Punëtorët nga Vietnami drejt Shqipërisë, firmoset memorandumi i bashkëpunimit
Shqipëria dhe Vietnami kanë hedhur një hap të ri në bashkëpunimin dypalësh, duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e mobilitetit të fuqisë punëtore dhe krijimin e mundësive për punësimin e shtetasve vietnamezë në vendin tonë. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se marrëveshja synon të adresojë nevojat e ekonomisë shqiptare për punonjës, duke garantuar një proces të rregullt dhe të sigurt të migracionit për punësim.
“Nënshkruam sot Memorandumin e Mirëkuptimit me Republikën e Vietnamit për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mobilitetit të fuqisë punëtore”, deklaroi Ibrahimaj. Sipas ministres, marrëveshja krijon mundësi konkrete për ardhjen dhe punësimin e punëtorëve vietnamezë në Shqipëri, duke u mbështetur në bashkëpunimin institucional mes dy vendeve.
“Ky dokument krijon mundësi për punësimin e punonjësve vietnamezë në Shqipëri, duke mbështetur nevojat e ekonomisë shqiptare për fuqi punëtore dhe duke mundësuar migracion të rregullt, të sigurt dhe të qëndrueshëm për punësim”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj theksoi gjithashtu se memorandumi nuk lidhet vetëm me tregun e punës, por edhe me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e aftësive profesionale. “Njëkohësisht, ajo hap rrugën për bashkëpunim më të ngushtë në fushën ekonomike dhe në zhvillimin e aftësive, duke forcuar partneritetin mes dy vendeve”, tha ministrja.
KOHA JONË SONDAZH

