QKL: Licencimi i agjencive dhe tur-operatorëve, pa afat

Pas miratimit të akteve nënligjore për mënyrën sesi do të operojnë agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë, këtyre subjekteve u është përcaktuar detyrimi që të licencohen. Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka parashikuar një shtesë në ligjin për licencat dhe lejet që trajtohen nga QKL-ja,

Sipas këtyre ndryshimeve, fusha e turizmit do të mbajë kodin e licencimit XIII, duke u ndarë në dy nënkategori: “Agjenci udhëtimi”, me kodin XIII.1.A; “Operator turistik”, me kodin XIII.1.B.

Për të dyja këto subjekte, licencat do të jenë pa afat, ndërsa data e fillimit të licencimit është nga hyrja në fuqi e këtij vendimi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Për Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë janë të gjitha kushtet që zbatimi i ligjit të ri të turizmit të nisë në vitin 2017. Me anë të tyre do të mund të nisë më në fund procesi i klasifikimit dhe standardizimit të hoteleve sipas yjeve, gjithashtu do të mund të zbatohet edhe taksa për fjetjen në hotel sipas kësaj ndarjeje.

Në bazë të ligjit të ri, strukturave akomoduese do t’u lihet një periudhë 18-mujore për të aplikuar për klasifikimin sipas yjeve. Skema përmban 270 kritere nga struktura fizike te stafi dhe kontrolli do të kryhet nga një institucion i pavarur nga ministria për t’u monitoruar më pas nga Inspektorati i Turizmit. Klasifikimi vlen katër vite sepse kjo është periudha maksimale që mund ruhet pa bërë investime. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit. I gjithë procesi i klasifikimit do të udhëhiqet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ngritja e të cilit parashikohet në këtë ligj.

SHKARKO APP