Radikalizmi islamik nuk përbën rrezik për Shqipërinë
Nga Arian Starova
Muajt e fundit po flitet gjerësisht për gjasat e rrezikut të një radikalizmi dhe ekstremizmi fetar në Shqipëri. Arsyet duken të forta dhe të pranueshme, sepse agjencitë e ndryshme të inteligjencës botërore dhe të vendit bashkë me agjencitë e hapura informuese të opinionit publik e mbështeteshin në fakte të pakundërshtueshme pjesëmarrjen e shqiptarëve në ushtrinë e shtetit islamik (ISIS) në Siri dhe Irak. Hapësirën krahasimisht të madhe të diskutimit rreth kësaj teme e përligj edhe shtrirja e veprimtarisë tronditëse terroriste e njerëzve të shtetit islamik në vende të ndryshëm të Europës. Lënia jashtë kontrollit e disa institucioneve fetarë myslimanë në vendin tonë e shtonte natyrshëm shqetësimin për të hulumtuar rreth këtij problemi. Ditët e fundit, iu paraqitën me shumë sukses publikut të interesuar edhe përfundimet e një studimi të kryer nga studiuesi Dr. Enri Hide me titull “Vlerësimi i rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe aftësia e shoqërisë për të reaguar”. Shenjë e qartë e shqetësimit në lidhje me dukurinë e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar ishte edhe interesi i veçantë i përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe të medies për forumin e organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtarë me synimin për të diskutuar rreth këtij problemi. Studimi i kryer nga Dr. Hide është i gjerë dhe i thellë dhe është i pari në lidhje me dukurinë për të cilën po flasim. Si i tillë, ai mund të vështrohet si një fill i mirë orientues për politikat e ndryshme shtetërore ose joshtetërore në kundërpërgjigje ndaj kësaj dukurie. Sidoqoftë, synimi im në këtë shkrim-analizë nuk është të merrem me përfundimet e këtij studimi, por të arsyetoj në lidhje me thelbin e dukurisë së radikalizmit dhe ekstremizmit fetar në truallin shqiptar. Kush është i interesuar për këtë studim mund ta gjejë fare lehtë duke kontaktuar me autorin e tij.
Po e nisim me përcaktimin e fjalëve-koncepte radikalizëm dhe ekstremizëm, të cilat kanë kuptime të ndryshëm për nga mënyra sesi po përdoren, por zakonisht fjala e parë po nënkupton mbivlerësimin e fesë islame kundrejt të tjerave dhe, e dyta, ushtrimin e dhunës ndaj njerëzve të tjerë në emër të fesë islame. Në vijim të këtij shkrimi po përdorim vetëm fjalën radikalizëm islamik për t’i përmbledhur të dy këta kuptime të lidhur ngushtë të kësaj dukurie si edhe për lehtësi të shprehuri në komunikimin me publikun.
Arsyetimi im nuk mund të mos nisë prej veçorisë së mrekullueshme të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Ajo është padyshim një vlerë e mrekullueshme dhe e shumëvlerësuar ndërkombëtarisht për Shqiptarët. Kjo harmoni ndërfetare e vjetër është përforcuar si vlerë në kushte të caktuar të përpjekjeve për vendosjen e themeleve të shtetit të pavarur shqiptar të vitit 1912. Në ato kohë kur rilindësit shqiptarë filluan përpjekjet për këtë shtet, ideja madhore bashkuese e këtyre përpjekjeve ishte “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Tani, kanë kaluar 104 vjet që shteti shqiptar është i pavarur dhe siguria e tij është e mbrojtur nga aleanca më e fuqishme dhe e suksesshme e kohës sonë, NATO. Këtu, do të doja të shtoja se unë mendoj se harmonia ndërfetare nuk është një vlerë e papërsëritshme vetëm e shqiptarëve siç e kemi dëgjuar aq