Rama: Nëse Shqipëria do të ishte lavatriçe e parave të pista, BE nuk do të hapte negociatat
Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se Shqipëria është një vend ku pastrohen para të pista, duke thënë se një gjë e tillë do ta kishte penguar vendin të avanconte në procesin e Integrimit Europian. ”Diskutojmë që këtu ka një lavatriçe parash të pista, por kush do të na linte ne të vazhdonim të mbyllnim kapitujt me Bashkimin Europian? Vetëm ideja që kjo mund të ishte e vërtetë do të kishte stopuar çdo gjë dhe do të ishim bërë objektiv i institucioneve të huaja”, deklaroi Rama.
Për të sistemi ka krijuar tashmë mekanizma të rinj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ndërsa SPAK është pjesë e këtij transformimi. “Risia është se sistemi ka prodhuar mekanizma të rinj dhe SPAK është pjesë e sistemit. Sistemi po lufton, sepse deri dje nuk luftonte. Nuk kishte balancat e brendshme për të garantuar imunitetin e vet, ndërsa sot lufton”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se zbulimi i rasteve të trafikut të parave të pista nuk është provë e ekzistencës së një “narkoshteti”, por dëshmi se institucionet po funksionojnë. ”Fakti që kapet një rrjet që ka sjellë para të pista është historik për të treguar rritjen e nivelit të imunitetit të sistemit, por nuk tregon se kjo është vetëm një detaj i vogël në majën e një narkoshteti. Kjo tregon që po goditen trafiqet, rrjetet dhe korrupsioni”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

