithashtu Turqia është një klient i mirë. Ndryshe nga Rusia, kompanitë kineze fitojnë në mënyrë aktive kontrata infrastrukture, telekomunikacioni dhe minierash në Turqi. Por si Rusia, edhe Kina ka mosbesim të thellë  ndaj Turqisë politikisht. Çështja më e rëndësishme e sigurisë së brendshme për Kinën, myslimanët separatistë që janë etnikisht ujgurë turkiç në provincën perëndimore të Xinjiang, kanë një lidhje turke. Autoritetet e Kinës shpesh akuzojnë Turqinë se strehon terroristë ujgurë dhe lejojnë ujgurët xhihadistë të udhëtojnë lirshëm nga Siria në Kinë.

Me ambiciet e saj neoimperiale dhe me llogaritjet politike islamike suni, Turqia edhe një herë dështon të përshtatet me ndonjë aleancë të gjerë politike të jashtme apo ndonjë strukturë sigurie. Kërkimi i shpirtit do të duhet të vijojë.

Turqia është tepër e madhe, tepër Islamiste dhe tepër jo-Europiane për Bashkimin Europian; shumë pak Islamiste dhe e papëlqyeshme si ish fuqi koloniale për shumicën e vendeve arabe; rivale sektare dhe rajonale për Iranin dhe një kërcënim sigurime për të rëndësishmit e Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait.

*Burak Bekdil, me bazë në Ankara është opinionist për gazetën e përditshme turke Hürriyet dhe bursist në Forumin e Lindjes së Mesme.

SHKARKO APP