Rama: Do ishte prerje në besë për shqiptarët, nëse nuk do flisja për Kosovën në Serbi

Pas një turi dyditor në kënde më të humbura të Ballkanit, do të thoja unë, si ishte Presheva dhe Lugina, e kishit imagjinuar se do priteshit thuajse me cilësinë e heroit, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, ndërkohë që kjo ishte një vizitë e parafolur dhe e shumëpërfolur?

Jam jashtëzakonisht i emocionuar ende nga pritja, jo vetëm në Preshevë, atë e prisja, por në rrugët e Kosovës, në Shqipëri dhe nga mbështetja e jashtëzakonshme e të gjithëve për një takim që kishte peshën e vet, por që ishte një domosdoshmëri historike në një moment të tillë të Ballkanit, kur për herë të parë po jetojmë në paqe dhe ku jemi të sfiduar që paqes t’i japim gjithë përmbatjen që lidhet me jetën e njerëzve kudo ku ata jetojnë.

Ne gazetarët që ju shoqëruam ju pamë goxha të tensionuar dhe të ngarkuar në fillim, kur hipët në avion dhe kur po mbërrinit në Beograd. E parashikuat një vizitë të vështirë, apo e dinit se çfarë reagimi do të ngjallte deklarata juaj?

Nuk e di se si jam dukur, por ka qenë një natë pa gjumë sepse kemi bërë edhe përgatitjet e fundit deri në detaj dhe ishte një takim që kishte ngarkesën e vet që u bë edhe më e posaçme pas asaj shtyrjes së detyruar të takimit.

Në fakt nuk keni folur shumë për telefonatën që patët me Vuçiç, ku ratë dakord të mos binit dakord për shumë gjëra, por ratë dakord që vizita të shtyhej. Mund të na thoni diçka më tepër pasi ka patur shumë spekulime për këtë telefonatë?

Unë nuk i përflas komunikimet që janë pjesë e punës dhe pjesë e kryerjes së detyrës në raport me homologë, vizitorë të huaj, miq dhe partnerë të Shqipërisë sepse besoj që kjo nuk është etike. Telefonata ka ardhur si rezultat i nevojës për të komunikuar pas një periudhe shumë të ngarkuar ku për fat të keq pala tjetër humbi çdo ekuilibër në adresimin e problematikës të ndeshjes së futbollit dhe sigurisht ka ardhur edhe si rezultat i përpjekjes për të mbajtur një angazhim të marrë kohë më parë, por edhe të lidhur pastaj me Konferencën e Berlinit, ku ky takim ishte i parashikuar dhe i përcaktuar më parë, u konsiderua si një nga elementët kyç në këtë periudhë të parë të procesit të ndërtimit të një paqeje që ja vlen të jetohet.

 

Pra kishte një farë presioni indirekt europian, BE-së apo Gjermanisë që kjo vizitë të bëhej me çdo kusht, apo jo?

Mbi ne nuk ka patur asnjë presion. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe i palëkundur dhe më vjen mirë që pas vizitës, edhe ata që ishin kundër vajtjes në Beograd kuptuan që mosvajtja do të ishte jo vetëm shprehje e një dobësie të panevojshme, por dhe një humbje e madhe e një rasti unikal për të çelur një faqe të re në historinë e dy vendeve dhe për të shkruar së bashku me serbët një kapitull të ri për Ballkanin.

Si ndjeheni pas kësaj vizite, krahasuar me pritshmëritë që kishit?

Ndjehem shumë mirë, por mbi të gjitha dua ta përsëris atë që u mundova të them pa shumë sukses në konferencën e shtypit, pas kthimit dhe nuk di se sa mund të jem në gjendje, por është e vështirë për të përshkruar ndjesinë e brendshme përballë gjithë këtij inkurajimi dhe mbështetjeje në të gjithë trojet e shqiptarëve dhe nga shqiptarët kudo ata jetojnë. E vetmja gjë që mund të them është se ju jam të gjithëve thellësisht mirënjohës dhe do bëj gjithcka është në forcat e mia dhe mundësitë që të jem në lartësinë e këtij privilegji që njerëzit në Shqipëri më kanë dhënë për të qenë Kryeministër i vendit tim. Është një privilegj i rrallë dhe nder që nuk i jepet kujtdo, por rasti i këtij takimi e ka bërë përmasën e këtij nderi brenda meje…e vetmja gjë që mund të them është që gjithcka kam unë do ta vë në dispozicion të këtij vendi dhe të njerëzve të këtij vendi.

