Rama:Arsimi profesional mundësi reale për punësimin e të rinjve

 

Nga Edi Rama.

Jo më larg sesa dje, më rastisi që të takohem me një djalë që donte të bënte një fotografi, dhe ndërkohë që po bënim pozën më tha “Na gjej ndonjë punë, mor burrë”.

E pyeta – “Çfarë shkollë ke bërë?”

“Juridik, si gjithë shqiptarët!”, – më tha.

Besoj se kjo është një përpjekje që ka filluar 20 e kusur vjet me vonesë. Në thuajse çerek shekulli tranzicion, ne humbëm tërësisht shqisën, apo e mpimë tërësisht shqisën e zanateve dhe e transformuam të gjithë rrugën e investimit në dije, në një rrugë me një korsi të vetme, që ishte korsia e arsimit të lartë. Bëmë gjithçka mundëm për të ndërtuar një piramidë iluzionesh, duke iu krijuar praktikisht, të gjithë të rinjve dhe po ashtu, edhe prindërve, idenë se çdokush mund të bëhej jurist, ekonomist apo inxhinier dhe se ishte ikur koha kur njerëzit mund të jetonin me “ambicien e vogël” të të qenit zejtar, apo të të pasurit të një zanati.

E faktikisht, në një anketë të bërë përpara pak kohësh me një grup kompanish të huaja, për të kuptuar se çfarë duhet adresuar që të rritet prania e investimeve të huaja në Shqipëri, nuk ishin taksat, problemi i ngritur nga kompanitë. Tre problemet parësore ishin sistemi i drejtësisë, krahu i pakualifikuar i punës dhe titujt e pronësisë.

Ajo që ne jemi përpjekur dhe po përpiqemi të bëjmë çdo ditë, që nga dita e parë që kemi marrë detyrën, është që të adresojmë këto tre çështje me një qasje të re. Nëse gjithçka flasim prej dy vitesh do të ishte trajtuar e do të ishte ndërtuar në 20 e kusur vite, sot, ne do të ishim në një gjendje krejt tjetër.

Sidoqoftë ka gjithmonë një moment për të filluar dhe ne kemi filluar duke çelur korsinë alternative të zanateve, për gjithë ata të rinj që për arsye nga më të ndryshmet nuk ndjekin universitetin. Por, padyshim, jo një korsi zanatesh si një rrugë dytësore, pra, e dorës së dytë, por një korsi zanatesh që ne synojmë dhe jam i bindur që në një të ardhme jo shumë të largët të bëhet zgjedhje ku jo vetëm ata, të cilët nuk ndjekin dot universtitein, por edhe të tjerë, të cilët bëjnë këtë zgjedhje, të jenë në gjendje që përkundër zgjedhjes së tyre të marrin një arsim cilësor.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm që kemi punuar për të ndërtuar një vend ku kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në të gjithë planetin, por ku është absolutisht e vështirë të gjesh një elektricist, një hidraulik, një marangoz dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë ata që duan të bëjnë qoftë edhe një riparim të rëndomtë në shtëpi dhe nuk kanë ku të drejtohen. Në rast se ka një problem me rrjetin elektrik në shtëpi, cili nga ju e di se ku të drejtohet? Në rast se bllokohet lavamani në shtëpi, kush nga ju e di menjëherë se cili është numri i telefonit, kush janë kompanitë që mund të ta sjellin hidraulikun në kohë reale, siç sjellin picën?

E kështu me radhë, për të ilustruar domosdoshmërinë e një sistemi si ky që ne kemi filluar të ndërtojmë. Padyshim nuk është një investim që kthehet menjëherë. Nuk është si investimet në piramidat e Sudes, apo në piramidat universitare, që ti paguan dhe me të dhënë lekët, kthehesh në “Doktor shkencash”; Ti paguan dhe me të dhënë lekët, merr “Master në drejtësi”; Ti paguan dhe me të dhënë lekët, ke “PhD në ekonomi”. Lavdi Zotit që nuk u arrit deri në pikën që të jepej edhe ndonjë çmim “Nobel shqiptar”, me lekë.

