Rama:Fermë me 100 ha, merr një milionë dollarë grant

 

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin e sipërmarrës dhe shoqata të biznesit për nxitjen e investimeve në bujqësi:

Për hir të vërtetës, ne afër kemi qenë që ditën e parë me Dhomën e Tregtisë, por ndryshimi ka qenë se ju donit që të hiqnim taksat që ditën e parë, por ne nuk e bënim dot dhe ju jemi dukur larg. Por rëndësi ka që po afrohemi pak nga pak.

Unë jam i gëzuar të shoh këtu një sipërmarrës të madh, të cilit para disa muajsh i thashë pse nuk hedh sytë nga bujqësia dhe iu duk sikur i thashë pse nuk hedh sytë nga astronautika. Ardhja e tij këtu sot më gëzon, sepse siç edhe e shikoni, këtu janë ftuar sipërmarrës nga sektorë tërësisht jobujqësore, me shpresën që përmes disa të ftuarve tanë që kanë filluar të investojnë në bujqësi, ne do të mund t’i përcjellim edhe të tjerëve, shembuj konkretë mundësish dhe suksesi; suksesi material dhe financiar, që urojmë të ngjallin interes dhe frymëzim edhe për të tjerët, në mënyrë që të investojnë më shumë, apo të fillojnë të investojnë edhe në bujqësi.

Ne besojmë shumë që bujqësia është një nga burimet kryesore të rritjes të qëndrueshme ekonomike. Fatkeqësisht, për vite të tëra nuk është parë si e tillë, por është parë si territori i mbijetesës dhe i lëmoshave. Qeveritë janë mjaftuar me larjen e ndërgjegjes, duke dhënë subvencione që jo vetëm kanë qenë minimale financiarisht, por kanë qenë edhe tërësisht të shpërdoruara, pasi edhe ato pak buxhete në dispozicion janë thërrmuar për të shpërndarë lëmosha, apo për të shpërndarë benefite të natyrës partiake dhe elektorale. Qeveria është sjellë për vite të tëra me bujqësinë dhe me njerëzit e fshatit si të pasurit me lypësin tek dera e kishës, ku hedhin disa qindarka, që kur të hyjnë në kishë, Zoti t’i shohë me sy më të mirë.

Ne kemi qenë të vendosur që në fillim që ta ndryshojmë rrënjësisht qasjen, për ta parë bujqësinë jo si një territor ku njerëzit duhet thjesht të mbijetojnë, por si një territor ku mund të ndërtohet njëra nga korsitë më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik e social dhe padyshim, edhe të modernizimit të vendit tonë.

Ka një fakt që është shumë domethënës, në këndvështrimin tim. Në kushtet e sotme, ju e dini shumë mirë, një nga problemet kryesore që ne kemi përsa i përket financave në shtetin tonë janë kreditë e këqija. Kreditë e këqija shkuan deri në nivelin e 25%, çka ishte një kërcënim real. Ne kemi bërë përpjekje, bashkë me Bankën e Shqipërisë dhe kemi sjellë një ulje të arsyeshme, edhe pse jo të konsiderueshme përsa i përket nivelit ku duhet të jemi, në rreth 20%. Por fakti shumë interesant është që në pjesën e kredive të këqija për bankat nuk figurojnë kreditë e dhëna për fshatin. Pavarësisht se në pamjen e parë, fshati dhe bujqësia mund të duken pjesa më e pakontrollueshme, më gri, edhe për shkak të informalitetit të madh, e vërteta është që asnjëherë bankat nuk kanë pasur probleme me kreditë që kanë dhënë për fshatin. Ashtu sikundër të njëjtën gjë e vërtetojnë edhe agjencitë e krediteve, të cilat nuk kanë probleme të kësaj natyre me kreditë apo mikrokreditë e dhëna për fshatin.