shpesh sa tanimë dëgjohet me ndjesinë lodhëse një refreni të tejpërsëritur. Edhe Bosnje-Hercegovina, Malajzia, Turqia, Maqedonia, ShBA., Bullgaria dhe vende të kanë pasur dhe e kanë harmoninë ndërfetare. Prej historisë më të fundit të Bosnje-Hercegovinës, del përfundimi se kjo harmoni ndërfetare përmban edhe mundësinë që të prishet, në qoftë se se ajo nuk ushqehet vazhdimisht dhe me mënyra nga më të larmishmet me idetë fetare dhe jofetare të tolerancës dhe të bashkëjetesës. Ndërsa prej historisë së vendeve të tjerë të lartpërmendur mund të nxjerrim përfundimin se kjo harmoni duhet ruajtur dhe ushqyer prej njërit brez te tjetri. Sot, kur trysnia e radikalizmit islamik në botë është shumë e madhe dhe bëhet me mjete të sofistikuar, nevoja për të qenë të ndjeshëm dhe të kujdesshëm për ruajtjen e kësaj vlere të mirënjohur shqiptare të harmonisë ndërfetare bëhet edhe më e domosdoshme. Për këtë duhet të jenë më se të mjaftueshëm faktet e vërtetuar të shkuarjes së luftëtarëve shqiptarë në xhihadin e ISIS-it dhe të veprimtarisë rekrutuese të njerëzve të ISIS-it ndër besimtarët shqiptarë. Gjithsesi, sot, harmonia ndërfetare e Shqipërisë është një pengesë e rëndësishme për çfarëdo përpjekjeje të veprimtarëve të radikalizimit islamik ndër shqiptarët.
Një tjetër arsye, e cila përbën pengesë për radikalizimin islamik në kushtet e Shqipërisë është mungesa e ndjenjave të forta fetare në përgjithësi te shqiptarët. Kjo veçori ka arsyet e veta historike të lidhura edhe me pushtimet e shpeshtë dhe me fetë e ndryshme të pushtuesve. Por, ndryshe prej harmonisë ndërfetare, ndjenjat jo të thella fetare të shqiptarëve janë një faktor me natyrë të dyfishtë. Ato përmbajnë edhe mundësinë e mbështetjes së përpjekjeve për radikalizëm islamik nëse shoqërohen me nxitës ekonomikë-financiarë të interesave pragmatistë të jetës së përditshme të besimtarëve. Mungesa e ndjenjave të thella fetare është faktor me natyrë të dyfishtë, sepse nga njëra anë nxit bashkëjetesën ndërfetare, por nga ana tjetër, mund të nxitë mbivendosjen e interesave pragmatiste mbi ato fetare. Koha e sotme e ka provuar përgjatë thuajse njëzet e pesë vjetëve një rënie të cilësive morale për shqiptarët. Shumë shpesh interesi ekonomik apo pragmatist ka dalë përmbi lidhjet e gjakut, lidhjet miqësore dhe rregullat e mirësjelljes njerëzore duke i çuar shumë shqiptarë në konflikte që shkojnë deri në përgjakje dhe vdekje. Shkak për këtë është edhe lidhja jo e fortë e shqiptarëve me fenë. Prandaj, harmonia ndërfetare e shqiptarëve duhet bashkërenduar me rrënjosjen dhe lidhjen më të fortë të besimtarëve me fenë me synimin që edhe t’i edukojë moralisht shqiptarët. Në kushtet e sotme ideja “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk vlen më si udhëheqje për edukim, sepse shteti është krijuar kurse ajo ide nxit ateizmin. Ajo ka qenë e përligjur vetëm për themelimin e shtetit shqiptar të pavarur. Sot shqiptarët kanë nevojë për më shumë besim fetar në zemrat dhe mendjet e tyre. Katër fetë e mëdha të shqiptarëve, por edhe fetë e tjera duket se kanë një mision shumë madhor për rrënjosjen e besimit fetar dhe të ripërtëritjen e moralit ndër shqiptarët për të sjellë atë lidhje të fortë ndërnjerëzore, e cila tani duket sikur është larguar prej shqiptarëve. Sa më mirë të kryhet ky mision, aq më shumë ai i shtohet si vlerë harmonisë së mrekullueshme ndërfetare të shqiptarëve.
