Rama në gjimnazin historik ”Partizani”: Kamerat inteligjente rrisin sigurinë, sistemi do të zgjerohet në të gjithë vendin
Përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor kanë hyrë në fazën përfundimtare në të gjithë shkollat e vendit, ndërkohë që një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të sigurisë në shkolla përmes teknologjisë inteligjente. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot gjimnazin historik ”Partizani”, së bashku me Ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ku u njoh nga afër me përgatitjet për vitin e ri mësimor, kushtet e krijuara në shkollë dhe zbatimin e projektit “Smart City”, pjesë e të cilit janë edhe kamerat inteligjente për rritjen e sigurisë në mjediset shkollore. Gjimnazi “Partizani”, me një traditë që prej vitit 1964, është rikonstruktuar dhe rinovuar në vitin 2023 dhe sot ofron ambiente e kushte bashkëkohore për rreth 600 nxënës e mësues. Shkolla është ndër 20 institucionet arsimore, ku ka nisur zbatimi i sistemit të kamerave inteligjente, të vendosura në mjediset e përbashkëta.
Rama u njoh me mënyrën e funksionimit të sistemit, i cili mundëson monitorimin në kohë reale të mjediseve të përbashkëta dhe sinjalizimin e situatave që kërkojnë vëmendje. Pamjet janë të lidhura online me Qendrën Kombëtare të Monitorimit dhe Policinë e Shtetit, ndërsa aksesi në to kryhet sipas një protokolli të përcaktuar, duke përfshirë drejtuesin e shkollës, punonjësin e autorizuar të sigurisë dhe prindërit, në rastet kur kanë nevojë për të parë një situatë të caktuar. ”Jemi shumë të nderuar që i jemi bashkuar projektit “Smart City”. Kemi afërsisht 30 kamera të vendosura, në ambientet e përbashkëta. Në klasat mësimore nuk kemi kamera dhe pjesën tjetër teknike do ta shohim më lart”,-u shpreh drejtuesja e këtij gjimnazi.
Rama e cilësoi kalimin nga kamerat tradicionale te një gjeneratë e re kamerash inteligjente si një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë në shkolla, ndërsa theksoi se sistemi, jo vetëm regjistron pamjet, por sinjalizon në kohë reale situata të caktuara, duke u krijuar drejtuesve të shkollave dhe punonjësve të sigurisë një mjet të rëndësishëm për reagim më të shpejtë.
”Po kalojmë nga një gjeneratë kamerash të vjetra, të cilat ndihmonin deri në një farë mase ishin krejtësisht të pamjaftueshme për të ndjekur situatat në kohë reale dhe për të pasur një pamje të qartë të vijës së sjelljes në tërësi në mjedisin e përbashkët, – tek një gjeneratë e re e kamerash që i krijon siguri shumë më të madhe shkollës në administrimin e gjithë jetës së brendshme në mjediset e përbashkëta, jo klasa dhe nga ana tjetër i jep prindërve mundësinë që të kenë në kohë reale sa herë që ata duan një pamje të çdo situate, ku është i përfshirë fëmija i tyre. Klasat nuk do kenë kamera. Unë personalisht do doja që të kishte dhe në klasë pasi ne e kemi parë shembullin kur kjo përdoret në klasë sesa shumë ndihmon për rregullin, sesa shumë ndihmon kundër kopjes, se sa shumë ndihmon për ndërveprimin mes fëmijëve, por duke qenë se këtu ka një kufizim të qartë të bërë për sa i përket të vendeve të Bashkimit Europian, ne nuk do luftojmë me këtë kufizim.
Në rast se pastaj prindërit do ta duan, do kërkojnë një ditë të bukur këtë gjë, do e shohim, por ne nuk kemi këtë qëllim. Domethënë këtu jemi në kushtet kur garantojmë një pamje në kohë reale të të gjithë mjediseve të përbashkëta, ku garantojmë një aleat shumë të fortë të punonjësve të sigurisë dhe të drejtuesve të shkollave sepse me këto kamera në kohë reale mund të shikohet çdo lloj personi që mund të vijë nga jashtë, që mund t’i shpëtojë syrit të punonjësit të sigurisë. Mund të shikohet çdo lloj veprimi që mund të bëhet i dyshimtë, mjediset e shkollës. Është absolutisht e pamundur më që të pish duhan pa u detektuar. Pra ky është një sistem për të cilin ne kemi punuar shumë”,-u shpreh kryeministri Rama.
Sistemi inteligjent është në gjendje të identifikojë dhe të sinjalizojë sjellje të caktuara, duke shërbyer si një mekanizëm parandalues dhe duke ndihmuar stafet e sigurisë, drejtuesit e shkollave, mësuesit, psikologët dhe punonjësit socialë në administrimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë në mjediset shkollore. Kryeministri theksoi se zgjerimi i sistemit synon të sjellë më shumë siguri dhe qetësi për nxënësit, prindërit dhe stafet e shkollave.
”Ne jemi shumë të inkurajuar nga kjo. Janë 20 shkolla, do vazhdojmë t’i shtojmë. Kemi zgjedhur shkollat më të populluara dhe ku ka nevojë edhe për të bërë një lloj raporti mbi këtë projekt që mbas x muajsh të marrin mbresat e mësuesve, të prindërve etj . Edhe jemi absolutisht të bindur që kjo pasi të kalojë, për disa, se lavdi Zotit si ka ngjitur të gjithëve dhe ky dezinformimi, pasi të kalojë për disa, ky momenti i dyshimit, të gjithë do ndjehen shumë më të qetë me dërgimin e fëmijëve nëpër shkolla”,-tha Rama.
Një tjetër masë e ndërmarrë për nisjen e vitit të ri shkollor lidhet me komunikimin me prindërit dhe nxënësit. Dita e parë e shkollës do t’i dedikohet komunikimit dhe njohjes me njëri-tjetrin, me synim që prindërit dhe nxënësit të marrin informacionin dhe shpjegimet e nevojshme drejtpërdrejt në mjediset e shkollës nga drejtuesit dhe mësuesit. Këtë vit, 42 shkolla dhe terrene sportive të rehabilituara do të hapin dyert për nxënësit në të gjithë vendin, ndërsa projekti i kamerave inteligjente do të vijojë të zgjerohet, me synim shtrirjen e tij gradualisht në shkolla të tjera.
KOHA JONË SONDAZH