Është një sistem që do të kërkojë kohën e vetë. Besoj që paraqitja që bëri miku ynë nga Gjermania tregon qartësisht se nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë, edhe se Adriatiku më i gjerë. Gjithsesi, ne e kemi filluar këtë proces dhe më lejoni t’ju them që shenjat e para janë inkurajuese. Është inkurajues fakti, që vitin e parë pas reformës është dyfishuar numri i vajzave dhe i djemve që janë regjistruar në shkolla profesionale. Po ashtu është inkurajues fakti, që në statistika e atyre që marrin një punë, ata të cilët kanë mbaruar një shkollë profesionale, janë pothuajse njësoj të kërkuar si ata që kanë universitet.

Sigurisht që për të ndërtuar një arsim profesional të besueshëm na duhet të bëjmë gjithçka nga e para, sepse ai që quhej arsim profesional në Shqipëri ishte një sistem i marrë fund klasash, ku elektricistëve u mësohej profesioni duke iu vizatuar poçin në dërrasë të zezë e duke iu thënë se ai teli që ka lidhur ai banori nga penxherja tek shtylla, për të vjedhur energji, është teli që sjell dritën tek poçi. Pra, një klasë pa asnjë lloj praktike.

Por nuk është vetëm kaq. Ambasadori foli për shkollën profesionale të Kamzës. Shkolla profesionalë e Kamzës u inaugurua me fanfarë të madhe, madje, edhe me fonde, nuk po e përmend donatorin, por të donatorëve dhe ishte një dështim i suksesshëm, për të cilin jam i bindur që në librat e donatorëve është regjistruar si një sukses i padiskutueshëm. Kjo sepse ishte një shkollë ku askush nuk kishte interes të shkonte, pasi nuk kishte asnjë lidhje me tregun.

Ndërkohë që sistemi dual, të cilit ne i jemi referuar në këtë reformë, është ambicia për të lidhur nxënësin me tregun, qysh sapo fillon të mësojë zanatin dhe për t’i dhënë mundësi kompanive që t’i referohen shkollave profesionale, për të rekrutuar qysh në fillim të shkollës zanatçinjtë e tyre të nesërm, duke e ndarë kohën mes shkollës dhe punës në ndërmarrje, gjatë çdo jave.

Shkolla profesionale janë një urë shumë solide për punësim dhe perspektivë të qartë përmes një karriere të sigurt, gjë që nuk mund  të thuhet për arsimin e përgjithshëm jo e jo, por as për universitetin. Unë jam shumë i inkurajuar nga përgjigja që kam pasur prej sipërmarrjes. Ka qenë një përgjigje shumë inkurajuese, sepse nuk kanë qenë të pakët sipërmarrësit që janë interesuar dhe vazhdojnë të jenë të interesuar që të përfshihen në këtë sistem. Garancia e këtij sistemi janë kompanitë, jo mësuesit në klasë.

Sigurisht që ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Unë unë besoj se edhe eksperienca e akumuluar në këtë periudhë të parë na ka ndihmuar për të nxjerrë konkluzione për çfarë duhet bërë, që ky mekanizëm të strukturohet më mirë. Vizioni tani më është shumë më i qartë dhe ideja për të ndërtuar një rrjet shkollash profesionale të ekselencës, në bashkëpunim me një numër donatorësh të përzgjedhur, jo pse kanë para, por pse kanë dijen e nevojshme, nga Gjermania, tek Austria e Zvicra, është një ide fituese për t’ju dhënë një mesazh dhe një rrugë shumë të qartë, të gjithë atyre fëmijëve që hynë në arsimin profesional dhe të gjithë atyre prindërve që investohen për fëmijët e tyre, të cilët nuk ka pse të ndjehen inferiorë ndaj komshinjve prindër, që investojnë për t’i bërë fëmijët juristë apo sociologë.

Kemi një problem të madh në Shqipëri. Një problem i krijuar, besoj unë, jo thjesht në gjithë këto vite tranzicioni, por edhe mbi një traditë që nuk e ndihmon sistemin që kemi zgjedhur. Nëse do të bënit, siç kemi bëre ne, anketime mbi pëlqyeshmërinë e të rinjve ndaj sektorit shtetëror dhe sektorit privat, do të kuptonit menjëherë se çfarë problemi të madh kemi. Janë mbi 70%, rregullisht, e të rinjve të papunë që thonë “o në shtet, o s’ka”.

