Qendra të reja pritëse për emigrantët? Rama: Kurrë më në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër dhe po merr pjesë në punimet e samitit vjetor të Procesit të Berlinit. Rama u pyet nga gazetarët për ndërtimin e qendrave të reja për pritjen e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri. ”Kur vjen fjala për këto qendrat e ngjashme, e kam thënë dhe përsëritur: kurrë në Shqipëri”. Kreu i qeverisë u ndal edhe te lufta ndaj emigracionit të paligjshëm dhe bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, që sipas Ramës ka funksionuar në mënyrë fantastike.
”Ka qenë një luftë që e kam bërë për një kohë të gjatë me një sërë kryeministrash britanikë, po kanë ndryshuar kaq shumë kryeministra brenda një kohe kaq të shkurtër saqë ishte e pamundur që t’i mbaje mend. Më së fundmi nisëm me Rishi Sunak dhe vazhduam me kryeministrin Keir Starmer dhe me qeverinë laburistë diçka që është thelbësisht ndryshe krahasuar me atë ç’ka ka ndodhur për shumë vjet.
Ajo që është lufta kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikimit në terren së bashku për të shmangur të gjithë kanalet burokratike të shkëmbimit të informacionit, të pritjes dhe pastaj që kjo të na çojë që të fajësojmë njëri-tjetrin dhe ka funksionuar në mënyrë fantastike dhe jo vetëm ka funksionuar në mënyrë fantastike, po ka funksionuar në të tillë mënyrë që besoj se është e qëndrueshme, pra nuk është një operacion.
Është një përballje sistemore përmes sistemit me këtë sëmundje të rrjeteve që trafikojnë njerëz. Nuk ka të bëjë me njerëzit që vijnë lirisht këtu, por për njerëzit që trafikohen dhe ky është një dallim themelor”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

