Rama: Kosova është shtet i pavarur, nuk i tregojmë askujt se si duhet të qeverisë
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria respekton plotësisht pavarësinë institucionale të Kosovës dhe nuk ndërhyn në vendimmarrjen politike të saj, duke theksuar se çdo shtet në rajon duhet të ndjekë rrugën e vet.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinj në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026” në Jalë, Rama iu përgjigj një pyetjeje të një studenteje nga Shkupi lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Kreu i qeverisë tha se që në fillim të mandatit të tij ka vendosur si parim të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve fqinje.
“Unë qysh në krye të herës e kam pasur vijën time të kuqe. Nuk bëj ‘babën’ e askujt që ka shtëpinë e vet. Kosova ka kryeministrin e saj dhe institucionet e saj. Ka pasur një kohë kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çfarë duhej të bënte, madje edhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ato kanë qenë vite të politikës së jashtme të karakterizuara nga injoranca dhe kanë sjellë vetëm dëme”, u shpreh Rama.
Duke folur për raportin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama tha se mes tyre ekziston respekt i ndërsjellë, pavarësisht dallimeve në qasjet politike.
“Albinin e takoj gjithmonë me shumë kënaqësi. Na ecën muhabeti shumë mirë dhe bëjmë edhe humor me njëri-tjetrin. Por secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet dhe mënyrën e vet të të vepruarit. Fatmirësisht kemi të njëjtat qëllime, ndërsa metodat janë të ndryshme. Jemi dy njerëz të ndryshëm dhe kjo nuk përbën asnjë problem”, deklaroi kryeministri.
KOHA JONË SONDAZH

