Rama: Anëtarësimi në BE, jo vetëm bekim por edhe sfidë për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në EU4Municipalities II, programi strategjik për forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian me 10 milionë euro dhe me një kontribut financiar shtesë prej 1 milion euro nga Gjermania dhe synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për nismat e qeverisjes vendore në shërbime dhe infrastrukturë, si edhe forcon kapacitetet e tyre institucionale.
Rama deklaroi se ky projekt nuk mishëron vetëm një mbështetje financiare, por përfaqëson një investim strategjik të BE-së për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Ky program lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe me mundësinë që, përmes tij, institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore, të cilat përbëjnë edhe problemin tonë më të mprehtë sot dhe në të ardhmen, nëse nuk fokusohemi që tani në adresimin e tij. Me këtë dua të them se BE-ja dhe anëtarësimi në familjen europiane janë një bekim, por edhe një sfidë e madhe për Shqipërinë, veçanërisht në nivel vendor, pasi konsolidimi i qeverisjes vendore është pjesë e pandarë e funksionimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve institucionale.
Një sfidë e konsiderueshme për vendet anëtare është aftësia për të përthithur mbështetjen e BE-së, përmes njohjes së mënyrës se si mund të realizohet kjo. Në këtë pikë, ky program është kyç.
Nuk bëhet fjalë thjesht për 11 milionë eurot e para si shumë financiare, por për të gjithë instrumentin dhe mënyrën se si është ndërtuar ai, gjë që do t’i bëjë bashkitë edhe më të angazhuara për të pasur akses në këtë instrument. Kam besim se, me mbështetjen e aktorëve të përfshirë dhe të miqve të GIZ-it, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në ecurinë e pushtetit vendor — jo vetëm si mbështetje financiare e shtetit gjerman, por edhe si burim dijeje — si edhe me angazhimin e ministrit të Pushtetit Vendor, ne mund të bëjmë më të mirën dhe të nxjerrim maksimumin e mundshëm për bashkitë tona”, tha Edi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

