Pse bëmat e Arkanit nuk janë lajm

Nuk ishte aspak surprizë që festa luksoze e ditëlindjes së Zeljko Raznatovic, djalit të shefit paraushtarak, do të mbulohej më shumë nga media sesa raporti i BIRN për brutalitetin e ‘Tigrave’ të tij gjatë kohës së luftës. Nga Milka Domanovic, BIRN Një hetim i BIRN i publikuar javën e kaluar tregonte me detaje sesi paraushtarakët famëkeq të Arkanit arritën të shmangnin burgun për krimet që dyshohet se kanë kryer në luftërat në Kroaci dhe Bosnje. Por asnjë media në Serbi nuk e ndoqi këtë artikull. Përse? Ndoshta sepse s’është ndonjë gjë e re që ende s’ka dënime për krimet e kryera dy dekada më parë? Apo sepse ky s’ishte një artikull për krimet e luftës kundër serbëve? Apo ndoshta sepse s’ishte ndonjë nga ato ditë të vitit kur përkujtojmë viktimat e ndonjë krimi për t’i harruar përsëri më pas të nesërmen në mëngjes? Apo ishte çast i papërshtatshëm për të publikuar një hetim për disa prej mizorive më të këqija të luftërave të viteve 1990 gjatë javës së që djali i vogël i Arkanit Veljko festonte 18 vjetorin e tij? Media serbe mbuloi me detaje festën e ditëlindjes së Veljkos në hotelin “Hyatt” në Beograd, u morën pjesë njerëz të lartë të vendit dhe politikanët e tij më të lartë, ku nuk u tha asnjë fjalë në lidhje me akuzat për krime lufte, të cilat janë më të vjetra sesa adoleshenti Raznatovic. Gazetarëve iu dërguan shpejt informacione për dhuratat më të shtrenjta apo pazakonta që Veljko mori nga një prej 400 të ftuarit e tij. Mamaja e tij, ylli i muzikës turbo-folk Ceca Raznatovic, plotësoi dëshirën e bashkëshortit të saj të ndjerë dhe i dha të birit orën Rolex prej floriri të Arkanit. Këtë e mësuam ndër “detajet e tjera ekskluzive” nga festa, të cilat media serbe nxitoi t’i “investigonte”. Të gjithë të ftuarit, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç dhe Ministrin e Energjisë Elektrike Aleksandër Antiç, Presidentin e Shoqatës Evropiane të Kikboksit Borislav Peleviç dhe ish-aleatin politik të Arkanit Dragan Markoviç ‘Palma’, u desh të kalonin përmes një detektori metalesh në hyrje të hotelit para se të hynin në festë. Gjithçka u organizua nga Ceca, ‘diva e folkut’ e cila pagoi 1,5 milion euro gjobë për të shmangur burgun në vitin 2011 pasi pranoi fajin për përvetësim fondesh nga transfertat e një futbollisti te klubi i FK Obilic, të cilin dikur Arkani e kishte në pronësi dhe për mbajtje të paligjshme armësh zjarri. Ministri i Jashtëm Daçiç, një mik i vjetër i Cecas dhe i ftuar i rregullt të festat e saj, madje mori edhe mikrofonin për t’u bërë serenatë të pranishmëve. Ndërsa në disa vende të tjera, und të ketë kritika publike ndaj zyrtarëve qeveritarë që marrin pjesë në një festë të tillë, lexuesit serbë të tabloideve po prisnin me padurim të shihnin se kush kishte shkuar në festën Raznatovic. Artikulli i BIRN, ‘Paraushtarakët e Arkanit: Tigrat që ia mbathën nga drejtësia’, u ripublikua gjerësisht në mediat kudo në rajon. Ai u botua në një nga gazetat më të mëdha të Bosnjes, “Dnevni Avaz”, nga e përditshmja kroate “Slobodna Dalmacija”, si edhe nga media në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Tigrat e Arkanit nuk u rekrutuan nga Maqedoni dhe as nuk luftuan në Maqedoni. Pjesa më e madhe e tyre vinin nga Serbia dhe luftuan në Bosnje dhe Kroaci. Edhe pse Rojet e tij Vullnetare Serbe u shpërbënë në vitin 1996, disa prej anëtarëve të saj luftuan në luftën e Kosovës. Por media maqedonase dukej më e paduruar për t’u dhënë lexuesve të tyre historinë e përgjakur të ndjekur nga paraushtarakët serbë gjatë luftërave të viteve 1990. Ajo u ribotua në disa prej portaleve më të njohura në vend si për shembull, NovaTV, Lokalno.mk, Libertas dhe Prizma. Investigimi u ribotua gjithashtu nga Ala Jazeera në anglisht dhe Al Jazeera turqisht, si edhe nga Deutche Welle dhe në faqet e saj të internetit në Kroaci dhe Bosnje. Por në vendin e Arkanit, vendi që i siguroi atij fonde për bëmat e tij gjatë kohës së luftës dhe e përdori atë për qëllime propagandistike ndërsa ai ishte ende gjallë, nuk pati asgjë. Kjo nuk ka të bëjë me gazetarët serbë që injorojnë artikullin e BIRN. Është shumë më e rëndësishme se aq. Kjo tregon se media në vend nuk ka interes të përballet me atë që ndodhi në të kaluarën e afërt. E gjithë bota pa fotografinë e fotoreporterit amerikan Ron Haviv, ku një nga njerëzit e Arkanit duket qartë duke shkelmuar trupin e pajetë të një viktime boshnjake në qytetin lindor të Bijeljinas në Bosnje. Por asnjë nga Tigrat s’është dënuar kurrë për krime të kryera atje, edhe pse vendimet në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë kanë vendosur se të paktën 48 persona janë vrarë nga paraushtarakët serbë në prill të vitit 1992. Arkani u padit nga gjykata e OKB-së për krime lufte në Sanski Most, por nuk jetoi gjatë për të dëgjuar vendimin, sepse u vra në Beograd në vitin 2000. Vetëm një nga luftëtarët e tij është dënuar për krime lufte gjatë kohë që i shërbente Tigrave. Ai vrau një çift të martuar në vitin 1992 dhe u dënua në mungesë. Asnjë gjyq, asnjë gjykim dhe asnjë kompensim për viktima. Mos kjo do të thotë se nuk ka pasur fare krime? Ky është argumenti kyç për ata që duket se besojnë se Arkani dhe toga e tij ishin patriotë të pafajshëm. Ashtu siç pyeti edhe Borislav Pelevic, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Arkanit: “Kanë kaluar 20 vjet nga lufta. Si ka mundësi që asnjë nga njerëzit e Arkanit nuk është ndjekur penalisht nga Gjykata e Hagës apo Prokuroria e Krimeve në Serbi?” Po, 20 vjet më vonë, krimet duhet të ishin investiguar, kriminelët duhet të ishin nxjerrë para drejtësisë dhe viktimat duhet të ishin kompensuar. Por kjo s’ka ndodhur. Kjo është arsyeja pse parashtrimi i pyetjeve se çfarë ndodhi dhe përse ndodhi, duhet të jetë më e rëndësishme sesa përrallat për ditëlindjen e një djali 18 vjeçar. Milka Domanovic është një prej autoreve të ‘Paraushtarakët e Arkanit: Tigrat që ia mbathën nga drejtësia’.

SHKARKO APP