Rama: Vendimi ndaj ish-drejtores së SHISH, masë ekstreme!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi “masë ekstreme” vendimin për arrest shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, të marrë nga Gjykata e Posaçme, duke paralajmëruar se për përgjegjësitë institucionale në këtë çështje do të diskutohet në Këshillin e Sigurisë së Shqipërisë.
Në një deklarim nga aeroporti “Nënë Tereza” me t’u kthyer nga Nju Jorku, ku mori pjesë në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rama ai nuk do të ndërhyjë në përmbajtjen e dosjes apo vlerësimin e provave.
Më 24 shtator, Hyseni u paraqit para Gjykatës së Posaçme të Shqipërisë, e cila mbajti në fuqi masën e arrestit shtëpiak. Ish-shefja e SHISH-it dyshohet për veprat penale “zbulimi i të dhënave sekrete” dhe “përkrahja e autorit të krimit”, në kuadër të hetimit të dosjes për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
“Unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar Prokurorinë ta kërkojë dhe Gjykatën ta vendosë atë masë”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi se çdo dyshim duhet të hetohet dhe çdo akuzë të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.
Ai u shpreh se e konsideroi rastin Hyseni një çështje shtetërore.
“Kur puna e hetimit ngjitet deri tekkreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se situata prek edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke argumentuar se nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje penale individuale.
“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kurse mbrojtja e SHISH-it, dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrsesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore”, theksoi kreu i ekzekutivit shqiptar.
Rama tha se të hënën, më 28 shtator, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, i thirrur nga presidenti Bajram Begaj, dhe sipas tij, aty është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre, siç tha Rama, “rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal”, shkruan ndër të tjera REL.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4437