Ja edhe një arsye tjetër. Në kushtet e sotme të globalizimit dhe për shkak të natyrës së veçantë të mjeteve që mund të përdoren për të nxitur konfliktet (ashtu krejt papritmas si në Bosnjë-Hercegovinë) siguria e brendshme e vendit merr rëndësi shumë të madhe, sepse mosvëmendja e duhur shtetërore ndaj saj e kthen atë në një vlerë shumë të brishtë. Si një vend i vogël dhe me mundësi të vogla, Shqipëria ka nevojë që t’u kushtojë vëmendje sa më të madhe veprimtarive të paligjshme që synojnë prishjen e harmonisë fetare. Dhe duhet thënë hapur se deri kohët e fundit ka pasur shumë boshllëk ligjor (siç e treguan veprimtaritë e paligjshme të disa imamëve dhe xhamitë e paligjshme) i cili krijoi hapësirë për përpjekjet e radikalistëve islamikë. Pavarësisht prej këtyre të metave, masat ligjore të ndërmarra kohët e fundit kanë krijuar një pengesë tjetër të fortë kundrejt radikalizmit islamik në Shqipëri. Faktet e freskët të mosshkuarjes së asnjë shqiptari në radhët e xhihadistëve të ISIS-it e vërtetojnë këtë.
Shqipëria duket e imunizuar ndaj radikalizmit islamik edhe për arsye të traditave të vjetra zakonore pozitive të shqiptarëve si mikpritja, mbrojtja e mikut, mbrojtja e të pafajshmëve dhe e grave, etj. Është shumë e vështirë që të përfytyrohen shqiptarë që të mund të përdoren për të bërë vrasje të njerëzve të pafajshëm nëpërmjet vetëvrasjes së tyre. Shqiptarët kanë edhe një vlerësim të arsyeshëm të marrëdhënieve ndërmjet jetës dhe vdekjes. shqiptarët e vlerësojnë jashtëzakonisht jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Madje, në emër të tyre, ata iu janë nënshtruar edhe konvertimeve të mëdhenj fetarë gjatë historisë. Ata, po ashtu, kanë ditur edhe ta sakrifikojnë jetën e tyre për një të mirë të përgjithshme të bashkësisë njerëzore apo popullit ku bëjnë pjesë. Megjithatë, për shqiptarin është e papranueshme që të vrasë veten me synimin e vetëm që të vrasë njerëz të pafajshëm. Shqiptarët kanë ditur t’u japin vendin e duhur jetës dhe vdekjes, por arsyetimet teologjikë të klerikëve shqiptarë mbi vlerën e jetës dhe të vdekjes duhet të jenë pjesë e domosdoshme e teologjisë dhe predikimeve të tyre në Shqipëri. Kjo është e domosdoshme në kushtet e sotme të përdorimit të mjeteve shumë të sofistikuar të “shpëlarjes së trurit”, të cilët vlerësojnë më shumë vdekjen sesa jetën.
Arsyeja e fundit për të mos iu trembur një radikalizmi islamik në Shqipëri është se ISIS është në tërheqje për shkak të qëndrimit të bashkuar ndërkombëtar dhe të vetë vendeve islamikë në kundërvënie ndaj tij. Këta të fundit e kanë bërë shumë herë dhe qartazi dallimin ndërmjet fesë islame të vërtetë dhe asaj feje islame që predikon ISIS. Unë jam i thuajse i bindur se studimi i mëtejshëm i dukurisë së ISIS-it mund të tregonte se sa pak lidhet kjo dukuri me islamin e vërtetë dhe se sa vetë ISIS i përngjet një përpjekjeje gjeopolitike nëpërmjet shpërdorimit të vlerave islame. E vërteta e ISIS-it do të dalë shumë shpejt në dritë duke i bindur të gjithë se ai ishte një përpjekje e organizuar terroriste për përfitime ekonomikë dhe të çdo lloji tjetër që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me vlerat fetare islame të vërteta. Ndërkohë, trysnia e tij mbi besimtarët shqiptarë dhe të rajonit tonë është në rënie si për shkak të mungesës së mjeteve financiarë ashtu edhe për shkak të vetëbaltosjes përmes veprave kriminale dhe çnjerëzore që kanë kryer deri tani në Lindjen e Mesme apo në Europë.