Rama publikon fotoalbumin e javës, nga mbledhja e përbashkët qeveritare me Italinë te prezantimi i “OSHEE Charge”
Kryeministri Edi Rama publikoi sot fotoalbumin me momentet kryesore të aktiviteteve të tij gjatë javës.
Gjatë kësaj jave, kreu i qeverisë udhëtoi në Itali, ku u zhvillua mbledhja e parë ndërqeveritare (G2G) mes Shqipërisë dhe Italisë.
Rama u prit në Romë për një seri takimesh të nivelit të lartë, duke nisur me takimin dypalësh me kryeministren Giorgia Meloni.
Të dyja qeveritë diskutuan projekte të përbashkëta në ekonomi, energji, mbrojtje, infrastrukturë dhe fusha të tjera strategjike si dhe u shkëmbyen marrëveshjet dypalëshe dhe memorandumet e mirëkuptimit.
Më herët gjatë javës, Kryeministri zhvilloi në Tiranë takimin e përvitshëm me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, ku u diskutua për Raportin e Progresit të BE-së për Shqipërinë dhe sfidat e procesit të integrimit.
Tirana mikpriti gjithashtu Konferencën Vjetore të IAIS, mbledhjen më të madhe globale të mbikëqyrësve të sigurimeve, e cila u zhvillua për herë të parë në Ballkan. Rama e përshëndeti këtë ngjarje, duke e cilësuar një sukses të Shqipërisë në arenën financiare ndërkombëtare.
Gjatë javës, kreu i qeverisë, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, zhvilloi prezantime dhe dëgjesa publike për projektbuxhetin 2026, ku foli për rritjen e pensioneve, rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë nga janari 2026, si dhe rritjen e pagave në administratë.
Në kuadër të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, Rama mori pjesë në konferencën shkencore ku ekonomistë dhe akademikë vendas e të huaj ndanë analiza mbi sfidat e ekonomisë moderne dhe zhvillimet e sistemit bankar shqiptar.
Po këtë javë, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, kryeministri prezantoi projektin “OSHEE Charge”, një shërbim të ri për karikimin e mjeteve elektrike, që synon të nxiste energjinë e pastër dhe transportin e qëndrueshëm.ATSH
KOHA JONË SONDAZH