Kjo është një e dhënë që na ka nxitur të mendojmë se si mund të rrisim nivelin e kreditimit të bujqësisë, duke rritur në fakt, atë hallkë që në fshat ka munguar për vite të tëra, që është hallka që, në këndvështrimin tonë, do të bëjë ndryshimin e madh, sipërmarrjen. Pra, jo thjesht fermerin që mbjell, korr, shet dhe mbijeton, por sipërmarrjen. Faktikisht, çka kemi bërë ka qenë një ndryshim radikal i qasjes në administrimin e buxheteve në dispozicion të bujqësisë, duke u fokusuar tek zinxhiri i vlerës dhe duke mbështetur përmes skemave që trajtohen nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, apo agjencia e pagesave në një gjuhë më të thjeshtë, forcimin e sipërmarrjeve që diku janë në embrion, diku janë në një fazë të ndërmjetme zhvillimi dhe që kanë nevojë për t’u mbështetur financiarisht, për të plotësuar të gjitha hallkat e një cikli që fillon tek fermeri dhe përfundon në shitje.

Në këtë proces kemi parë të transformohen një numër i konsiderueshëm sipërmarrjesh, të cilat kanë përfituar nga mbështetja jonë grante, me kushtin e financimit të përbashkët. Nëse një sipërmarrje ka pasur nevojë për të rritur kapacitetet e saj teknologjike dhe për të blerë makineri në funksion të rritjes së këtyre kapaciteteve, atëherë, ne kemi financuar me grant 50% të këtij investimi. Rezultatet janë jashtëzakonisht domethënëse, për të kuptuar që këtu nuk ka kufij. Nëse sot, ne jemi të kufizuar nga një masë financiare që buxheti i shtetit vë në dispozicion dhe ajo ka një limit, ndonëse kërkesat për financim kanë qenë shumë më të mëdha sesa mundësitë për financim, e vërteta është na duhet të krijojmë kushtet që financimi dhe kreditimi i bujqësisë të jetë pa limit. Por sigurisht, për ta materializuar projektin tonë duheni ju, duhen të gjithë ato kapacitete, jo vetëm financiare, por në radhë të parë, kapacitete njerëzore dhe të njohjes, që sot biznesi shqiptar i ka kur vjen puna tek VIP-at apo tek bizneset e mëdha, që tanimë nuk janë biznese siç ishin 10 apo 15 vjet përpara kur drejtoheshin nga njerëz ndër të cilët edhe ju, me shumë intuitë, me shumë talent, me shumë vullnet, por gjithsesi të vetëm. Sot, siç tregojnë edhe kompanitë tuaja, ka një strukturim dhe një modernizim që i bën kompanitë tuaja të suksesshme dhe sot ju jeni në krye të kompanive, por kompanitë në një masë të madhe janë në gjendje që të vetëfunksionojnë duke vënë në jetë idetë tuaja dhe duke u bërë edhe burim i diskutimeve të arsyeshme dhe vendimmarrjeve të arsyeshme, që nuk janë më vendimmarrje thjesht të një personi në një kompani.

Kjo është gjëja më e rëndësishme, për ne, në këtë projekt të madh të financimit të sipërmarrjes në fshat, sepse nuk është thjesht çështje parash, por është në radhë të parë, çështje dijesh dhe mekanizmash që kompanitë e mëdha sot i kanë. Jo më kot kemi ftuar këtu disa që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë dhe i kemi zgjedhur sipas tipologjive të ndryshme, pra, njerëz që janë bërë të pasur me biznese krejt të tjera dhe që kanë kthyer sytë nga toka. Sot, besoj, do të mund të tregojnë për të gjithë të tjerët sesi e kanë nisur, çfarë kanë investuar dhe si po fitojnë.

Unë nuk do të flas me shifra, sepse kur mendoj që miliona eurot që për ne janë të rëndësishme, shënojnë rritje, janë shumë më pak sesa milionat që bëni të gjithë ju bashkë, nuk dua që të ngjall buzëqeshjen tek askush nga ju, sepse faktikisht, ajo që ju mund të investoni të gjithë së bashku për bujqësinë, është me herë shumë më tepër se ajo që shteti shqiptar mund të investojë. Kështu që, nuk po krenohem përpara jush me sa kemi investuar për kullimin dhe sa kemi investuar për të mbështetur këto sipërmarrje, sepse janë shumë më pak sesa turnoveri që përfaqësoni ju të gjithë, këtu. 

