Rama: Ngjarjet kriminale po hetohen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje në rrjetin social, Facebook mbi ngjarjet e fundit në vend. Ai ka folur për videoskandalin në spital, ryshfetet e truprojës së ministres së Arsimit, si dhe përplasjet e bandave në mes të Tiranës. Kryeministri tha se në çdo rast shteti tregoi gatishmëri dhe reagoi në kohë reale. Lidhur me akuzat e Partisë Demokratike, Rama shprehet se përgjigja më e mirë janë shifrat nga puna e Policisë së Shtetit. “Videoja e xhiruar në mjediset e QSUT? E turpshme dhe e dënueshme! Reagimi i shtetit i menjëhershëm. Autorët po vihen përpara përgjegjësisë penale. Rasti i truprojës së ministres që kërkoi ryshfet për të emëruar një mësues? I turpshëm dhe i dënueshëm. Reagimi i shtetit i menjëhershëm. Autori i larguar brenda orës nga ministrja dhe pastaj edhe nga Garda e Republikës. Sot përpara përgjegjësisë penale”,- tha Rama. Kryeministri ka vlerësuar reagimin e Policisë së Shtetit. “Ngjarjet kriminale në Tiranë? Pa asnjë dyshim reagimi i shtetit ishte përsëri i menjëhershëm. Por ndryshe nga dy rastet e mësipërme, kërkohen hetime, prova, dëshmi e me radhë, gjëra për të cilat Policia e Prokuroria po bashkëpunojnë papushim”,- tha ai. Ndërsa ka shtuar se aludimet e PD-së janë shpifje që hedhin baltë mbi punën e Policisë së Shtetit. “Të turpshme të gjitha aludimet e shtrembërimet mediatike dhe lëre pastaj shpifjet monstruoze të PD! Përpjekja për të bindur opinionin se krimi po bën kërdinë deri dhe në mes të Tiranës, përveçse me gjendjen e pashpresë të PD lidhet në fakt, drejtpërdrejt, edhe me arritjet serioze të Policisë së Shtetit. Flasin shifrat, flet puna, flet rritja e respektit të qytetarëve për uniformat blu”,- tha Rama. Sipas tij, “ngjarje të rënda apo të shëmtuara, krimesh apo korrupsioni, ka pasur e do të ketë, në Shqipëri si në çdo vend të Europës. Por ajo që ka rëndësi është reagimi i shtetit, rritja e zbulueshmërisë dhe ndëshkueshmërisë”. Pas deklaratave të Ramës nuk  ka vonuar reagimi i kreut të opozitës. “U bëmë si në vendet e humbura të Amerikës Latine, atentate, vrasje dhe pushtetarë të pafytyrë që luajnë në të dyja krahët”,- shkruan Basha. Kreu i PD-së shprehet se “kjo është qeveria e standardeve të dyfishta, por burgun e paska për popullin, jo për bandat. Bandat që shëtisin me antitank, kapen dhe lirohen. A mund të lirohet dikush pa u bërë ekspertiza e armëve të gjetura?- ka ngritur pikëpyetjen kryedemokrati duke theksuar në përfundim se “organizatat kriminale kontrollojne sot qeverinë, ministrat dhe pjesë të organeve të rendit. Krimi ka kapur shtetin.”

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?