Rama: Protestat për mjedisin, arritje e madhe e shoqërisë. Detyrimi ynë për ta bërë vendin më të mirë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të një raporti ndërkombëtar për performancën mjedisore të Shqipërisë, duke thënë se vendi ka bërë progres në mbrojtjen e natyrës, por ka ende shumë sfida përpara.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama: 

Përshëndetje!

Swiss Digital Desktop Reklama

Për javë të tëra u krijua përshtypja se Shqipëria ishte kthyer në armiken e natyrës së vet. U thanë shumë gjëra, u shkruan edhe më shumë, u ndanë miliona imazhe, akuza, gjykime dhe bindje të cekëta. Dhe, për një çast, u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin. Por realiteti flet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Environmental Performance Index 2026, indeksi më prestigjioz global për performancën mjedisore, sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-ën nga 177 vende në botë, me progresin më të madh në rajon gjatë 10 viteve të fundit.

Ndërsa, për zbutjen e ndryshimeve klimatike, Shqipëria renditet e 21-ta në botë.

Dhe këto nuk janë vlerësimet që ne i kemi bërë vetes, larg qoftë, por janë përfundimet e institucioneve ndërkombëtare dhe akademike, të cilat, prej një çerek shekulli, matin me konsensus global dhe me të njëjtën metodologji performancën mjedisore të vendeve të botës.

Por, sinqerisht, ajo që mua personalisht më gëzon më shumë sesa renditja është fakti se kjo renditje tregon rrugën që kemi bërë. Nuk kanë kaluar shumë vite që Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, i gjuetisë së egër, i shfarosjes kriminale të shumë specieve, i lumenjve të kthyer në vende grumbullimi mbetjesh dhe i një shteti që shpesh nuk kishte as mundësi, as instrumente, as kulturën për mbrojtjen e natyrës, por, mbi të gjitha, nuk kishte vëmendje.

Sot jemi një vend krejt tjetër edhe në këtë aspekt. Madje, kemi arritur deri aty sa të zhvillojmë protesta të mëdha për mjedisin dhe kjo, pavarësisht çdo ekzagjerimi, manipulimi apo instrumentalizimi politik që iu bashkëngjit atyre protestave, është në vetvete një arritje e madhe e shoqërisë. Sepse prania e aq shumë njerëzve që shqetësohen për flamingot, për lagunat, për pyjet apo për biodiversitetin tregon se, bashkë me Shqipërinë që ka ndryshuar, edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar.

Kjo është fitore qytetërimi.

Një shoqëri që debaton për natyrën është shumë e shumë më përpara sesa një shoqëri që e sheh në heshtje shkatërrimin e saj, siç ishte shoqëria deri para 10 vjetësh. Prandaj unë nuk kam parë kurrë armiq tek ata që e duan sinqerisht natyrën, edhe kur nuk ndaj të njëjtin mendim me ta. Përkundrazi, ata më kujtojnë dhe duhet të na kujtojnë se zhvillimi nuk mund të jetë kurrë një justifikim për të harruar atë që na është besuar nga e shkuara dhe që duhet t’ua dorëzojmë më të mirë brezave që i përkasin së ardhmes.

A do të thotë kjo se ne kemi bërë gjithçka si duhet, përderisa indeksi na ngre kaq lart? Sigurisht që jo. Sigurisht që jo. Sepse kush punon gabon, kush ndërton bën edhe zgjedhje të vështira e, ndër to, edhe zgjedhje të gabuara.

Kush qeveris nuk mund të pretendojë se ka gjithmonë të drejtë, e jo më ta ketë gjithmonë të drejtë.

Edhe ne kemi gabuar, edhe ne kemi shumë për të mësuar, edhe ne kemi ende shumë për të përmirësuar. Prandaj, ky raport nuk është një medalje për t’u vetëkënaqur dhe as për t’ia përplasur në fytyrë atyre që mendojnë ndryshe nga unë, por është një përgjegjësi shumë e madhe dhe një kujtesë se duhet të dëgjojmë më shumë, të korrigjojmë më shpejt kur është e nevojshme dhe të mbrojmë me edhe më shumë vendosmëri ekuilibrin mes zhvillimit dhe natyrës, ama duke mos i harruar kurrë faktet. Sepse Shqipëria evropiane nuk ndërtohet as duke zgjedhur mes ekonomisë dhe mjedisit, as duke zgjedhur mes zhurmës dhe fakteve.

Ajo ndërtohet duke i bërë të ecin së bashku ekonomia, mjedisi dhe faktet. Dhe, nëse sot bota na thotë se kemi bërë një rrugë kaq të gjatë për mirë, përgjigjja e mençur nuk është thjesht krenaria për rrugën e bërë, por përulësia për të pranuar se kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe, po ashtu, vendosmëria për ta bërë atë edhe më mirë.

Ky është detyrimi ynë ndaj Shqipërisë dhe kjo është fjala ime pas një raporti që më bën sinqerisht krenar për gjithçka kemi bërë. Por, nga ana tjetër, më bind se reflektimi i premtuar për atë që na vuri përpara pasqyra e bulevardit të flamingove është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm, dhe së shpejti do ta keni edhe atë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?