Rama: Furtuna ndaj qeverisë, nga që po prekim interesa të mëdha
Kryeministri Edi Rama ka komentuar dje akuzat që i janë bërë mazhoranës gjatë ditëve të fundit, kryesisht në fushën e rendit dhe atë të shëndetësisë. Nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale shkruan se është ngritur një furtunë në gotë për të gjitha ngjarjet e fundit në vend. “E patë se si u ngrit një furtunë në gotë me një video nga QSUT që tani na del se qenka e manipuluar?!” E patë se si u ngrit një furtunë në gotë për një truprojë ministri që u tha “bënte lek me punësime” dhe pastaj na doli se s’kishte punësuar dot askënd, por kishte humbur edhe punën e vet për të shkuar para drejtësisë? E patë se si u ngrit një furtunë në gotë për një “luftëtare” kundër korrupsionit që u tha se e larguam ngaqë u trembëm prej heroizmit të saj dhe pastaj na doli se qenka një abuzuese e paepur me ligjin e me detyrën shtetërore?!”, tha Rama. Ai u shpreh se e njëjta situatë do të ndodh me dhe me akuzat që bëhen për ngjarjet kriminale në Tiranë, ku mbeti një person i vdekur dhe tre të tjerë u plagosën. “Shumë shpejt do ta shihni edhe se si, po njësoj, në gotë është ngritur dhe furtuna mbi ngjarjet e fundit kriminale në Tiranë. Vetëm pak durim, sepse në këtë rast ka një hetim që kërkon kohën e vet”, tha Rama. Kryeministri shprehet se fakti që po sulmohet mazhoranca dhe qeverisja lidhet me reformat që po ndërmerren.
“Po bëjmë reforma të thella. Po lëvizim ujëra të ndenjura e të qelbur prej vitesh. Po prekim interesa të mëdha dhe struktura të konsoliduara prej kohësh për së prapthi. Natyrshëm kundërshtarët politikë po dalin edhe më shumë nga binarët e arsyes. Natyrshëm kundërshtarët mediatikë po hidhen edhe më lart përpjetë se zakonisht për ta bërë tra çdo qime. Krejt natyrshëm po krijohen edhe pakënaqësi mes atyre që u është prishur një mënyrë e caktuar bashkëjetese me shtetin e me ligjin, apo mes atyre qe pas njëzet vjet zhgënjimesh i duan gjërat të zgjidhen të gjitha me shkopin magjik”,- tha ai. Kryeministri shprehet se “ne nuk qeverisim për pushtetin tonë, por e kemi vënë pushtetin në shërbim te interesave të kombit tonë, të vendit, të njerëzve të këtij vendi. Të fëmijëve të Shqipërisë në radhë të parë”. Kryeministri shprehet se qeveria do të reagoj menjëherë pas çdo abuzimi dhe shkelje, ndërsa ftoi opinionin që ti marrë me rezerva lajmet e pakonfirmuara. “Prandaj, dy gjëra janë të qarta: 1. Qeveria reagon menjëherë ndaj çdo krimi, abuzimi e shkeljeje dhe shteti në tërësi ka filluar të reagojë pas shumë vitesh paralize. 2. Lajmet e furtunave që përhapen në forma deri edhe histerike duke i përfshirë shikuesit, dëgjuesit, lexuesit në vorbulla të ngritura pa analizuar e verifikuar faktet e pretenduara, duhen marrë me shumë rezervë. Kurajo, Shqipëria po rilind dhe siç nuk ka lindje pa dhimbje as rilindje pa sakrifica e vështirësi nuk mund të ketë!”, përfundon postimin e tij Kryeministri Edi Rama”,- tha Rama.