Po kaloj menjëherë në dy gjëra që besoj janë me interes;

Së pari, ne kemi mësuar nga procesi i mbështetjes së sipërmarrjes se fragmentimi i tokës nuk është problem. Qasja e dëshpëruar dhe e dështuar e shumë viteve, për të bashkuar tokën dhe për të krijuar struktura, – le t’i quajmë si të duam, – duke i imponuar nga lart, ka qenë një qasje krejtësisht e panevojshme, që na ka bërë të humbim shumë kohë. Fragmentimin e tokës e mund vetëm interesi dhe interesin e krijon vetëm sipërmarrja.

Çfarë dua të them me këtë?

Në qoftë se dikush ka 500 dynymë, dikush tjetër ka 500 të tjera, tjetri ka një hektar, një tjetër 1,2 hektarë dhe dikur më tutje 200 dynymë, që t’i bashkosh këta, duke i imponuar nga lart me ligje dhe me rregulla është një kauzë absolutisht e dështuar. Por, nëse këta, nga sipërmarrësit ftohen që të mbjellin një produkt të caktuar, që është në interesin e sipërmarrësit, – këtë gjë e shikojmë të funksionojmë në mënyrë spektakolare tek grumbulluesit – dhe sipërmarrësi garanton që secili prej tyre të ketë farën e duhur, të ketë kimikatet e duhura, të ketë edhe parapagimin, me kontratën që në momentin kur do të prodhojë, do të çojë në pikën e grumbullimit dhe do të marrë paratë, atëherë të gjithë këta kthehen vetvetiu në një kooperativë “de facto”, që është kooperativa e orientuar nga interesi i sipërmarrjes. Prodhojnë të njëjtin produkt, me të njëjtën cilësi dhe faktikisht kthehen nga një familje fermere që lufton për mbijetesë, në një biznes të vogël, të formalizuar, që përkundër asaj që shet, paguhet.

Këto eksperienca, ju mund t’i shikoni në shumë zona të vendit dhe janë këto eksperienca që kanë sjellë edhe rritjen e eksporteve. Rritjen e eksporteve sot, – një rritje shumë inkurajuese dhe vetëm këtë vit, ne kemi 100% rritje të eksporteve të frutave dhe të perimeve, – e ka sjellë dy gjëra; Mbështetja që ne i kemi dhënë duke rritur sipërfaqen e ujitshme dhe duke çuar ujin nëpër parcela dhe mbështetja që kemi dhënë për sipërmarrjet dhe grumbulluesit, që të krijojnë këtë zinxhir. Krijimi i këtij zinxhiri bën që njerëzit, pa pasur nevojë për urdhra, pa pasur nevojë për imponime, të përfshihen në këtë proces.

Kjo është një fazë e re tranzicioni për bujqësinë tonë. Thënë kjo, ne mendojmë se ka ardhur koha që t’i vëmë në dispozicion sipërmarrjes një paketë, që e kemi quajtur “Agro 100”, e cila ka dy komponentë. Njëri komponent është për fermën e madhe. Kjo nuk do të thotë që duhet të nisësh atje dhe të bësh bashkë aq shumë njerëz, sa të krijohet një fermë me 100 ha dhe pastaj të fillosh të investosh. E kundërta është e vërtetë. Do të thotë të nisësh atje dhe të fillosh të bësh bashkë njerëz, duke i futur në zinxhirin e vlerës.

Për çdo fermë me 100 ha, ne do të bëjmë një mbështetje direkte me 1 milionë dollarë në 5 vite për çdo sipërmarrës, apo grup sipërmarrësish që hyjnë në këtë proces.