Duket paradoksale sepse ndërkohë ju keni marrë kredite politike nga kjo vizitë, e cila politikisht ndoshta nuk ishte e suksesshme, pasi siç e tha edhe vetë Vuçiç Edi Rama humbi mundësinë për të normalizuar marrëdhëniet me ne.

Kjo është çështje këndvështrimesh dhe pas asaj që ndodhi në konferencë, s’kemi pse të presim këndvështrime simetrike për takimin, por fakti që edhe pas konferencës ne vazhduam të komunikojmë dhe fakti që këmbënguljes sonë për t’i dhënë përmbajtje marrëveshjes për rininë, për të mos lënë një marrëveshje me terma të përgjithshme që refuzuam ta firmosim, solli si rezultat vazhdimin e përpjekjes dhe firmosjen e marrëveshjes, tregon që takimi ja ka vlejtur. Njohja e diplomave nga dy vendet është dicka që mund të tingëllojë pa shumë vlerë në veshët e shumëkujt nga prindërit dhe studentët e këtij vendi, këtu në Shqipëri, por pyesni prindërit dhe studentët në Preshevë që do t’u thonë se çfarë rëndësie të madhe ka ky fakt. Ashtu sikundër nesër, gjithmonë e më shumë me intensifikimin e marrëdhënieve, kjo do të jetë e vlefshme për studentët e të dyja anëve sepse me shpresë dhe me punë hapja e ekonomive dhe krijimi i një tregu më të madh do të sjellë një lëvizje shumë më të madhe të burimeve njerëzore dhe do të sjellë edhe një shkëmbim më intensiv të kapitalit njerëzor që do të bëjë që shumë njerëz nuk do të shohin më se çka qenë e shkuara, por pa ngurrim do të përpiqen që të vënë në jetë dijet e tyre, falë diplomave të njohura reciprokisht në vendet respektive.

Ju i bëtë thirrje Serbisë për të njohur Kosovën, jo thjesht përmendet Kosovën?

Në këndvështrimin tim thirrja ndaj Serbisë është ndihmë për Serbinë, nuk është provokim. Sa më shpejt ta njohin aq më shpejt do të çlirohen nga një hije që i ndjek pas dhe që siç e patë ua merr frymën kur u del përpara. Besoj se edhe ata vetë janë të vetëdijshëm që ky është një proces i pakthyeshëm, por kapërcimi i vetvetes kërkon një kurajo që në rastin e tyre është e jashtëzakonshme dhe që ende nuk e kanë gjetur. Unë nuk u ndjeva i provokuar, por i keqardhur nga reagimi i Kryeministri serb dhe siç e thashë edhe aty, në rast se në Tiranë kryeministri serb do të thoshte që ne nuk e njohim Kosovën, sërish nuk do ndjehesha i provokuar, por i keqardhur. Por kjo nuk do më pengojë që të jem i mirësjellshëm dhe të bëj përpjekje që ta çojmë përpara këtë marrëdhënie me Serbinë sepse është në interes reciprok. Ka interes Shqipëria dhe ne që të çojmë përpara këto marrëdhënie pa harruar se cfarë na ndan, por të vetdijshëm se cfarë na bashkon në funksion të transformimit rrënjësor dhe kapërcimit përfundimtar të një periudhe izolimi dhe varfërie dhe prapambetjeje kronike në Ballkan dhe krijimit të kushteve për të qenë të njëzëshëm ndaj Europës që e ka të pamundur të mos jetë cinike kur na sheh si ballkanas që gjithë jetën kemi bërë luftra e sherre. Jemi ne që duhet ta ndryshojmë këtë për të qenë dinjitoz dhe për të kërkuar reciprocitet BE-së. BE s’mund të na trajtojë ne si një shtojcë e bezdisshme dhe s’mund ta shtyjë pafundësisht ditën kur duhet të na marrë edhe në brenda mureve të shtëpisë së vet sepse ne jemi Europë. Si të tillë duhet të sillemi dhe si të tillë duhet të veprojmë që të jemi të besueshëm.

Reagimet e para të fjalëve të Vuçiç në konferencën për shtyp, linin të kuptohej se ai ndjehej jo vetëm i provokuar, por edhe i fyer, gati-gati si i prerë në besë. A ishte Kosova pjesë e bisedës kokë më kokë për gati 1 orë që ju patët me të?

