Pse në Vatikan dhe jo në Romë ambasador Visarin?
Nga Zef Shtjefni
Nuk besoj se është një debat dramatik ky që po bëjmë, për sherrin e radhës President-Qeveri, për emërimet e ambasadorëve, edhe pse këtë radhë ka dhe sfond fetar, krahas atij të përhershmit, politik. E kanë gabim edhe ata që i mendojnë si tabu çështjet fetare dhe u duket sikur po i hedhim benzinë zjarrit, sa herë flasim për to. Përkundrazi, të heshtim ndaj së keqes, siç e kemi bërë shpesh zakon, më duket se është si të mbledhësh rezerva benzine apo drurësh për zjarrin e nesërm. Nëse flasim e ballafaqohemi me problemet me kurajo, në mënyrë civile dhe demokratike do të ndodhë e kundërta, qetësia ose mërzitja me to. Për rastin e poetit dhe disidentit të njohur, Visar Zhiti, më duket më vend që të shqetësohet një pjesë e mirë e politikës dhe e mediave. Ai është një person, që e nderon të djeshmen dhe të sotmen e Shqipërisë. Titullin Ambasador e meriton, sigurisht para shumë e shumë të tjerëve, që janë dërguar nëpër selitë tona diplomatike, thjeshtë pse janë partizanë të devotshëm apo familjarë të politikanëve tanë. Por, propozimi në fjalë i Qeverisë është për t’u çmuar shumë edhe nga një këndvështrim tjetër, sepse po tentohet të dilet nga standardet berishiste. Po propozohet një ambasador që nuk përfaqëson të majtën qeverisëse. Por në Vatikan, mendoj, se nuk i është gjetur as vendi Visar Zhitit, (nëse ai nuk është i krishterë) dhe as Ambasadori i duhur Vatikanit. Vatikani nuk është shtet laik, siç jemi ne dhe shumw shtete të tjera. Vatikani është një shtet fetar, është Selia e Krishterimit Botëror. Aty është vendi që të shërbejnë njerëzit e devotshëm të kësaj feje e kulture, të cilët në vendin tonë janë të shumtë, por politika jonë, me sa duket, është e verbër e nuk i sheh. Në media lexojmë se në Vatikan kanë ambasadorë edhe Turqia, Arabia Saudite, Kuvajti e shtete të tjera myslimane. Kjo është e vërtetë. Ka qenë dëshirë reciproke e tyre me Vatikanin një raport i tillë. Dhe sigurisht ato shtete një mysliman do të dërgonin, sepse janë shtete myslimane dhe as kanë ku t’i marrin e as mund t’i përfaqësojnë ato katolikët. Edhe në rastin e Visarit tonë , (gjithnjë nëse ai është mysliman apo ateist), Vatikani nuk është se nuk do ta pranojë. Por problemi është tek përfaqësimi ynë në Vatikan. Kemi një komunitet katolik të madh në Shqipëri, kemi pas e kemi njerëz të Jezu Krishtit aq të devotshëm për këtë vend, që punojnë natë e ditë në çdo cep të varfërisë së Shqipërisë . Kemi po ashtu një komunitet të madh martirësh, që kanë dhënë jetën për këtë komb, gjatë gjithë historisë sonë dhe vazhdojnë ta japin edhe sot. Atëherë, si është e mundur që në Kryeqendrën e Katolicizmit Botëror të mos dërgojmë një prej tyre! Është ekzaktësisht njësoj, sikur në Mekë të dërgonim një katolik apo një ortodoks. Këtu nuk është në pyetje statura e personit. Por për Arabinë Saudite do të ishte fyerje e rëndë dërgimi i një të krishteri. Gjithashtu do ishte fyerje dhe aspak përfaqësim për gjithë komunitetin mysliman dhe Shqipërinë, dërgimi i një të krishteri në Arabinë Saudite, në Turqi, Kuvajt, Pakistan etj. Më dukën miopi dhe papërgjegjshmëri të politikës gabime të tilla. Kështu, këtë radhë them se Presidenti ka të drejtë kur thotë: “Nuk e konfirmoj Visarin për në Vatikan, sepse nuk më pyetën”. Por, nga ana tjetër, mendoj, se Presidenti nuk ka pse mbyllet në “Kullën e Vuçidolit”, sepse nuk ka përballë më një Qeveri dhe një Kryeministër që nuk do t’ia dijë për Presidentin. Po kështu Ai nuk ka pse të bëhet më katolik se Papa. Le të ulet shpejt me Ramën e Bushatin dhe ta dërgojnë Visar Zhitin pak metra më tej në Romë, sepse vendin tashmë bosh e kanë. Ta dërgojnë Ambasador të Shqipërisë në Republikën e Italisë. Mendoj se ky do ishte një nder shumë më i madh si për Visarin, por dhe shërbim më i mirë për Shqipërinë. Nga ana tjetër, jam i bindur, se Visar Zhiti do jetë dukë thënë me vete: “Pse po ma pështërisën kështu këtë punë e nuk më lënë në hallet e vuajtjet e mia familjare”. Fatkeqësia që i ndodhi me djalin është shumë e rëndë, por Ai dimension njeriu, nuk do kavaleshencë të pushojë, siç i konsideron shpesh politika jonë ambasadat. Përkundrazi, do të donte që të jetë aktiv dhe të kontribuojë sa më shumë për vendin e vet. A ju kujtohet Presidenti Moisiu? Çfarë fatkeqësie pat me djalin gjatë detyrës dhe kurrë nuk u përkul, bile është aktiv edhe sot.
U bënë dekada që nëpër ambasadat tona politika ka dërguar turli soj e sorollopi, që i kanë nxirë faqen Shqipërisë me gjithëfarë lloj turpesh. Ka ardhur koha që Presidenti dhe Qeveria të behën shumë më të përgjegjshëm në ndryshimin dhe përmirësimin e shpejtë të gjithë trupit diplomatik, pasi ata janë pasqyra e parë e Shqipërisë në botë dhe Europë. Ama të bëjmë shumë kujdes që të mos ikim nga shiu dhe të biem në breshër, duke bërë gabime më të rënda se më parë. Se fjala vjen, këto ditë dëgjova se ca diplomatë tanë të rinj, këtu në një kryeqytet europian, sapo kanë ardhur, kanë kërkuar xhami të falën. Nuk e kanë gjetur dhe pastaj kanë nisur të frekuentojnë një shtëpi arabësh. Këta zotërinj dhe ata që i dërgojnë duhet ta dinë se Europa është e krishterë. Diku kanë lejuar ndonjë xhami, por në pjesën më të madhe jo. Aq më tepër sot! Nëse diplomatët tanë duan të jenë vërtetë praktikantë të devotshëm fetar, nuk kanë pse zgjedhin shërbimin diplomatik, e sidomos nuk kanë pse zgjedhin Europën, përjashtuar Vatikanin. Feja është çështje personale. Mund të falësh e lutësh edhe në shtëpinë tënde, pa u dukur në publik. Por kur je përfaqësues i lartë i një shteti, përfaqëson gjithë popullin tënd të të gjitha feve dhe të gjitha partive. Kështu, siç po veprojmë, nuk po e kuptojmë, nëse duam ta bëjmë Shqipërinë si Europa, apo duam ta bëjmë Europën si Shqipëria?