Besoj ju ka qëlluar që të shikoni lajme dhe nëse duke parë lajme, ju ka qëlluar të shikoni ndonjëherë se kur bëhen mbledhjet tek Partia Socialiste, në oborrin e PS-së ka njerëz që vijnë për të qarë halle. Ajo që është shumë shqetësuese për mua, është që gjithmonë aty ka prindër që vijnë dhe kërkojnë punë për djalin 35 vjeç, 40 vjeç, apo për vajzën me dy kalamaj dhe as djali e as vajza nuk marrin as mundimin që ta kërkojnë vetë punën, por çojnë babanë ose mamanë. Kam një histori shumë domethënëse me një nga nënat që qante atje, me lot për djalin që kishte pa punë, që po binte në depresion, që kishte një fëmijë të vogël etj.. Kur e pyeta sa vjeç është djali, më tha se ishte 40 vjeç. Dhe pasi e ndihmuam duke e adresuar tek zyrat e punës dhe pasi përkundër formimit të tij iu gjet edhe një punë, mamaja u ndie aq e fyer, sa erdhi përsëri dhe më tha “nuk erdha këtu të kërkoja lëmoshë, por të kërkoj punë. Të më çosh mua tek privati, është të ma bësh djalin lypsar”. Ndërkohë që puna nuk ishte një punë dosido, përkundër atij formimi që kishte djali.

Kjo është çështje e një mendësie të rrënjosur për vite të tjera, edhe,  ta themi hapur, se puna në shtet, shumë shpesh, stresin më të madh ka nëse e fiton apo s’e fiton atë lojën me letra në kompiuter dhe sa herë e fiton gjatë ditës. Dhe përkundër fitoreve që korr atje në “Solitaire” merr rrogën. Pra, ajo që duket qartë është se shumë nga këta njerëz që kërkojnë punë në shtet nuk duan punë, por duan një pension të sigurt, që pastaj të bëjnë jetën e tyre në orarin e punës, midis kafenesë, “Solitaire”, thashetheme dhe sigurisht, opinioneve “shumë profesionale” politike. 

Shikoni zyrat e punës në këtë moment që flasim, pa llogaritur një sërë strukturash të tjera private, të cilat janë të krijuara për të ofruar punë përmes portaleve. Vetëm në zyrat e punës të Republikës së Shqipërisë, sot që flasim janë 26 mijë e disa qindra vende pune të lira dhe janë vende pune të të gjitha kategorive; ka vende pune për njerëz me arsim të lartë, ka edhe vende pune për njerëz pa shkollë. Unë i kuptoj ata pa shkollë, që duan të punojnë drejtor në shtet. Por nuk i kuptoj ata që janë pa punë dhe kanë një arsim të lartë, d.m.th, kanë një diplomë profesionale, që refuzojnë të shkojnë të punojnë në privat. 

Megjithatë jam i bindur që kjo është një fazë e ndërmjetme që do të kërkojë kohën e vet, me parakushtin që ne të forcojmë në mënyrë të vazhdueshme dy komponentë, konkurrencën dhe meritën. Shumë më e lehtë ta thuash, shumë më e vështirë ta bësh, por më lejoni të them se sot, në administratën publike të shtetit shqiptar nuk hyn dot më kollaj. Për çdo vend në administratën publike zhvillohen konkurse dhe ka një fakt që hedh poshtë çdo lloj nihilizmi apo abuzimi, kemi sipas sektorëve, në mesatare, mbi 20% të konkurseve që dështojnë, pra, nuk kanë fitues. Ka pjesë në administratë ku konkurset kanë edhe 50% dështim, sepse nuk nxjerrin fitues. Kuptohet që një konkurs mesatarisht cilësor nuk fitohet dot, nëse diplomën e ke marrë me lekë. Unë besoj që forcimi i kësaj hallke, – nuk është perfektë, është larg të qenit perfektë, por është hallka e duhur që do të forcojmë, – do të çlirojë shumë më tepër energji në drejtim të sektorit privat dhe do të çlirojë shumë më tepër energji në drejtim të dijes, që njerëzit të kuptojnë se duhet të përgatiten për të marrë një vend pune. 

