Rama: Kemi rënë dakord të mbyllim detyrat deri në 2027. BE e paparashikueshme
Kryeministri Edi Rama foli në Berlin të Gjermanisë për procesin e integrimit të Shqipërisë. Rama tha se synimi për të qenë pjesë e Unionit deri në vitin 2030 nuk është një dëshirë, por një agjendë e dakordësuar me BE. Rama thotë se “deri në 2027 duhet të mbyllim të gjitha detyrat e shtëpisë”.
“Kemi rënë dakord për një kalendar. Kalendari nënkupton që për të gjitha detyrat e shtëpisë që duhet të bëjmë për të arritur anëtarësimin me të drejta të plota, na duhet të vazhdojmë nga tani deri në 2027 dhe t’i mbyllim kapitujt. Është sfidë, por nëse ecim në përputhje me kalendarin atëherë ana e tyre e marrëveshjes është se ata do ti quajnë të mbyllura negociatat dhe do t’u kërkojnë shteteve anëtare t’i ratifikojnë, kemi parashikuar edhe 2 vite të tjera. Ja pse kam thënë 2030, bazuar në këtë marrëveshje, nuk është një gjë që thjesht e dëshirojmë”, tha Rama.
Por nga ana tjetër, Rama theksoi se BE është e paparashikueshme, pasi është një pacient me 27 mjekë.
“Ndikimi i një trysnie shumë të lartë që vjen prej agresionit rus, por jo vetëm, por në përgjithësi nga ndryshimet e mëdha në botë, është i tillë që e mban BE shumë të përqendruar në këtë aspekt, por me BE nuk i dihet kurrë, nuk është një bishë e parashikueshme, mund të ndryshojë, se nuk është një vend. Është një asamble 27-ëshe, është një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë dhe kjo e ndërlikon edhe më shumë, se ju duhet që në çdo moment të bien dakord për çdo gjë, kështu që tragjikisht optimist, është pozita më e mirë për të qëndruar”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

