Pse nuk kam një foto me Gjergjin?
Nga Tom Kuka –
Mbrëmje qe dhe ishim bërë daulle. Ndoshta ishim në gotën e dhjetë të konjakut. Gjergji me buzën në gaz thoshte:
– Ku i ka vajt’ mendja? Tat Tanushi nuk vdes… nuk vdes… ka bërë mëkat dhe gjëma është që mos të vdesë…
– I madh është! -, ia pres unë
– Mitrushi? I pakapshëm. Mundohu ta shohësh si film. Nuk vdes, se e dënon Perëndia që t’i kalojnë të gjithë përpara, një nga një. Mendoje si për vete; të të kalojnë të gjithë përpara, të tërë, kë të do zemra dhe ti të mbetesh kërcu mbi dhé…
– Më dridhet mishi tani që ma thua…
– Por, ama ti e kupton që njeriu do që të jetojë sa më shumë, se i tillë është, i pangopur. Këtu ta gjen dënimin Mitrushi: Jeto pra! Shihi si të kalojnë të gjithë me fëmijë dhe të dashur. Jo, o Zot, mua jo! Më merr, nuk dua të shoh aq shumë!
Isha tapë. Më vinte një afsh prush në faqe, ndërsa duhani i ndezur po më tretej mes gishtave, se nuk ma donte ënda ta thithja.
– E marrim dhe një?
– E marrim Gjergj, pse kemi frikë ne?
Ai nis e qesh.
– Ne, në fakt, burra shumë të mirë ndoshta nuk jemi, por nuk na dënon Perëndia deri këtu…
– Jooo, e ke të sigurtë. Nuk kemi shtënë pushkë. Me gjasë do na lërë të vdesim.
– Mirë e the ka me na lënë me vdek’. Unë besoj, po ti?
– Besoj, por tani jam xurxull.
– Unë besoj si Mitrushi. A e di që e ke nga Arta e nahijes tënde?
– Jo nuk e di… ti po e thua… -, e cys unë mosbesues, sepse dhe Gjergji ka pirë. Jemi ngulur në atë kthinë që paradreke dhe gjëkafshë nuk kemi shtënë në bark, veç atij lëngu kaf a i purpurt?
– O Turo, sill edhe dy! -, e ngre pak zërin Gjergji.
– Konjaku është kaf apo i purpurt?
– Nuk ta them dot tani. Nesër në mëngjes po deshe. Nejse, e ke nga Arta. E ke lexuar, ke dy orë që më çan dërrasat për të dhe nuk e di nga është.
– Po nga ta di o njeri?
– Po ta them unë! E kam timin. Kam farefisni me të.
– Jo ore Gjergj! Na dole ti andejza!
Qeshim me të madhe, kurse ai krenohet me zë të lartë:
– Po more, kokë e këmbë si ty dhe i besës madje!
– Pra, unë dhe ti dalim si tanët?
– Ore, nuk të rrej!
Shkullojmë gotat dhe i lëmë kohë alkoolit të kondesohet në lot brenda syve tanë të kuq flakë.
– E kupton pse konjaku është i purpurt?
– Hë, pra pse?
– Se e shoh në sytë e tu, të ndezur si tymari i Tatës.
Ai çohet në këmbë. Është i gjatë, i bëshëm, vigan më duket mua. Gjergji shkon deri në banak. Mbështetet një hop atje, shpin këmbët dhe kthehet në ndenjësen që kërcet nga pesha. Afrohemi dhe i pjekim kryet së bashku. Pëllëmbën ma ka vënë pas koke dhe më thotë:
– Na do Zoti, ka me na lënë me vdek’…
***
Koha rrjedh si ujët e lumit që merr me vete ç’gjen përpara. Ka gjasa që në këto vitet e fundit të ketë qenë grinjar, i rrëmbyeshëm, se na i përpiu veset. Unë jam tharë, Gjergji është tretur, por bën figurë më të mirë se unë. Më rrëfen që e “shkel” ndonjëherë. Na doli që kur ka ndonjë ziafet na pi ndonjë gotë verë të kuqe.
– Po ti as edhe një gotë?
– Asnjë për be!
– Po pse?
– Se e pimë bashkë alkoolin e frenave. Nuk ka besë…
– … harrova unë që je nga andejza ti…
– … nga ajo nahije jemi të dy apo jo?
– Tani u binde?
– Ma tha goca e Mitrushit në intervistë. Është nga Arta.
– E sheh pra…
Çimi ndërkohë bën një gjilpërë në bark. Sa ka dalë nga operacioni. Jemi në dasmën e Lorit që sak sot ka ditëlindjen. Lori po qan sot, se Gjergjin e paska dasht’ Zoti.
Çimi dystohet më mirë në ndenjëse dhe mban vesh muzikën. Është njeri për së mbari Çimi, por e ka me merak shëndetin. Gjergji e vë në lojë:
– Nuk do me vdek’ ti? Si Tat Tanushi do me u bë?
– Kush osh’ Tata, or tat?
– Lene Çim, se është bisedë gjatë, je dhjetë dopjo prapa -, vazhdoj unë dhe kthej një gastare ujë të ftohtë. Është nxehtë, ja si sot, bën vapë, por muzika e mbyt zukatjen e bulkthit të mbrëmjes. Asnjë nga ne nuk i ka sytë e purpurt. Mbajmë përpara gota të mbushura me pak verë të kuqe, por nuk i ngjërojmë. I kemi sa për ta bërë gëzuar, kur të vijë Lori me burrin e saj. Është dasëm e bukur, ku velloja e bardhë varet kudo, pas shpinës sonë, pas muzikantëve. Njerëzit kërcejnë, këndojnë, janë të hareshëm. Gjergji me buzën në gaz më flet për të gjithë, shtruar. Nuk lodhet së treguari për Mitrushin, filmin, Çimin, të tjerët, idenë e re që i ka mbirë në kokë si ajo mushkonja që i fle në faqe, më flet për Tomën.
Ma ka ënda bisedën, ngjan si një fllad që than bulëzën e njelmët të djersës që ka mbirë mu në ballë, meqë ka dëshirë të dëgjojë atë burrë.
Ai çohet. Është i lartë, vigan dhe bën pak hapa sa të çpijë këmbët. Nuk kemi kohë të bëjmë qoftë dhe një foto, se ajo dekikë na duhet për të bërë një tjetër bisedë të re.
Por, mua sot më duhet ajo dreq foto dhe nuk e kam. Të gjithë e kanë me të, madje kanë shumë, veç unë jo, se nuk doja të humbja ato çaste, pasi kishim për zemër të llomotisnin. Por, biseda nuk ngujohet në foto, ajo ndryhet në kujtesë, ku nuk ndalet, por vazhdon të llomotisë, prandaj ti nuk e riprodhon kurrë si një herë më parë, diku e qeth, diku e shton sipas muzës.
Atë e deshi shumë Zoti dhe nuk e dënoi me gjëmën e mëkatit. E mori, nuk e la kërcu si Tat Tanushi.
Unë për vete uroj po Zotin që të paktën Lori të na e ketë bërë një foto, Lori që sot ka ditëlindjen dhe po qan për Gjergjin.