Rama: Do të takohem me ish-Presidentin Thaçi. I vetmi faj i tij, mori armën për të mbrojtur lirinë
Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me gjyqin ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë dhe ka njoftuar se do të shkojë në Hagë për të takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Rama shprehet se shkeljet e standardeve dhe të drejtave të njeriut, normave të procesit gjyqësor janë e vetmja normë që ka karakterizuar farsën, ku Thaçi dhe 3 ish-krerët e UÇK-së, mbahen në qeli.
“Jam rrugës për në Hagë, ku do të takoj komandantin e ushtrisë çlirimtare, presidentin e Republikë së Kosovës që u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare dhe për turpin e madh të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor, janë e vetmja normë që kanë karakterizuar këtë farsë, ku ende pa i dënuar një president i zgjedhur në mënyrë demokratike së bashku me 3 bashkëluftëtarë që kanë mbuluar nga detyra me të rëndësishme në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur, të izoluar. I vetmi faj i tyre ishte se morën armën për të mbrojtur lirinë, të drejtën e tyre njerëzore, të drejtën e pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë, jo si një grup social i përdhunuar. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush, e jo më një çekiç absurd që ka lënë kokrrën e namit. Tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudo-provave të akuzës dhe parada e dëshmitarëve qesharakë dhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes pritet vendimi. Uroj që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