Shikoja disa statistika në Francë. Një i ri apo e re, i papunë dhe i diplomuar, për të marrë një vend pune, duhet të kalojë mesatarisht, – ka prej tyre që mund ta fitojnë më shpejt, të tjerë më vonë, – por mesatarisht 30 intervista, në 30 ente të ndryshme. Parafytyroni se çfarë hendeku i madh kulturor qëndron midis atij vendi dhe këtij vendi, ku puna konsiderohet një babagjysh i Vitit të Ri që duhet të të vijë në shtëpi, të të trokasë, të të vijë tek krevati dhe të të thotë “zgjohu se erdha, eja të ikim bashkë tani të të tregoj ku jam” dhe ti t’i thuash “ik ti përpara se unë do zbres poshtë, do pi kafe dhe do shoh pak Facebook se çfarë ka bërë qeveria dje”.

Puna nuk mund të vijë në shtëpi, s’ka sesi të vijë në shtëpi dhe këta 30-40 vjeçarë, që e presin punën në shtëpi dhe ndërkohë dërgojnë mamin dhe babin që të vijnë nga rrethet e të kërkojnë punë në Tiranë, janë jashtë kohe. Por nuk është faji i tyre, është përgjegjësia e një politike të tërë në 20 e kusur vite, të ngritur mbi varfërinë e aspiratave.  E nuk ka fatkeqësi më të madhe për një komb, për një popull, për një vend, sesa kur ata që e drejtojnë janë të varfër në aspirata. Të varfër në aspirata për vendin, se për veten e tyre mund të kenë aspirata të mëdha.

Varfëria në aspirata të çon aty ku na ka çuar ne, tek “mos ta prekim një herë këtë sektor, se mirë janë, ç’na duhet, se do na bëjnë ndonjë grevë, ndonjë demonstratë”, “më mirë t’i lëmë kështu, mos ta bëjmë këtë reformë këtu, mos ta prekim atë aty”, “s’ka problem, janë të varfër, le ta vjedhin energjinë, do rregullohet kjo punë” dhe rritu vjedhjet, kapërce 50% të popullit që nuk paguan energjinë, se “nuk ka problem, se në fund të fundit nga Zoti vjen, nga qielli e kanë dhe nuk do hymë ne tani t’i pengojmë”. Apo “të rrimë ne të merremi me papunësinë e tyre, më mirë çoji të gjithë në universitet, se sa kohë do e kemi ne. Kemi zgjedhjet pas 3 vitesh, ja dhe dy vjet.” Pesë vjet, këta në universitet të shohin ëndrra sikur do bëhen inxhinierë, juristë. Sikur të gjithë gjykatat e planetit do presin që këta të veshin togën, për të dhënë vendime të mëdha. Kështu në të gjithë sektorët.

Arsimi copë, sektori publik copë, shëndetësia mos e pyet. Dhe përse? Sepse asnjëherë nuk u zgjodh hapja e syve dhe vendosmëria për të konsumuar pushtetin, në funksion të hedhjes së hapave përpara. Të gjithë e lanë veten të konsumohen nga pushteti, deri ditën që ikën se nuk i shihte dot më njeri me sy.

Jemi në drejtimin e duhur, por padyshim do të na duhet shumë këmbëngulje, shumë përpjekje dhe shumë durim. Përndryshe nuk ka asnjë stacion tjetër, përveçse të kthehemi mbrapa. Të kthehemi mbrapa, të mbyllim sytë e të themi “o Zot bëje ëndërr, se kjo s’duhet të jetë e vërtetë. Nesër shohim e bëjmë, sot për sot tek kafja ta trajtojmë këtë çështje”.

Unë i jam shumë mirënjohës të gjithë miqve që janë këtu. Sfida që kemi zgjedhur është shumë e madhe, se kemi zgjedhur të marrim modelin gjerman, por modelin gjerman pa gjermanë, me shqiptarë. Është një sfidë e shumëfishtë, por nuk kemi zgjedhje tjetër. Në fund të fundit ka një fakt të thjeshtë dhe të mjaftueshëm për të mos u dorëzuar, nëse shqiptarët në Gjermani do të kishin dalë të paaftë, atëherë, ne mund t’i thoshim vetes se s’kemi pse përpiqemi të bëhemi si Gjermania, apo s’kemi pse të marrim shembuj gjermanë. Por shqiptarët në Gjermani nuk kanë rezultuar të paaftë. Kanë rezultuar të suksesshëm, janë integruar, punojnë në të gjitha nivelet, sipas aftësive dhe sipas mundësive dhe nuk kanë lënë vend për t’u parë me syrin e një populli të veçantë, që nuk e njeh punën, që nuk e do punën, që nuk e kupton punën. 

