
PS synon të intensifikojë komunikimin me qytetarët dhe të mbrojë politikat për buxhetin e vitit 2027. Në fokus janë kufizimi i tubimeve, dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara dhe rikthimi i projektligjit për sponsorizimet. Kryeministri Edi Rama dorëheqjen nuk e jep, dhe ka orientuar strukturat socialiste të shtojnë angazhimin në terren dhe të kundërshtojnë argumentet e protestuesve përmes një fushate më intensive komunikimi me publikun.
Rama ka përcaktuar detyrat e mazhorancës për t’iu përgjigjur situatës së krijuar, duke kërkuar që socialistët të mos kufizohen vetëm te komunikimi në rrjetet sociale, por të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me qytetarët. Një nga pikat kryesore të kësaj strategjie do të jetë prezantimi i buxhetit të vitit 2027 dhe i paketës së strehimit. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste pritet të shpjegojnë se si fondet publike do të përdoren për të mbështetur shtresat më në nevojë dhe për të financuar politikat sociale të qeverisë.
Plani parashikon edhe dëmshpërblimin e bizneseve që kanë pësuar dëme gjatë protestave, me fonde nga buxheti i vitit të ardhshëm. Një tjetër çështje që pritet të shoqërojë këtë aksion politik është paketa e masave për protestat. Një nga propozimet që pritet të marrë fuqi është kufizimi i tubimeve në një afat deri në 72 orë. Masa parashikohet të miratohet përmes një akti normativ në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Mazhoranca do të vijojë punën për miratimin e legjislacionit të nevojshëm në kuadër të integrimit europian, por në axhendë do të rikthehet projektligji për sponsorizimet. Nisma synon të përcaktojë parimet dhe procedurat për sponsorizimin e veprimtarive me interes publik në Shqipëri.
Kështu qeveria synon të forcojë argumentet e saj përballë protestave, duke kombinuar promovimin e politikave ekonomike dhe sociale me masa të reja që lidhen me organizimin e tubimeve dhe funksionimin e kuadrit ligjor.