Dikush ma bëri këtë pyetje dhe citoi kryeministrin serb të prerë në besë. Unë di që besa është një institucion shqiptar, nuk e di që e kanë edhe serbët. As kemi dhënë ndonjë besë, as mora besë kështu që nuk preva njeri në besë. Do ishte prerje në besë e shqiptarëve që unë në Beograd të mos bëja atë apel që bëra dhe është shumë e habitshme kjo pjesa që ata ndjehen të provokuar dhe po ta shikojmë është një institucion viktimologjie që serbët e kanë ngritur ndër vite. Kanë folur si të provokuar edhe kur bënin hatara, ndjehen të provokuar kur shikojnë një flamur, kur shikojnë një zog, kur shikojnë kryeministrin e një vendi tjetër që thotë atë që mendon. Unë besoj që koha e provokimeve ka mbaruar dhe këto sjellje i përkasin të shkuarës.

Pas konferencës ju vazhduat me një pjesë të delegacionit, hëngrët drekë bashkë. Na thoni diçka më shumë se më thanë që gjërat ishin qetësuar andej nga fundi?

Nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë prova që nuk është e pamundur që të diskutojmë në çështje konkrete edhe pasi ndodh ajo që ndodhi që për serbët u pa dhe u jetua si një hata e madhe, ndërsa për mua është absolutisht bërja e detyrës nga ana ime dhe thënia e një të vërtete që edhe kur dhemb bën mirë. E vërteta është një ilaci i hidhur, por shëron, gënjeshtra e ëmbël por të sëmur.

Politika është edhe arti i aktrimit publik. Kush aktroi më shumë atë ditë? Shikoja që qeshnit sa më shumë, Vuçiç nxehej dhe përmendte fjalën provokim.

Ju siguroj që nuk kam patur asnjë sekondë në vëmendje se si jam dukur, por kam qenë i përqendruar për të bërë gjënë e duhur.

Nuk kemi patur asnjë reagim të Bashës, ka patur reagime të tjera, por ka patur edhe një reagim të Patozit i cili ka vlerësuar vizitën tuaj dhe rezultatin e saj të paqortueshëm, por ka bërë thirrje që nuk duhet t’i kërkohet opozitës të duartrokasë në një rast të tillë?

 

S’di t’i kem kërkuar opozitës të duartrokasë dhe nuk dua të hyj në këto komente sepse besoj që ky nuk është rasti për të përfshirë opozitën në bisedë në formën e shprehjes së pakënaqësisë ndaj saj. Përpiqem që opozita të shihet nga të gjithë ne në të drejtën e vet për të bërë punën e vet kur flet, pavarësisht se flet më shumë marrëzira se çdo të mund të pranoheshin, në këtë rast posaçërisht nuk kam dëshirë të komentoj. S’është aspak e bukur që të vetmet gazeta që hidhnin baltë mbi Kryeministrin e Shqipërisë për vizitën në Beograd dhe për atë që ndodhi atë ditë, ishin gazetat e Serbisë dhe gazeta e PD. Ka 1001 arsye për të kritikuar qeverinë, ka 1001 mundësi për të thënë gjithë të zezat për qeverinë, po jo kjo. Paraardhësi im e di shumë mirë që kur shkohet në një vend tjetër garda e vendit del për të të nderuar mikun qe vjen dhe garda është përfaqësia e parë ushtarake në protokoll dhe nuk del me flamurin e vendit tjetër, del me flamurin e vet. Të thuash tani që ky ishte poshtërim që iu bë Kryeministri shqiptar, si ta marrim këtë?! Unë nuk dua që të besoj dot që ai e thotë këtë sepse kështu dëshiron të jetë, unë them që nga mosha, lodhja, rrjedhja ka harruar që kjo është normë. Të gjithë do të plakemi dhe mos e dhëntë Zoti që të plakemi keq siç po i ndodh atij, por edhe mund të ndodhë. Mirë është që pleqt t’i shikojmë me respekt edhe kur bëjnë budallallëqe si në këtë rast.

Ka patur reagime nga partnerët tanë ndërkombëtarë?

Jo. Ka patur reagime që janë bërë publike që janë përshtypje e partnerëve tanë për vizitën. 

SHKARKO APP