Rama: Më 14 korrik mbyllim tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, duke mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian më 14 korrik.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në kampin Rin Camp 2026, kreu i qeverisë u ndal te ecuria e negociatave me BE-në, duke theksuar se vendi ka arritur të hapë të gjithë kapitujt në një kohë rekord falë përgatitjeve të bëra ndër vite.
Rama kujtoi se Shqipërisë i ishte refuzuar tre herë hapja e negociatave, edhe pse Komisioni Europian kishte dhënë rekomandim pozitiv.
“Marrëdhëniet tona me Holandën, që kanë qenë më të vështirat me vendet anëtare të BE-së, ndryshuan tërësisht pas një ndeshjeje në Romë mes Feyenoordit dhe Romës. Mijëra tifozë dhe gazetarë erdhën në Shqipëri dhe panë nga afër realitetin, duke kuptuar se vendi ynë nuk ishte ai që përshkruhej si vend i drogës dhe kriminalitetit”, u shpreh ai.
Kryeministri bëri të ditur se në ditët në vijim do të udhëtojë fillimisht në Paris për të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar, ndërsa më pas do të jetë në Bruksel, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave.
“I hapëm të gjithë kapitujt në kohë rekord, sepse ishim përgatitur dhe tani do të nisim mbylljen e tyre. Tre kapitujt e parë i mbyllim më 14 korrik. Kjo është ‘beso dhe kontrollo’”, tha Rama.
Duke e cilësuar integrimin europian si objektivin kryesor të mazhorancës, kryeministri theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është misioni historik i Partisë Socialiste dhe i qeverisë që ai drejton.
“Ky është misioni i PS-së dhe misioni im. E kam besuar që kur dukej e pamundur, ndërsa sot mbërritja duket me sy. Nëse kjo realizohet, historia do të sillet shumë mirë me ne”, përfundoi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

