Rama zbulon projektin e parkingut të ri te Liqeni: Më shumë vende parkimi dhe hapësirë e gjelbër
Kryeministri Edi Rama ka bërë publike pamjet e projektit të parkingut të ri nëntokësor që do të ndërtohet në hyrjen veriore të Parkut të Madh të Liqenit, pranë sheshit “Frederik Shopen” në Tiranë.
Përmes një postimi, Rama ka prezantuar mënyrën se si do të transformohet kjo pjesë e parkut, ku hapësira nëntokësore do t’u shërbejë automjeteve, ndërsa sipër saj do të rikrijohet një zonë e gjelbër. “Më shumë vende parkimi, ndërsa mbi të do të krijohet një hapësirë e gjelbër me pemë, gjelbërim dhe rrugëkalime për këmbësorët, në shërbim të qytetarëve”, shkruan Rama.
Projekti parashikon një parking nëntokësor me dy nivele. Ndërhyrja synon të shtojë kapacitetet e parkimit në zonën e Liqenit, ndërsa sipërfaqja mbi strukturë do të vijojë të funksionojë si hapësirë publike dhe e gjelbër. Pamjet e publikuara tregojnë edhe konceptin e ri urban për këtë pjesë të Parkut të Madh, me pemë, shtigje dhe hapësira për lëvizjen e këmbësorëve.
”Ja si do të jetë parkingu i ri nëntokësor në hyrjen veriore të Parkut të Madh të Liqenit, pranë sheshit “Frederik Shopen” në Tiranë. Më shumë vende parkimi, ndërsa mbi të do të krijohet një hapësirë e gjelbër me pemë, gjelbërim dhe rrugëkalime për këmbësorët, në shërbim të qytetarëve”.












