
Avokati Spartak Ngjela thotë se mungesa e mobilizimit të vazhdueshëm në qytetet e tjera të vendit është një nga arsyet që kryeministri Edi Rama nuk ndihet i kërcënuar nga lëvizja protestuese. “Ndryshimi politik do zinxhir racional dhe jo shkëputje. Çfarë po ndodh këtu? Pse është i qetë Rama? Se nuk ka protesta zinxhir në Durrës, Shkodër, Gjirokastër,….”, tha Ngjela.
Avokati u ndal edhe te roli i ndërkombëtarëve, duke theksuar se protestat paqësore janë pjesë e demokracisë dhe nuk përbëjnë arsye për kundërshtimin e lëvizjes qytetare. Sipas tij, situata do të ndryshonte nëse demonstratat do të shoqëroheshin me akte dhune.
“Faktori ndërkombëtar nuk del kundër demokracisë. Ata thonë kundër dhunës sepse do të detyrohen të godasin lëvizjen. Po nuk ka dhunë, ata janë me revoltën dhe demonstratat sepse është filozofia e tyre. Në rast se këtu krijohet dhunë, ata dalin menjëherë kundër”, u shpreh Ngjela në ”Report TV”.
Për të përdorimi i dhunës nga ana e qeverisë për të shpërndarë protestuesit mund të krijonte pasoja të vështira politike për kryeministrin. Sipas tij, një ndërhyrje e tillë do ta vendoste Ramën në një pozicion më të ndërlikuar, ndonëse avokati nuk pret që kryeministri të zgjedhë këtë rrugë. “Në qoftë se partia apo qeveria i shpërndan me dhunë, Rama do ta ketë të vështirë. Por nuk e bën Rama këtë”, përfundoi Ngjela.
