Radio gjermane “DW”/Koment – Kriza më e madhe e Putinit ka filluar
Putinit i duket se në çdo gjë ka të drejtë dhe në rastin e rënies së rublës bën thirrje për qendresë. Por kriza më e madhe e mandatit të tij ka filluar, mendon Ingo Mannteufel.
Konferenca e sivjetme e madhe e shtypit e Vladimir Putinit, e parë nga këndvështrimi i presidentit, mund të përmblidhet me disa fjalë. Rusia në politikën e jashtme ka të drejtë në çdo drejtim dhe ai Putini me gjithë trazirat me rublen e ka gjithçka nën kontroll.
Në fakt Putini e përgatit popullin e tij për kohë ekonomikisht të vështira, por sipas presidentit rus, brenda dy vjetëve koniunktura botërore do të gjallërohet përsëri dhe ekonomia e Rusisë do të ketë ndryshuar. Deri atëherë vështirësitë do të kalohen me ndihmën e rezervave të mëdha të devizës ruse. Hapat e rinj të bankës qëndrore dhe të qeverisë për mbështetjen e rublës Putini i vlerësoi si masat e duhura.
Rritja e ndjeshme e normës bazë të interesit në 17 përqind sipas teorisë së ekonomisë së tregut është mjeti i duhur për të forcuar kursin e rublës. Megjithatë është e diskutueshme, nëse llogaria e Putinit do të dalë.
Mjaftojnë paratë?
Me siguri që rezervat e devizave në vlerë prej rreth 420 miliardë dollarë amerikanë (340 miliardë euro) janë një rezervë e mirë për të kapërcyer vështirësitë ekonomike dhe sidomos ato financiare. Por megjithë shumën relativisht të madhe shtrohet seriozisht pyetja, nëse këto para do të mjaftojnë për të gjitha problemet.
Por shpenzimet shtesë e kërcënojnë shtetin rus, jo vetëm se duhet të mbështetet rubla. Putini premtoi se pensionet dhe pagat e punonjësve të shtetit – të dyja grupet e mëdha sociale janë shtyllat mbështetëse të pushtetit të tij – priten të rriten në përputhje me inflacionin.
Në të njëjtën kohë bankat dhe sidomos sipërmarrjet e mëdha shtetërore, si Rosneft, Gasprom dhe hekurudhat ruse kanë nevojë për ndihmë masive financiare: Deri në fund të vitit 2015 sipërmarrjet ruse, shumica e tyre ndërmarrje shtetërore, duhet të paguajnë rreth 130 milionë borxhe të jashtme. Dhe kjo në kohën e sanksioneve financiare perëndimore, që vështirësojnë rifinancimin e kredive të vjetra për sipërmarrjet ruse.
Se si do të arrihet diversifikimi i ekonomisë ruse, të premtuar për të disatën herë, në kushtet e rënies të të ardhurave shtetërore për shkak të rënies ndërkombëtare të çmimeve të energjisë, pakësimit të rezervave valutore, rritjes së inflacionit, si dhe normës bazë të interesit me 17% për kreditë e reja, kjo është me të vërtetë e paqartë. Megjithatë është vështirë të imagjinohet, që shteti rus apo ndërmarrjet kryesore shtetërore mund të bëjnë në vitet e ardhshme investime të mëdha në infrastrukturë, arsim, apo shëndetësi.
Probleme strukturore
Vështirëristë aktuele shtohen edhe nga fakti se problemet strukturore të ekonomisë ruse janë të njohura prej vitesh. Ekonomia ruse, e bazuar në lëndën e parë, duhet të kthehet në një ekonomi të teknologjisë së lartë, me industri moderne dhe me shërbime të avancuara. Pikërisht ky është dështimi i madh i politikës ruse nën Vladimir Putinin, që ky kurs i domosdoshëm i modernizimit nuk u ndoq me konsekuencë në kushtet më të favorshme si të ekonomisë globale ashtu edhe të politikës së jashtme të 14 viteve të fundit.
Politika ndaj Ukrainës bën që Rusia rrugën drejt modernizimit të mos e bëjë dot në partneritet me perëndimin, por nën ndikimin e sanksioneve dhe ndjenjës së kercënimit reciprok.
Do të përfundojë kriza në një çështje të sistemit?
Që modeli aktual ekonomik i Rusisë nuk funksionon, është vetëm një pjesë e ekuacionit politik, që do ta vërë presidentin Putin nën trysni. Sepse nëse llogaria e strategjisë ekonomike të Putinit nuk del, atëherë shpejt shtrohet pyetja e përgjegjësisë politike. Dhe ana e errët e mbështetjes së lartë për Putinin është se në politikën ruse, nuk është askush, që mund të marrë rolin e kokës së turkut. Pavarësisht se si i kanë emrat kryeministri dhe shefja e bankës qendrore – në Rusi Vladimir Putini mban përgjegjësinë për çdo gjë.
Prandaj kriza aktuale nuk është vetëm një krizë ekonomike e Rusisë, por edhe kriza më e madhe politike e presidentit Putin. Për zgjidhjen e saj ai kërkoi faktikisht dy vjet kohë në konferencën vjetore për shtyp. Do të jetë interesante, nëse populli dhe në rradhë të parë elita politike do t'ia japin këtë kohë.