Problemi është që në Shqipëri ndryshon puna. Unë e kam thënë dhe e përsëris, megjithëse ambasadori nuk e ka shumë qejf këtë shembull, por është real. Anjë shqiptarët në Gjermani nuk e imagjinon dot të hipë në makinë dhe mos vërë rripin e sigurisë. Këtu kam parë gjermanë, edhe të ambasadës, pa rrip sigurie. Jo të kësaj ambasade, se qëkur u vu gjoba shumë e lartë në semafor, edhe gjermanët këtu u vunë në rresht. Por fakti është që është sistemi që e bën njeriun të sillet ndryshe. Njerëz të ndryshëm, në sisteme të ndryshme sillen ndryshe. Merr 50 shqiptarë në agjencinë më të përfolur në Shqipëri, çoji të punojnë në administratën gjermane, as do t’iu shkojë mendja se mund të kërkojnë bakshish. Sillni 50 gjermanë, t’i çojmë tek ajo agjencia, dy javë do durojnë. Sepse është sistemi. Njeriu është po ai, vërja emrin si të duash.

Ajo që ne kemi fatin sot si vend, jo për t’u ngushëlluar, është se nuk kemi asgjë për të shpikur. Modelet janë aty, miqtë i kemi këtu, partnerët janë të gatshëm të na ndihmojnë për të ndërtuar sisteme. Ky sistem i ri, që ne kemi zgjedhur për arsimimin e gjeneratave të reja, është sistemi i duhur. Sigurisht, synimi është cilësia e produktit, qoftë në universitete ku kemi bërë një reformë historike që zgjidh përfundimisht një problem shumë të madh, problemin e konkurrencës dhe të meritës, qoftë në arsimin parauniversitar ku reforma është po ashtu shumë e rëndësishme, mjafton që t’ju kujtoj që kemi hequr gjithë atë xhungël tekstesh pa lidhje dhe kemi futur tekste të botuesve më të njohur të Europës, që do të thotë që fëmijët shqiptarë, përveç historisë së Shqipërisë që nuk na e bëjnë dot anglezët, gjeografisë, gjuhës shqipe, të gjitha të tjerat do t’i marrin njësoj, siç i marrin fëmijët në Britaninë e Madhe. Por koha do të bëjë punën e vet. Duhet kohë, për të mbledhur frytet e të gjithë kësaj pune.

Në konkluzion dua t’iu tregoj një episod të vogël me një burrë 100 vjeç, të cilin e kam takuar dhe kam fjetur në shtëpinë e tij në një zonë shumë të thellë, vite përpara, kur ne bënim dialogun me Shqipërinë. Ai më tha  që “as ti s’ke për ta bërë dot”. “Përse”, – i thashë? “Sepse”, – mu përgjigj – “që të bëhet Shqipëria, duhet që një qeveri të marrë përsipër të sakrifikojë nga vetja, për të bërë arsimin. Mirëpo, i kam parë,  se u bëra 100 vjeç dhe të gjithë e thonë, por kur vjen puna tek arsimi, nuk e prekin, se arsimi nuk të jep vota, madje të heq vota. Se është një pemë që nga koha kur e mbjell, tek koha kur i merr frytet kalon jo një mandat, por disa mandate dhe politikanët tanë nuk kanë kohë me prit.” Pastaj, ai kishte edhe një vizion për reformën në arsim, por kjo është për një ditë tjetër, por në fakt ishte një vizion që realisht, unë nuk e kam atë kurajo që kishte ai. Në thelb, vizioni i tij ishte që të gjithë paratë që ka shteti për nënat shtatzënë, pastaj për bebet dhe deri tek ata që mbarojnë shkollën, 22 vjeç. Të gjithë të tjerët, thoshte, në daç të jetojnë, në daç të vdesin, por kjo është shumë radikale, shumë e djathtë, për mua.

Ju faleminderit për vëmendjen. Edhe një herë tjetër mirënjohje miqve gjermanë, që me shumë gatishmëri na asistojnë në këtë reformë dhe që e kam vënë re që kur vijnë në Shqipëri, duan të vijnë prapë e prapë. Shpresoj të vini aq sa duhet, që të mos bëheni si ne, përpara se ne të bëhemi si ju.

SHKARKO APP