Rama del me tezë të re në Londër: Shqipëria pjesë e Unionit edhe pa të drejtë vetoje
Kryeministri Edi Rama ka befasuar me një qëndrim të ri mbi procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria është e gatshme të anëtarësohet në Bashkimin Europian edhe pa të drejtë vetoje në vendimmarrjet e Brukselit.
Deklarata u bë gjatë një paneli ndërkombëtar në Londër me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, ku Rama foli hapur për sfidat dhe pritshmëritë e Tiranës në rrugën drejt anëtarësimit.
Sipas tij, Shqipëria pritet të hapë të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në brenda pak kohësh dhe synon mbylljen e tyre brenda dy viteve, me objektivin që anëtarësimi i plotë të ndodhë deri në vitin 2030.
“Ka një dëshpërim shumë të qartë mes vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht atyre të mëdha, sa i takon barazisë përreth tryezës me 27 anëtarë që duhet të arrijnë konsensus për çdo gjë.
Mund ta imagjinoj që kur të na shohin edhe ne, do thonë: ‘Oh Zot, kemi më shumë nga ata që mund të sjellin telashe’.
Për këtë arsye, ne do të ishim plotësisht dakord të pranohemi si anëtarë pa të drejtë vetoje, për aq kohë sa BE po reformon veten,” tha Rama.
“Të vegjlit nuk marrin vendime, por janë pjesë e suksesit”
Rama theksoi se Shqipëria ndjek plotësisht politikën e jashtme të BE-së, edhe pa qenë ende anëtare, duke përmendur si shembull harmonizimin me qëndrimet e NATO-s.
“Në politikën e jashtme, ne jemi gjithmonë në një linjë me BE-në. Kemi të drejtën të mendojmë ndryshe, por në vendimmarrje jemi krah tyre. Jemi të vegjël dhe nuk na takon të marrim vendime.
Kur ka sukses, jemi pjesë e tij; kur ka dështim, askush nuk mund të na fajësojë,” – u shpreh ai.
Thirrje për një proces më të drejtë financiar ndaj vendeve kandidate
Në vijim të fjalës së tij, Rama kritikoi ndarjen e fondeve europiane, duke theksuar pabarazinë mes vendeve anëtare dhe kandidate.
“Vendet anëtare marrin nga BE-ja rreth 4500 euro për frymë, ndërsa për ne shuma është vetëm 160 deri në 170 euro për frymë. Kjo është e pamundur dhe e padrejtë.
Ne kemi avokatuar për këtë çështje dhe nga kjo nxitje kemi arritur të bindim Brukselin për një plan të ri rritjeje dhe mbështetje shtesë financiare për reformat,” – tha kryeministri.
Një tezë e re në debatin për integrimin europian
Deklarata e Ramës për anëtarësim pa të drejtë vetoje përbën një nga propozimet më të guximshme të viteve të fundit nga një lider ballkanik, duke sinjalizuar gatishmërinë e Tiranës për një model fleksibël integrimi – në një kohë kur BE po diskuton reformimin e vet dhe zgjidhjen e bllokimeve të brendshme.
Ky qëndrim i ri i kryeministrit pritet të ngjallë debat në qarqet politike të vendit dhe në opinionin publik europian, duke ngritur pyetjen nëse Shqipëria do të pranojë një status “anëtari pa veto”, si fazë kalimtare drejt integrimit të plotë.
KOHA JONË SONDAZH

