Rama ofron pamje europiane të Tiranës së lirive të barabarta e shijeve të ndryshme për kohën e lirë
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale një video nga protesta e zhvilluar pasditen e djeshme kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, duke e shoqëruar me një koment që e paraqet skenën si dëshmi të bashkëjetesës së lirive qytetare në kryeqytet.
Pamjet tregojnë protestuesit teksa marshojnë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit në Tiranë, ndërsa, vetëm pak metra larg tyre, një grup të rinjsh vazhdojnë të luajnë basketboll në një nga hapësirat publike. Dy aktivitetet zhvillohen paralelisht, pa ndërhyrë te njëri-tjetri, duke krijuar një kontrast mes protestës qytetare dhe jetës së përditshme që vijon normalisht.
Në video, të rinjtë shfaqen të përqendruar në lojën e tyre, pa u shqetësuar nga marshimi i protestuesve, ndërsa protesta zhvillohet në mënyrë paqësore përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit.
Duke ndarë këto pamje, Rama shkroi:
“Pamje europiane e Tiranës së lirive të barabarta e shijeve të ndryshme për kohën e lirë.”
Me këtë mesazh, kreu i qeverisë e interpreton skenën si një ilustrim të bashkëjetesës së të drejtës për të protestuar me të drejtën e qytetarëve të tjerë për të vijuar aktivitetet e tyre të zakonshme, duke e cilësuar këtë si një shprehje të normalitetit demokratik dhe të lirive individuale në kryeqytet.
AV
KOHA JONË SONDAZH

