Rama: Brenda 2028-ës ushtria shqiptare të pajiset plotësisht me mjete “Made in Albania”
Kryeministri Edi Rama ka thënë ditën e sotme se deri në 2028 Shqipëria do të ketë të gjithë kapacitetin ushtarak dhe Forcave të Armatosura nuk do t’u mungojë asgjë, që nga makinat më të lehta deri te armët më të sofistikuara.
“Që nga viti 1992 e deri para se të hynim në këtë fazë, ushtria shqiptare është furnizuar me mjete në mënyrë të fragmentuar: 5 sot, 6 nesër, 3 prisheshin, 2 ishin në mirëmbajtje…
Plani ynë, për të cilin kemi diskutuar edhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, është që deri në vitin 2028 Forcat e Armatosura të kenë të gjitha mjetet e nevojshme, nga automjetet më të lehta deri te armët më të sofistikuara. Nuk do t’u mungojë asnjë automjet me katër rrota dhe do të disponojnë një flotë të madhe mjetesh, sipas standardeve të NATO-s.
Njëkohësisht, ushtria do të pajiset edhe me shumë sisteme të tjera, të cilat kanë nisur të projektohen dhe prodhohen në vend”, tha Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike, të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga kompania “Timak Defence”.
Ndërkohë, Rama foli edhe për një ambicie më të madhe, duke thënë se nuk duhet të çuditemi nëse një ditë Shqipëria do të furnizojë edhe ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me produkte “Made in Albania”.
“Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake dhe mos u çudisni nëse një ditë do të vijmë sërish këtu për të ekspozuar produkte të prodhuara në Shqipëri, të cilat do t’ia furnizojmë edhe ushtrisë amerikane. Përfytyroni një ushtar amerikan me një pajisje ‘Made in Albania’. Kush do ta kishte imagjinuar këtë disa vite më parë? Kjo është Shqipëria tjetër që kemi ndërtuar dhe që do të vazhdojë të japë rezultate dhe produkte të reja”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

