Rama: “Vijojmë punën” për lirimin e hapësirave publike që i paraprin zbatimit të programit të ri “Rilindja Urbane 2.0”
Puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme po vijon me ritëm të pandalur në të gjithë vendin, si pjesë e përpjekjes së përbashkët për të rikthyer rendin urban dhe dinjitetin e mjedisit të përbashkët. Aksioni nuk është më një ndërhyrje sporadike, por një proces i strukturuar, që i paraprin zbatimit të programit të ri “Rilindja Urbane 2.0”, nismë e konceptuar për të rikthyer ligjshmërinë, për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm dhe për të garantuar standarde moderne në shfrytëzimin e territorit.
“Vijojmë punën”, shkroi sot Kryeministri Edi Rama, teksa ndau pamje nga terreni, ku inspektimet për shembjen e lavazheve, lokaleve dhe ndërtesave të ngritura pa leje në hapësirat publike kanë hyrë në një fazë vendimtare. Qeveria shqiptare ka rritur ndjeshëm masat për kontrollin e territorit, duke synuar të mbrojë hapësirat që u takojnë qytetarëve, të forcojë zbatimin e lejeve të ndërtimit dhe të ndërshkojë çdo shkelje që dëmton peizazhin urban dhe jetën e komunitetit.
Kontribut të rëndësishëm në këtë proces po japin edhe vetë qytetarët, të cilët përmes platformës “Hapësira ime publike” kanë raportuar deri tani 15 731 raste abuzimesh. Nga këto, 12 006 janë adresuar dhe zgjidhur, ndërsa 3 725 raste të tjera janë aktualisht në fazë shqyrtimi. Kjo ndërthurje e mekanizmave të kontrollit institucional me vëzhgimin qytetar po krijon një model të ri bashkëpunimi për mbrojtjen e hapësirave të përbashkëta.
Lirimi i trotuareve, shesheve, plazheve dhe hapësirave të tjera publike është thelbësor jo vetëm për rritjen e cilësisë së jetës urbane, por edhe për funksionalitetin e vetë bizneseve, të cilat duhet të operojnë në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit. Ky standard nuk synon vetëm zonat turistike, por çdo cep të Shqipërisë ku dinamika e zhvillimit kërkon rregull, qartësi dhe respekt për hapësirën e përbashkët.
Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar hartimin e një Rregulloreje Kombëtare, e cila do të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të detajuar se cilat hapësira mund të shfrytëzohen nga bizneset dhe cilat jo, duke eliminuar çdo paqartësi dhe duke vendosur një standard të vetëm për të gjithë territorin.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike dhe afatgjatë, e jo si një aksion i përkohshëm, kjo nismë që nisi zyrtarisht zbatimin në muajin korrik po shtrihet me prioritet në të gjithë vendin. Objektivi final është i qartë: një Shqipëri më e rregullt, më e aksesueshme dhe më e drejtë në shpërndarjen dhe përdorimin e hapësirave publike – aty ku ligji, zhvillimi dhe interesi qytetar ecin paralelisht.
KOHA JONË SONDAZH

