Qeveria nuk miraton buxhet për të rinjtë për vitin 2018
Buxheti i shtetit 2018 është miratuar të enjten (2 nëntor) në Kuvendin e Shqipërisë vetëm me votat e mazhorancës. Për më shumë se një javë debatohet fakti se të rinjtë nuk janë përfshirë në buxhet.
I ftuar në ‘Ditë e Re’ Klaudio Pulaha, koordinator i CRCA për Rrjetin Rinor “Lidershipi i të Rinjve të Tiranës”, ka treguar se janë depozituar buxhetet por jo për të rinjtë.
“Në buxhetin e madh të shtetit nuk ka asnjë zë specifik për të rinjtë. 24% e popullatës së Shqipërisë nuk është marrë parasysh.”
Në 2015 është hartuar një plan për të rinjtë, por sipas Klaudios nuk ka asnjë buxhet për ta vënë në zbatim.
“Kur ti ske buxhet si do të vendosësh në dispozicion për të rinjtë një kartë studenti që të ofrojë transport publik falas, ose me çmim të reduktuar dhe shërbime të tjera komunitare për të rinjtë që studenti të jetë lehtësuar në ato pak vite që është student.”
Një tjetër problematikë që Klaudio prek është se buxheti i shtetit kalon pa u konsultuar.
‘Problematika është se buxheti i shtetit miratohet pa u konsultuar. Vitet e tjera ka kaluar në parlament dhe pastaj është konsultuar me organizatat e shoqërisë civile. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit. Nëse nuk konsultohesh me të rinjtë nuk ia di problematikat.”
Sipas tij 100 000 fëmijë nuk shkojnë në shkollë për shkak të pamundësisë ekonomike dhe 40 % e popullatës shqiptare është në varfëri.
“Buxheti për të rinjtë shërben për të zbatuar në mënyrë rigoroze Planin Kombëtar të Veprimit. Për të ndërtuar qendra rinore, për të ndërtuar shkolla. 100 000 fëmijë nuk shkojnë në shkollë për shkak të varfërisë. Çfarë po bën Ministria e Arsimit për këto fëmijë? Këto të ardhura duhet të shkojnë për studentët që nuk kanë mundësi të ndjekin studimet, për karta e studetit, për bursa.”