Rama sjell magjepsjen e bardhësisë në Luginën e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë
Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, është ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Gjatë stinës së dimrit, reshjet e dëborës e shndërrojnë parkun në vend magjik, ndërsa rruga mirëmbahet vazhdimisht për të mundësuar qarkullimin pa ndërprerje të vizitorëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga parku kombëtar i Valbonës, tashmë i mbuluar nga dëbora.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
E kthyer në një oaz çlodhës në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, parku kombëtar i Valbonës nuk njeh stinë, me vizitorë të shumtë në çdo periudhë të vitit.
Natyra e këtij parku ofron mundësi për turizëm gjithëvjetor. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.
Vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit e Kosova, janë të pranishëm çdo ditë në pikën turistike gjithëvjetore të Valbonës, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron.
Parku Kombëtar i Valbonës ofron një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet shqiptare.
Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996-ës. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit të Bajram Currit, qendra e rrethit të Tropojës.
Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.
Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.
KOHA JONË SONDAZH

