Rama inspekton punimet në Durrës: Parkimi me 353 vende, shëtitorja gati në maj të këtij viti
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me inspektimet e disa projekteve të rëndësishme urbanistike në qytetin e Durrësit. Ai u ndal në parkimin e ri pranë Stacionit të Trenit, ku ka përfunduar puna për projektin e godinës publike me 7 kate, e cila furnizohet me energji diellore dhe do të funksionojë si një qendër multimodale, ku krahas hapësirës me 353 vende parkimi ofrohen edhe funksione të tjera në shërbim të komunitetit.
“Ka përfunduar puna për projektin e godinës së parkimit të ri publik pranë Stacionit të Trenit, një vepër e bukur publike, që furnizohet me energji diellore e do të funksionojë si një qendër multimodale, ku krahas 353 vendeve të parkimi për makinat dhe një stacioni biçikletash, janë krijuar hapësirat për funksione të tjera në shërbim të komunitetit, si hapësira për studentët apo sipërmarrësit e rinj në fushën e teknologjisë, si edhe aktivitete të tjera social-kulturore”, tha Rama.
Nga ana tjetër Rama pa edhe punimet në kantierin e shëtitores “Taulantia”, ku po vijon puna për transformimin e saj në një hapësirë funksionale për të gjithë qytetarët dhe vizitorët. Shëtitorja e cila parashikohet të përfundojë në maj të këtij viti do të kompletohet me terrene të gjelbëruara, sistem ndriçimi, korsi të posaçme për këmbësorët dhe biçikletat, kënde e fusha sportive, të gjitha në funksion të turizmit.
KOHA JONË SONDAZH




