
Kreu i qeverisë Edi Rama, duke folur në Samitin e nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim, u shpreh se vendi jonë ka ende probleme, por se qeveria po punon për t’i zgjidhur.
Në një intervistë me gazetaren Maria Tadeo, Rama foli edhe për protestat në Shqipëri, për të cilat tha se “kishim protestues të dhunshëm dhe, ndryshe nga çdo vend tjetër që u përball me protesta, kishim dyfish më shumë policë të dëmtuar në krahasim me protestuesit. Por në mediat sociale shfaqej ndryshe”.
Drejtuesja e këtij debati, pas komentit të Ramës, tha se nga ana tjetër protestuesit mund të thonë se nuk është njësoj, pasi policia është e armatosur, ndërsa ata jo.
Kësaj pyetje Rama i është përgjigjur me tone humori ose ironie.
“Po më provokon apo e ke seriozisht? Po më provon që të kemi debat mbi interesat?”, iu drejtua Rama gazetares, e cila iu përgjigj se “Jo, po të jap vetëm një shembull…”.
“Ditën që do të mendoj se unë nuk kam nevojë të ndryshoj, atëherë do ta lë këtë punë. Unë dua të ndryshoj. Jeta ime është në ndryshim edhe në shumë aspekte, edhe në martesë. Nuk do t’ju mërzis më me fakte se çfarë po ndryshojmë që kur Flamingot zbritën në shesh dhe ajo që është risi në veprimin e qeverisë, mes të tjerash, duke përdorur AI”, tha Rama.
