Rama: Ishulli i Sazanit nuk shitet se as nuk e kanë kërkuar dhe nuk jepet as me qera
Në fjalën për festën e 35-vjetorin e PS-së, kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama, ndër të tjera tha edhe se ishulli i Sazanit nuk shitet apo që të jepet me qera. Deklarata vjen në një kohë kur ka protesta masive të përditshme mbi zhvillimin turistik apo përdorimin e ishujve dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri. Sazani mbetet një nga zonat më të veçanta të bregdetit shqiptar, me rëndësi strategjike dhe mjedisore, dhe aktualisht është nën administrim shtetëror.
Nga ana tjetër, Rama bëri me dije se ishte qeveria e tij që hartoi për herë të parë ligjin e zonave të mbrojtura, dhe se 25% e territorit sot është zonë e mbrojtur, ndërsa theksoi se kanë anuluar 40 kontrata hidrocentralesh për të mbrojtur Vjosën, e cila sot është e shpallur Park Kombëtar.
“Flitet për zonat e mbrojtura. Ajo që nuk është aspak e mirë është fakti që ngatërrohen gjërat. Ligjin e parë për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e PS-së në mandatin tonë të parë. Deri në vitin 2017, Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojtura. Ishim ne që, gjatë mandatit të dytë dhe të tretë, e kemi çuar në 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur. Ishim ne që krijuam Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me administratë në të gjithë territorin për zonat e mbrojtura, me 12 parqe kombëtare, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 700 monumente natyre. Ishim ne që bllokuam lejet e dhëna mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm mbi lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve.
Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, bashkë me degët e veta, në një sipërfaqe prej plot 12 mijë hektarësh, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Në Greqinë fqinje dhe mike, ku ndodhen 17 kilometrat e para të Vjosës, nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Europë mbrojtja që i kemi dhënë ne”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

