Rama: Realizohet trombektomia e parë mekanike në shërbimin e Neuroradiologjisë në QSUT
Shërbimi i trobektomisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofrohet për qytetarët, tashmë i plotë prej disa ditësh.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale lajmin se në shërbimin e Neuroradiologjisë Intervencionuese është realizuar me sukses trombektomia e parë mekanike, një procedurë moderne dhe jetike për pacientët me insult ishemik akut.
Rama tha se “në rastin e insultit, çdo minutë është vendimtare. Sa më shpejt të rikthehet qarkullimi i gjakut në tru, aq më e madhe është mundësia për të kufizuar dëmtimin neurologjik dhe për të përmirësuar rikuperimin e pacientit”.
Njëherësh, Rama u shpreh se pas këtij suksesi qëndron puna e një ekipi të tërë profesionistësh, si Prof. Dr. Arben Rroji, Dr. Eris Ranxha – Shërbimi Neurovaskular, Prof. Dr. Ilirjana Zekja – Shërbimi i Neurologjisë, Prof. Dr. Krenar Lilaj – Reanimator, Dr. Thoma Kalefi – Reanimator dhe Dr. Majlinda Shyti – Neurologe.
Nisja e këtij shërbimi shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve të neuroradiologjisë intervenuese në vend. Instalimi i Angiografit Biplanar dhe krijimi i kabinetit të Radiologjisë Intervencionuese mundësojnë diagnostikimin dhe trajtimin endovaskular të insultit ishemik akut përmes trombektomisë mekanike, si dhe trajtimin e patologjive të tjera vaskulare e cerebrovaskulare, përfshirë aneurizmat, përmes procedurave të avancuara si angiografia digjitale me substraksion (DSA).
Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të kapaciteteve, brenda vitit 2026 në shërbimin e Neurokirurgjisë do të instalohet edhe akseleratori linear për trajtimin e pacientëve me tumore të trurit.
Me një potencial prej rreth 200 procedurash të avancuara endovaskulare në vit, Angiografi Biplanar dhe Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese forcojnë kapacitetet e QSUT për trajtimin e patologjive komplekse neurovaskulare, duke sjellë në vend mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
Ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më modern, më të specializuar dhe më pranë pacientit, duke sjellë në Shqipëri mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
/e.i/a.f/
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

