Pse ‘dollari’ quhet ‘dollar’? Ja origjina e emrit të valutave

Nga shteti në shtet, njësitë monetare ndryshojnë përafërsisht sa kultura dhe gjuha të cilat i përdorin ato shtete. Por a keni pyetur ndonjëherë veten pse dollari quhet “dollar”?

Postimi i fundit i blogut të Oxford Dictionary, “OxfordWords”, sqaroi origjinën e emrave të valutave më të zakonshme në botë.

Më poshtë, mund të gjeni se nga vijnë këto fjalë të përditshme.

Dollari

Dollari është valuta më e zakonshme në botë, përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Kanada, Fixhi, Zelandë të Re, Singapor e gjetiu.

Sipas blogut “OxfordWords”, fjala “joachimsthal” nga gjuha flamane dhe e asaj të Gjermanisë së Ulët i referohet Luginës së Joachimit, ku dikur është nxjerrë argjendi, transmeton Koha.net. Monedhat e stampuara nga kjo minierë janë quajtur “joachimsthaler”, ndërsa më vonë emri i tyre është shkurtuar në “thaler” dhe në fund është shndërruar në “dollar”.

Peso

Fjala “peso” në gjuhën spanjolle është “pesha”.

Lira

“Lira” italiane dhe turke rrjedh nga fjala “libra” e gjuhës latine, e që nënkupton “paund” – njësi matëse në Romën antike.

Marka

Para valutës euro, marka gjermane dhe “markka” finlandeze gjithashtu kanë marrë emrat nga njësitë e peshës.

Riali

Fjala latine “regalis”, që nënkupton “mbretërore”, është origjina për valutën “rial” të Omanit dhe Iranit.

Ngjashëm Katari, Arabia Saudite dhe Jemeni të gjithë përdorin një valutë të quajtur “riyal”. Para valutës euro, Spanja ka përdorur edhe valutën “reals”.

Randi

Sikurse dollari, valuta randi e Afrikës Jugore vjen nga emri holandez për qytetin e Afrikës Jugore, Witwatersrand – një zonë shumë e pasur me ari.

Juani kinez, jeni japonez dhe woni korean

Karakteri kinez “圓”, që nënkupton “rrumbullakësinë” ose “monedhën e rrumbullakët”, është përgjegjës për emrin e valutës kineze – juan, valutës japoneze – jeni dhe valutës koreane – won.

Kruna

Shumë shtete skandinave përdorin valutën e cila rrjedh nga fjala latine “corona”, që do të thotë “kurorë”.

“Krona” e Suedisë, “krone” e Norvegjisë, “krone” e Danimarkës, “króna” e Islandës, “kroon” e Estonisë (tani të gjitha janë zëvendësuar me valutën euro), transmeton Koha.net, si dhe “koruna” e Republikës Çeke – të gjitha rrjedhin nga e njëjta rrënjë latine.

Dinari

Jordania, Algjeria, Serbia dhe Kuvajti të gjithë valutën e tyre e quajnë “dinar”.

Emri i kësaj valute po ashtu rrjedh nga fjala latine “denarius” – një monedhë argjendi e përdorur në Romën e lashtë.

Rupi

Fjala sanskrite për argjendin e farkëtuar është “rupaiya”, e cila emrin e saj i dha valutës së Indisë dhe Pakistanit, “rupee” (rupi), si dhe valutës së Indonezisë – “rupiah”.

Paundi (Funte)

Paundi (funti) britanik rrjedh nga fjala latine “poundus”, që nënkupton “peshën”.

Egjipti, Libani, Sudani Jugor, Sudani dhe Siria valutën e tyre e quajnë “pound”.

Rubla

Emri i valutës së Rusisë dhe Bjellorusisë, rubla, është emëruar në bazë të masës së peshës së argjendit.

Zloty

“Zloty” është fjala polake për “arin”.

Forintë

Forinta hungareze rrjedh nga fjala italiane “fiorino”, një monedhë ari nga Firence.

Fiorino kishte një lule, ose “fiore” në italisht, të stampuar në të.

Ringgit

Kur monedhat janë stampuar në metalet e çmuara, hajdutët këto metale i kanë prerë në pjesë të vogla në mënyrë që të krijojnë monedhat e reja.

Për të luftuar këtë, shumë shtete filluan që të stampojnë monedha me tehe të dhëmbëzuara.

Fjala malajziane “Ringgit” nënkupton dhëmbëzim, si dhe është valutë e Malajzisë.

 

SHKARKO APP