Pse hesht Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”?

-Malli për Dëshmorët nuk shuhet kurrë. Është si një prush i përjetshëm. Prush që mban ndezur krenarinë, kujtimet, këngët, historinë kapakkuqe, patriotizmin, vetë dinjitetin e trimërinë. Është malli për 28 mijë djemtë dhe vajzat e nënave! Janë ata që ngritën “në çdo kilometër, një çezmë gjaku” për Lirinë. Dhanë jetën për jetën tonë. Rrodhën 70 vjet Çlirim. Shokët e tyre janë rralluar shumë. Por qindra e mijëra pasardhës rrojnë e nuk harrojnë. Kështu brez pas brezi. Sepse “mbi kockat e martirëve ngrihet Atdheu”! E di ti, miku im, se kur dhe kush e hodhi në letër këtë të vërtetë mal? Mban datën 21 prill 1939. E shkroi me zemër djaloshi Mumin Selami. I përjashtuar nga shkolla e mesme në Tiranë, erdhi në Lumin e Vlorës, antifashisti i orëve të para. Erdhi për të mbetur një nga Heronjtë e Tophanasë së zhuritur…Ose, më thuaj një vend tjetër në botë, që ka pagëzuar kaq shumë bija e bij me emrat Liri e Çlirim si në Shqipërinë tonë? Aspak rastësi e rëndomtë. Ishin kohëra të nëmura, kur shqiptari ikte në atë botë “me fjalën Liri në gojë, pa parë kurrë Liri me sy”. Është ai ideal, është ajo ëndërr e madhe shekullore që u bë realitet vetëm nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ish-partizani mendjehollë, Dritëroi ynë i madh, e tha bukur :

-“Çdo popull do të krenohej me të, pasi është harku me qemer i urës më të madhe dhe më të qëndrueshme të historisë së Shqipërisë, që lidhin dy brigje: Bregun e traditës së shkuar dhe bregun e kohëve moderne. Pa këtë urë demokracia e sotme do ta kishte të vështirë. Ai që mundohet ta rrëzojë këtë hark madhështor me qemer, rrëzon gjithë urën, bie në lumë bashkë me mbeturinat e urës, mbytet dhe bëhet ushqim i mirë për zhabat dhe qëniet e tjera të lumit…”. “Moj Luftë e Dytë Botërore,/ Të bukur trima që more,/ Një nga një me dorë i zgjodhe!” Mund të fshihen a digjen edhe materiale arkivore. Mund të manipulohen e kokolepsen dokumente për episode, ngjarje e data të ndryshme etj. Por deti i këngëve popullore për të rënët e një Bote të Re, nuk mund të thahet kurrë. Det që do të flasë e ligjërojë kurdoherë plot dashuri e dhembshuri. Historia mban shënim. Ajo nuk e harron atdhetarinë, e as tradhtinë. Të kujtohet me siguri xha Shaqua, vëllai i dëshmorit peshtanak Riza Malo, kur na thoshte jo rrallë: -Dëgjoni, more djema! Kur të shkoni në Durrës, s’kini nevojë për shahitë a ciceronë që t’u flasin për tradhtinë e zezë mbretërore kur unë e pashë atje, me sytë e mi, në 7 Prill kur na rrëzuan Flamurë. Dëgjoni mua, mjafton të shikoni ca topa të ndryshkur në kodër (“Dëshmitarët e tradhtisë”), nga goja e të cilëve nuk doli asnjë predhë e flakë kundër pushtuesve këmishëzinj. Vetëm një mitroloz nuk heshti, ai i Mujo Ulqinakut me shokë…

