Pse e vrasin veten dezertorët e komunizmit?

 

Në mbarë botën, miliona njerëz arratisen nga regjime tiranike, por sa herë ndodh që të gjejnë jetën më të mirë, atë që kishin ëndërruar? Në Korenë e Jugut, statistikat tregojnë se një numër befasues dezertorësh nga Koreja e Veriut, përfundojnë duke vrarë veten

Nga Stephen Evans, BBC

Ju keni dëgjuar për dezertorët e famshëm.

Shkruajnë libra best-seller dhe shfaqen në televizion. Fitojnë mijëra dollarë për një fjalim në një aktivitet. Janë elokuentë teksa tregojnë historitë e tmerrshme mbi arratisjen e rrezikshme nga represioni.

Por ka ndonjëherë një anë më të errët tek historitë e atyre që arratisen nga vendlindja.

Në Korenë e Jugut, statistikat tregojnë të vërtetën.

Ministria për Bashkimin e vendit thotë se 15 përqind e dezertorëve kanë vrarë veten- tre herë më shumë se përqindja e vetëvrasjeve në këtë vend- dhe mos harroni se është një nga vendet me nivelet më të larta të vetëvrasjeve në 34 vendet e industrializuara të OECD.

Ka një numër shkaqesh për këtë.

Një është fakti se shtëpia që lanë pas, është kaq pranë, por nuk shkojnë dot.

Një tjetër është fakti se realiteti ekonomk është krejt ndryshe nga jeta luksoze që portretizohet në telenovelat e Koresë së Jugut, që kontrabandohen në Korenë e Veriut.

Kim Song-il dezertoi 14 vjet më parë.

Prej atëherë ka bërë punë të ndryshme. Tani ka biznesin e tij dhe shet copa pulash.

Ai blen pula të plota dhe ka punësuar disa njerëz që i ndajnë pulat. Çmimi i pjesëve shkon më shumë se pula e plotë.

Është e vështirë.

“Kur bizneset e para dështuan, tentova të vras veten tre herë,” thotë ai.

“Duhej të kujtoja vazhdimisht veten se si rrezikova jetën që të ikja prej andej”.

Pjesë e vështirësisë, thotë ai, është se ai ka qenë oficer ushtarak në Veri dhe ishte mësuar duke thënë urdhër.

Të marrësh urdhra si punëtor në kapitalizëm nuk është e lehtë.

Vitin e shkuar u regjistruan 1400 dezertorë. Lëvizja është në një krah: Nga Veriu në Jug.

45-vjeçarja Kim Ryen-hi dha një konferencë për shtyp së fundmi dhe mes lotëve tha se donte të kthehej në shtëpi.

Katër vjet më parë, ajo mbërriti në Korenë e Jugut nga Kina, por tani thotë se i mungon jashtëzakonisht shumë Veriu.

“Liria dhe të mirat materiale, nuk janë aq të rëndësishme sa familja dhe shtëpia ime. Dua të kthehem tek familja ime e çmuar, edhe nëse vdes nga uria,” tha ajo.

Por rasti i saj është një përjashtim- ka të tjerë që ia kanë dalë në Korenë e Jugut.

Lee Yung-hee ka një restorant të mbushur plot, që shërben ushqim meksikan.

Në Veri ajo nuk kishte dëgjuar kurrë për ushqimet meksikane, por kur mbërriti këtu nisi të shesë qebapë. Ajo mendoi se nëse i shtoje oriz, shijonte më shumë.

Rezultati: ajo zbuloi se kishte krijuar burriton dhe i hyri këtij biznesi, me shumë sukses.

“Kur mbërrita këtu, ishte shumë ndryshe. Në mënyrë që t’ia dilja, duhej të mësoja gjithçka nga fillimi”.

Dezertorët marrin një trajnim 3-mujor, por kritikët thonë se kjo është shumë pak për të mësuar ndonjë zanat.

Qeveria thotë se vetë dezertorët nuk duan më shumë.

Andrei Lankov, një historian në Universitetin Kookmin në Seul, që ka studiuar edhe në Veri, thotë se problemi është se dijet dhe aftësitë e fituara në Veriu, nuk mjaftojnë për ekonominë moderne në Jug.

Mjekët që dezertojnë, fjala bie, shpesh nuk ia dalin që të sigurojnë një vend pune në Jug.

A mund të punësojë një kompani e Koresë së Jugut një teknik, puna e të cilit për dekada ka qenë si të mbajë një pajisje të epokës sovjetike, pyet ai.

Kjo është një dilemë për të ardhmen.

Në të tashmen, problemi i fshehtë konsiston tek koreano-veriorët e dëshpëruar, që janë të vetmuar dhe në mëshirë të fatit në Korenë e Jugut, në prag të vetëvrasjeve e disa herë duke e kaluar këtë prag.

SHKARKO APP