Rama: 700 tenxheret politiko-mediatike nuk e përulin dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mazhoranca qeverisëse do të vijojë të mbështesë pa kushte institucionet e drejtësisë, duke garantuar pavarësinë e tyre nga politika dhe zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi.

Në episodin e fundit për këtë vit të podkastit “Flasim”, Rama trajtoi zhvillimet e fundit politike dhe institucionale, duke vënë theksin te procesi i integrimit europian dhe, sipas tij, progresi i Shqipërisë në disa fusha kyçe.

“Shqipëria e 700 tenxhereve politiko-mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Rama përmendi zhvillimin e sektorit të turizmit, duke nënvizuar se aeroporti kryesor i vendit ka tejkaluar për të disatin vit radhazi aeroportin e Beogradit për nga fluksi i pasagjerëve, si dhe avancimin e Shqipërisë në transformimin digjital dhe rritjen ekonomike, ku paga mesatare ka arritur në 830 euro.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Kemi Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjisë dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e NATO-s në 2027-ën dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronët e prodhuar në vendin tonë”.

Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe pavarësimi i drejtësisë janë procese të pakthyeshme, duke shtuar se për herë të parë një forcë politike në pushtet, sipas tij, ka hapur rrugën që drejtësia të veprojë pa pengesa, edhe brenda radhëve të saj.

“Nuk e mund dhe nuk e përul dot Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”, tha Kryeministri.

Në përfundim, kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve të drejtësisë dhe e Reformës në Drejtësi, duke e cilësuar këtë si një kusht themelor për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?