70 Nëntorët e Çlirimit ia shtojnë nurin Shqipërisë. Sepse në themelet e saj janë gjaku dhe sakrificat e pamata popullore, është armata më e ndritur “me djem e vajza si nure”. Janë yjet e pashuar në qiellin e Lirisë. Gati të gjithë në lule të rinisë. Ndaj malli për dëshmorët nuk është një mall a nostalgji e zakonshme “provinciale”. Dhe as monopol a pronë e ndonjë sistemi politik e regjimi. Të nderosh Dëshmorët dhe shokët e tyre Partizanë, do të thotë nderosh të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen. Përballë veprës së tyre duhet të bjerë në gjunjë çdo lloj politike hipokrite që gjoja mban veshur si këmishë “antiplumb” kartën e djegur të antikomunizmit kallpazan. Luftëtarët e vërtetë të Lirisë nuk i baltos dot asnjë gënjeshtër me brirë e pa brirë, asnjë historian mercenar me e pa mjekër “shkencore”. Damkën kuislinge e kolaboracioniste nuk e lan dhe as e retushon dot asnjë bojë pene e stilolapsi në duart e pista. Kakarisjet dhe përrallat me “luftë civile” as na nanurisin dot e as na vënë në gjumë. Demokratë të pastër e progresistë më të mëdhenj se dëshmorët, nuk ka. Prandaj këtë kurorë të ndritur lavdie, njerëzit duan ta prekin më nga afër edhe te Bulevardi që mban emrin e tyre në zemër të Tiranës. Sidomos në Nëntorin e Çlirimit të Atdheut. E aq më tepër në këtë vit jubilar. Sa herë shëtisim te ky bulevard, mua më shoqëron shpesh edhe një foto e rrallë, shkrepur në 28 Nëntor 1944. Është parakalimi i parë fitimtar i partizanëve në kryeqytetin e lirë. Mirëpo tani vonë, nuk mund ta harroj atë që mësova në Vunoin e Bregut të Detit :”-Ai partizani i parë syshkruar te ajo katërshja në ballë të Batalionit(majtas), është Kleanth Andoni, djali ynë vunjotas. Është luftëtari e penëtari idealist, që veç të tjerave, la prapa një pasuri për të gjithë: Një libër me fletë shumë të çmuara për Bregun e më gjerë…”.

Janë nga ajo racë që luftuan, punuan, jetuan e mbyllën sytë të ndershëm. Kokën lart veteranë e pasardhës ! Në dheun e asaj kodrës së thjeshtë në Sauk, pikoi e rrodhi gjaku i partizanit 20 vjeçar, Llukan Ceka. Ishte djali i vetëm i xha Sokratit. Ishte vëllai i vetëm i 6 motrave ! Dhe as mendoi ndonjëherë se po shkonte drejt pavdekësisë…Se përballë Atdheut të robëruar nuk bëhen hesape të vockla vetiake. Vetëm një kërkesë bëri 19 vjeçari Vasil Laçi. E bëri para litarit : Kërkoi vetëm një krehër për të krehur flokët !…Bashkë me mandatën, fundmaji i ‘44-ës, nënës Fatime e motrës Xhane në Fterrë u pruri edhe një letër. “Kam pak ditë që jam plagosur në luftimet që zhvilloi Brigada kundër gjermanëve në Mokër. Tani ndodhem në spital, në Vlushë…Ti nënë dhe ti motër qëndroni burrëresha…ashtu si në janarin e ’43-it, kur përcollët Fuatin. Dhe kujtoj shpesh vargjet e bilbilit dëshmor Memo Meto, kushtuar ty nënë : ”Dhe nga turma del një grua me tumane/ U flet shokëve dhe shoqeve krenare…”. Mos u dëshpëroni. Ju përqafoj me mall të madh. Djali dhe vëllai juaj, Turhan Mato”. Ishte shkruar pak orë para se të shuhej, atje, në tokën e Skraparit…Ndërsa në Brataj të Labërisë, fiks 70 vjet më parë, lindi një këngë-gurgullimë mirënjohjeje: “Moj Gumenica në brinjë/ Ta dije kush ishe tinë/ Një dimër me kërcëllimë/ Mbajte brënda një krahinë/ S’fole një fjalë të ligë…”. Rrjedh, ligjëron sot e gjithë ditën bashkë me lumin e Shushicës.

