Rama: S’ka më kontrolle pa paralajmërim te bizneset. Gjoba e fundit, jo e para
Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një paralajmërim për inspektorët, që të ushtrojnë detyrën dhe jo të gjobisin biznese apo t’i shantazhojnë ato, në kundërshtim me ligjin.
Në një takim me ministren Delina Ibrahimaj dhe kryeinspektorin Dashnor Sula, Rama theksoi se gjoba është arma e fundit që duhet të aplikojë inspektori në terren, dhe jo të vendosë”shpata shantazhi mbi qafën e sipërmarrësve”.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e ‘Besës’.
E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh.
Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe në përmbushjen e standardeve që janë në interesin tonë të përbashkët.
E dyta, gjoba ndaj një biznesi është arma e fundit, jo e para, dhe kurrë një ‘shpatë’ shantazhi në qafën e sipërmarrësit, për të gjetur pastaj një mënyrë tjetër për ta shmangur gjobën. Kush nxjerr gjobën përpara fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin, por po e turpëron atë.
E treta, kujtdo që i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat, duhet ta denoncojë menjëherë te Inspektori i Përgjithshëm.
Kjo nuk është ankesë, kjo është e drejtë. Dhe këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku: qeveria dhe sipërmarrja.
Dhe së fundi, së shpejti, çdo inspektor që troket në emër të shtetit në derën e një tatimpaguesi të kësaj Republike do të jetë i pajisur me kamerë inteligjente trupi dhe do të jetë i veshur me uniformë, që të dish kush është, çfarë përfaqëson dhe që ai vetë ta dijë se, në çdo minutë të punës së tij, është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm.
Shteti që hyn në derën e njerëzve duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që i paguajnë këtij shteti”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

