Rama: Rilindje për Policinë, ndihmë fëmijëve të të rënëve

“Qeverisim me vetëdijen se çfarëdo të bëjmë nuk e kompensojmë dot humbjen e familjes së tyre apo mungesën fizike të baballarëve në vijën e luftës jashtë atdheut, por bëjmë e do të bëjmë gjithçka mundemi që këta fëmijë në rrugëtimin e tyre drejt daljes në jetë të mos e ndjejnë në asnjë hap mungesën e kujdesit prindëror të qeverisë për ta”. Ky është komenti që kryeministri Edi Rama ka bërë dje në lidhje me shpërblimin e caktuar prej 100 mijë lekësh dhuratë për Vitin e Ri familjeve të policëve të rënë në detyrë dhe ushtarakëve në misionet jashtë vendit. “Ne sot jemi këtu për të zëvendësuar, pamundur në fakt, të zëvendësojmë prindërit që mungojnë. Prindërit që mungojnë për shkak se janë të angazhuar në vijën e luftës për një botë të sigurt në misione ushtarake jashtë atdheut dhe prindërit që mungojnë për shkak se në misionin e tyre fisnik të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë brenda atdheut ranë në krye të detyrës. Prindërit ushtarakë që nën uniformën e blertë nderojnë vendin tonë, krah për krah me aleatët e tjerë në kuadrin e misioneve paqeruajtëse, apo të misioneve të rezistencës së botës së lirë ndaj epidemisë vrastare të terrorit dhe ushtarakët nën uniformën blu. Që prej vitit 1990 deri më sot janë 211 bashkëqytetarë që u mungojnë grave, nënave, baballarëve dhe fëmijëve të tyre. 150 nga këta janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut” dhe kanë shënuar emrin në përjetësinë e altarit të kombit duke lënë pas boshllëk, duke lënë pas kujtimeve të dhimbshme, por duke lënë pas edhe një trashëgimi të ndritur për gjithë fëmijët e tyre”, u shpreh ai. Duke shtuar se me vendim të qeverisë, në Akademinë e Policisë të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, që dëshirojnë të ecin në gjurmët e prindërve të tyre, pranohen pa konkurs. Dhe kjo nuk është shkelje e konkurrencës apo cënim i meritës, sipas tij, por kjo është shprehje e bindjes së thellë se në shpirtin e çdonjërit prej këtyre fëmijëve është e shënjuar një herë e përgjithmonë vlera e lartë e virtytit të shërbimit pa kompromis ndaj detyrës. “Të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, ata më të rriturit, por edhe ata më të vegjlit kanë trashëguar kapital të  pakonkurrueshëm, kapitalin e këtij virtyti të lartë. E për këtë arsye janë dhe duhet të jenë gjithmonë krenarë për prindërit e tyre”, deklaroi gjithashtu ai. Për të përfunduar se është bërë një kujdes i veçantë që forcat e policisë, njerëzit që përkushtohen nën uniformën e policisë të mos e ndjejnë respektin e shprehur të shtetit dhe të qeverisë, vetëm në momentet e vështirësisë më të lartë dhe as të mos u duhet të humbasin jetën që misioni i tyre të nderohet dhe respektohet. “Dhe për këtë arsye, ne i jemi përkushtuar në mënyrë të veçantë rilindjes së Policisë së Shtetit, duke iu përkushtuar rritjes së cilësisë së jetës në familjen e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit”, përfundoi Rama.

 

 

DEKLARATA

“Kemi trashëguar një situatë shumë të rëndë financiare. Por kjo nuk na ka penguar që menjëherë të rrisim, thuajse të dyfishojmë, për punonjësit e nivelit të parë të policisë, rrogat e tyre. Kjo nuk na ka penguar që për Forcat Speciale dhe Operacionale të ketë një trajtim të veçantë shëndetësor, të garantohet vizita, të garantohet kurimi, të garantohet operacioni apo çdo nevojë tjetër shëndetësore me standardet më të larta dhe në barrën e shtetit. Nga ana tjetër, policët që do të dalin në pension të parakohshëm ose pension suplementar do të përfitojnë një rritje pensioni prej 173 mijë lekë më shumë se me ligjin e vjetër. Ndërkohë që 640 punonjësit e policisë që kanë mbi 30 vjet punë do të përfitojnë një pension që llogaritet në 400 mijë lekë në muaj” 

SHKARKO APP