-Na mbyti politika, miku im, na mbyti. Ajo heshtja zyrtare (shtetërore e partiake) përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në këtë Nëntor tepër të shënuar, na trishton vetiu. Bashkiakë, deputetë, qeveritarë, politikanë të vjetër e të rinj, kur kalojnë shaluar nëpër fuoristrada, vërtet po harrojnë se në çdo pëllëmbë rruge flasin të rënët ? Apo për ca kokrra me ideale e pa ideale, historia fillon e mbaron te vilat llamburitëse, te kolltuqet, te privilegjet, te paraja-maskaraja !…Reklamat e sotme xixëlluese e verbuese nëpër faqe dyqanesh e ekrane televizive, në revista e gazeta limonadë, mbi kullat shumëkatëshe e gjetkë, nuk mund ta grisin diellin e Lirisë së vërtetë. Fjala vjen, derdhen fonde lumë për dekore e pasarela mode; për kongrese partish e për beteja elektorale lokale e qendrore; për dreka – darka mondane e plot karshillëk përballë fakirfukarenjve në fshatra e qytete; për greva e protesta me nepse e epshe politike; për udhëtime e vizita marramendëse nëpër botë etj. etj. Ja, nëse e kam jangëllëç, më thuaj : Sa para duhen, përshembull, që ai Bulevard me emrin më të bukur në botë, gjatë këtij Nëntori Çlirimtar të vishej minimalisht me flamurë e foto nga Çetat, Batalionet, Brigadat e Divizionet Partizane; me portrete heronjsh e dëshmorësh ? Po drejtuesit dhe bordet namuzqare në Kinematografi, Teatër, Galeri e Arteve, Akademia Shtetërore e Shkencave, Universitetet Publike e Private, vallë ku qëndrojnë përballë këtij përvjetori të madh ? As për ndonjë festival të posaçëm me këngë Partizane ose me këngë popullore për Dëshmorët, nuk u bë i gjallë ndokush ? Apo “modernët” që gjetën gjithshka shtruar, i quajnë gjëra “të vjetruara” e “qiqra në hell” përballë pubeve, kazinove e diskotekave ku të majmurit shtyjnë netët përmes parasë së pistë ! Nga kush kanë frikë disa karagjozë të pluralizmit, nga ithtarët e “deheroizmit” ? Së fundi, po Radiotelevizionit Publik, kush ia mbyll gojën e sytë ?…

Minimalisht, vetëm ky Bulevard nuk duhet të heshtë. P.sh. vite më parë (1995-’96),kur valët e radios e të Televizionit ishin arratisur nga këngët popullore për LANÇ e për dëshmorët e saj, befas një grup polifonik nga Piluri e Himara një mbrëmje drodhën live skenën dhe sallën e Teatrit të Operas në Tiranë. Shkurt, nga një mal me halle, në një det me këngë ! Te ajo sallë e mbushur plot e përplot, preka nga afër etjen dhe nderimin e njerëzve të thjeshtë. Pashë edhe sy të lotuar. Ato çaste nuk më janë shqitur ende nga kujtesa. Se ligjërimet popullore për Dëshmorët, kanë rininë e tyre të përjetshme. Arkivë mbi çdo arkivë. Memorie mbi çdo memorie. Ato kanë informacion të rrallë dhe shpesh mahnitës e tronditës. Veçanërisht ato për 28 mijë bijtë e bijat që derdhën gjak me okë për Shqipërinë. Jo rastësisht na vjen pranë shkrimtari ynë i shquar, Kadare, kur thotë me të drejtë se ato këngë i ngjajnë “një varreze madhështore dëshmorësh, pllakat përkujtimore të së cilës janë gdhendur për shekujt”.

 “Ngrihi Dëshmorë një çikë/ Lule djemtë e nënave !”. Historia gjëmon. Le të dëgjojmë pakëz edhe mikun tim, gazetarin e poetin luftëtar: “…Një djalosh që mes njerëzish ish futur/befas lëshoi një çift pëllumbash të bukur./Një rrahje krahësh ajrin shkund/dhe ngjiten lart pëllumbat e bardhë,/përzier me yjet e parë./Ata dolën nga gjiri i kësaj mbrëmjeje neonësh,/ata dolën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”…  

SHKARKO APP