Qeveria (hije) Basha, apo hijet e qeverisë së vjetër?

Nga Alfred Lela

Në ligjërimin publik, politik dhe mediatik, shprehja opozita e opozitës, me sa di shpikur prej Berishës në vitet e ashpra opozitare ‘97-2004, përdoret shpesh si mjet frenues; një tra që ngrihet mu nën hundën e atyre që guxojnë të nuhasin ndonjë ide apo lëvizje sulfurike në opozitë. E cila, në të gjitha rastet është qeveria e djeshme dhe e nesërme. Pra, një interes publik që na intereson të gjithëve dhe na fton të gjithëve ta debatojmë.

Por, si në mitologji, për me kalue në Had me varkën e Karontit, atij i duhet dhënë një monedhë.

Dy shpërblesa varkëtarit të opozitës: Njëra lidhet me kthimin e funksionit të zëdhënësit të partisë në institucion politik, duke ngarkuar me këtë detyrë dikë që mund të artikulojë dhe mund të debatojë interesat dhe argumentet e opozitës në publik. Ky shndërrim është pozitiv, ndoshta jo estetik, krahasuar me zëdhënëset e mëparshme, lexuese tekstesh të të tjerëve, por të pamundura, apo të pangarkuara, për t’i mbrojtur në publik ato që thoshin para publikut. Ina Zhupa, zëdhënësja e re politike e Partisë Demokratike, në daljen e saj të parë në Opinion, dëshmoi se mund t’i mbrojë ato që lexon.

Artikulimeve të zonjës Zhupa ndoshta u duhet hequr njëfarë tisi përkeqësues që ajo, dhe me sa duket segmente në partinë e saj, i mveshin termit ‘privat’. Demokratët janë në të drejtën e tyre të kundërshtojnë nismat e qeverisë, stadiumin, kullat, edhe Hadin e Karontin vetë po deshën, por asesi të artikulojnë me tone negative nocione të tilla ,si: privat, bej, Zog, Ball Kombëtar, traditë, hierarki, e me radhë. Një e djathtë e njëmendtë i ka të lartpërmendurat pjesë të Urdhëresave të saj. Përndryshe, t’hozgjelten u kjoftë! në sofrën e diskursit komunist.

Tjetra monedhë laudatore shkon për vendimin e Bashës, që degët e partive në rrethe të shumëfishohen. Nuk do shumë tekst për ta marrë si vijimësi logjike të gjërave, numrin e shtuar të degëve, në kushtet e një reforme territoriale tashmë të bërë fakt, që e ka rritur territorin e qyteteve disafish. Lëvizja i decentralizon degët e mëdha dhe vendimet, si edhe fut njëfarë konkurrence në bazën e partisë.

Ka qenë një lëvizje tjetër në mesjavë e kryetarit të opozitës Basha, drejtimi i së cilës mund të përshkruhet si përpjekje për të nxjerrë nga Hadi politik personazhe për të cilat Karontit i është paguar një herë në rrugën e vajtjes. Lista me drejtuesit e 12 qarqeve përbëhej nga 7 ish-ministra të Berishës.

Ja disa prej kundërthënieve të kësaj liste:

Së pari, realiteti që prezanton Basha takohet me imagjinaren që prodhon Rama, të cilën ai e ka futur, ligësisht por mjeshtërisht, në parabolën ‘ata nuk janë opozita, por qeveria e vjetër’. Shtatë ministra në një listë me 12 drejtues nuk e vërtetojnë këtë, por të paktën e përpjesëtojnë si të vërtetë.

Së dyti, edhe kjo ashtu si e para futet te imazhi, pritet që Basha të kalojë në anën e publikut idenë se gjuha, teknika, opozicioni, programi, argumentet, njerëzit, stilet, risitë, qoftë edhe batutat janë prodhuar me stof të ri, në një avlëmend ku thur Penelopa e pushtetit të tij të ardhshëm.

Së treti, të përzgjedhurit e listës janë në një pjesë të mirë detraktues të stilit Basha, dhe në betejat punike nuk shkohet me gjeneralë që u kanë rënë katër herë atyre shtigjeve; apo se ç’kanë një velje; ç’i mundon një vetëvlerësim i trashë sa dhjami rreth barkut; e gjëra të tjera që i dinë ata vetë. (Përjashto rastin kur mbreti don të ndajë humbjen me gjeneralët e vet.)

Së katërti, taktikisht dhe logjikisht, 12 drejtuesit e qarqeve bëhen automatikisht, kryesues të listave të deputetëve në zgjedhjet e 2017-s, ndërkohë që vijnë si personazhe kryesore edhe të dy palë zgjedhjeve të humbura: Vendoret e 2015-s dhe kuvendoret e 2013-s. A ka në këtë listë ndonjë syresh ‘arrogant pushteti dhe fshehur pas xhamave të zinj të makinave ministrore’, mea culpa që pat bërë z. Basha në Konventën e Partisë Demokratike të para dy viteve? Ne mund të hamendësojmë, kurse Basha e di me siguri.

Së pesti, teksa u ofrohen zgjedhjeve, partitë që synojnë pushtetin lëshojnë edhe spikamën e asaj që quhet ‘qeveria hije’. Protagonizmi i eksponentëve i krijon vetë ministritë, në njëfarë mënyre. Shefi i opozitës së re nuk e ka luksin që t’u ofrohet zgjedhjeve, jo me Qeverinë Basha (në hije) por me hijet e qeverisë Berisha. MAPO

SHKARKO APP