Rama: Sot mësuesi është i paprekshëm, më parë nuk kishin garanci për vendin e punës
Mësuesit e Shqipërisë janë renditur ndër vendet me rezultatet më të larta pozitive në testimin ndërkombëtar TALIS ku marrin pjesë 55 vende të OECD. Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e PS-së i ktheu autoritetin mësuesve. Kreu i qeverisë shtoi se kur erdhën në pushtet, autoritetin e mësuesve e gjetën të lënduar, por sot situata ka ndryshuar. Më parë, vendi i punës së mësuesit sipas Ramës lidhej me partinë në pushtet, por nënvizoi se sot kanë garanci totale për vendin e punës pavarësisht bindjeve politike që mësuesit kanë.
”Ne besojmë tek ju, kemi besuar tek ju edhe para se ky anketim të tregonte në mënyrë shkencore që ju meritoni të gjithë besimin dhe respektin e shoqërisë, ndryshe nga çfarë mund të duket nga larg. Rivënia në vend e autoritet të mësuesit është sfidë e madhe, një autoritet që e gjetëm shumë të lënduar, nga koha, nga politizim i tejskajshëm i sistemit, nga fakti që mësuesit nuk kishin asnjë garanci për vendin e punë, të gjitha i kishin të lidhura me partinë në pushtet. Sot është praktikë e konsoliduar, ju jeni të paprekshëm pavarësisht bindjeve tuaja politike”, tha Rama.
Duke folur për vështirësitë me të cilat përballen mësuesit për të edukuar brezin e ri, kryeministri shkëmbeu edhe disa batuta me mësuesit. Edi Rama tha se e kupton vështirësinë e tyre për tu përballur me “çerrat e sotëm”, duke iu referuar nxënësve. Rama tha se sot “çerrat” kanë shumë informacione të paorientuara dhe shkojnë në shkollë me “shokun”, duke iu referuar celularit.
KOHA JONË SONDAZH

