QKR: 6-fishohen regjistrimet në gusht, 4372 biznese të reja

Muaji gusht ka shënuar shifra rekord regjistrimesh në QKR, që kanë qenë dukshëm më të larta se historiku. Sipas të dhënave zyrtare nga QKR, në muajin gusht 2015 u regjistruan për herë të parë 4,372 biznese, shifër kjo 6 herë më e lartë se e njëjtja periudhë e një viti më parë.  Ndërsa gjatë muajit korrik – gusht numri i regjistrimeve arriti në 6,144 ose 3.4 herë më shumë se e njëjtja periudhë e vitit 2014.

Radhët e gjata të krijuara në këtë insitucion kanë bërë që puna në të të fillojë shumë herët rreth orës 07.15 të mëngjesit për t’u mbyllur në orët e vona të pasdites. Drejtuesit e QKR-së thonë se sot, në ditën e parë të muajit shtator ky fluks pritet të jetë edhe më i lartë se mesatarja ditore e rreth 1,100 veprimeve për shkak se individët e lidhin me fillimin e aksionit të qeverisë kundër informalitetit. Por, sipas tyre bizneset duhet te vazhdojnë të regjistrohen dhe për më tepër të përdorin sistemin online, pasi kështu do të kursejnë kohë, por edhe radhët e gjata.

“Qendra Kombëtare e Regjistrimit,ka njoftuar se për të përballuar fluksin e kërkesave për regjistrim është duke punuar me orare të zgjatura në të gjitha sportelet e shërbimit të saj. Gjithashtu me qëllim shmangien e vonesave në marrjen e shërbimeve ju inkurajojmë të përdorni sportelin elektronik (aplikoni online). Ky shërbim ofrohet nëpërmjet plaformës qeveritare të ndërveprimit e-albania.”

Regjistrimi nëpërmjet sportelit elektronik është i thjeshtë dhe mund të kryhet si nga individët ashtu dhe bizneset.

1. Individi, i cili do të kryejë aplikimin (psh. regjistrim fillestar/person fizik), duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike.

2. Shërbimi ofrohet pa pagesë.

Për çdo informacion apo paqartësi, QKR ka ngritur një sportel të dedikuar (Sporteli Nr.1) pranë zyrave qëndrore ku bizneset mund të adresojnë shqetësimet e tyre.

Javët e fundit është vënë re një fluks I lartë I kërkesave për të regjistruar bizneset, në prag të aksionit të paralajmëruar nga qeveria kundër informalitetit.

SHKARKO APP