Ashtu sikundër, duke parë edhe suksesin e madh që kanë investimet në sera, sigurisht duke konsideruar edhe kthimin e shpejtë të investimit që kanë serat, pjesë e kësaj pakete është edhe mbështetja direkte me 100 mijë dollarë në 5 vite, për të gjithë ata sipërmarrës që arrijnë të ndërtojnë 10 ha sera.

Këto janë dy shuma, qoftë 1 milionë dollarë në 5 vite për fermën e madhe, qoftë 100 mijë dollarë në 5 vite për serën, të mirëkalkuluara, duke marrë parasysh qoftë nevojën fillestare për të pasur një mbështetje financiare që kanë këto lloj sipërmarrjesh, qoftë edhe shpejtësinë me të cilën investimet në këto dy drejtime kthehen. Pra, nuk janë pak para.

Këto instrumente do të përshpejtojnë konsolidimin e tokës, e cila nuk ka nevojë më as të blihet, as të merret me qera, por thjesht ka nevojë të shihet si një sipërfaqe ku interesi, të cilin e përcakton dhe e bën të prekshëm sipërmarrësi, i bashkon të gjithë njerëzit që disponojnë këto sipërfaqe.

Dua që të gjithë ata, të cilët më dëgjojnë dhe që nuk kanë kaluar nga eksperienca, – sepse këtu ka njerëz që kanë kaluar të njëjtën eksperiencë dhe e kuptojnë për çfarë po flas, – të mos mendojnë se kjo është diçka që implikon një numër të atillë marrëdhëniesh njerëzore me njerëz në fshat, që janë të pamundur. Absolutisht jo! Sot, në fshat ka një vetëdije të plotë për domosdoshmërinë e ndërveprimit. Nuk njeri që është i lidhur me tokën, që të mos jetë i gatshëm t’i bashkohet një zinxhiri ndërveprimi në momentin kur shikon qartësisht interesin.

E dyta, është Fondi Kombëtar i Garancisë. Ne kemi vënë në dispozion të të gjithëve ju, një instrument të ri që është i drejtpërdrejtë. Kemi bashkëpunuar me BERZH-in, e cila ka na asistuar për të krijuar një instrument kreditimi të bujqësisë, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë. E kemi rakorduar edhe me bankat e nivelit te dytë.

Qeveria ka marrë përsipër dhe është në buxhetin e vitit të ardhshëm të vendosë një Fond Garancie për kreditimin e bujqësisë, mbi bazën e të cilit ka një hapësirë të askseushme prej 300 milionë eurosh në tre vitet e ardhshme, duke ndërvepruar me qeverinë përmes AZHBR-së. Që do të thotë që nuk ka nevojë fare që sipërmarrësit të shkojnë në bankë vetë dhe të bëjnë gjithë ato procedurat dhe historitë për të marrë kredi, por kjo kalon nëpërmjet AZHBR-së, duke u nisur nga rendi i prioriteteve, sipas rajoneve. AZHBR-ja përgatit të gjithë procedurën, duke e paraqitur në bankat e nivelit të dytë. Kredia është e garantuar nga shteti dhe për nivele të caktuara, sipas volumit të investimeve, sipas riskut, qeveria përmes kësaj pakete garanton dy gjëra;

E para, uljen drastike të interesave. Kreditimi bëhet me interesa jo komerciale të nivelit të sotëm, se po të ishte për të, ju nuk kishit nevojë, nuk ka nevojë njeri që të vijë nëpërmjet AZHBR-së, po shkon direkt te banka. Mirëpo është fakt që këto lloj investimesh, me interesat aktuale të bankave, në momentin fillestar nuk janë fort tërheqëse. Atëherë, ne me këtë instrument do të garantojmë një ulje të interesave dhe për aktivitete të caktuara që janë të mirëdefinuara dhe për investime të caktuara do të marrim përsipër të paguajmë interesat.

Ky fond hyn në fuqi me buxhetin e ri dhe ky proces fillon menjëherë me instalimin e këtij fondi. Kështu që mendoj që është një moment për të filluar për ta menduar investimin në sektorin e bujqësisë, duke pasur në konsideratë dhe këto dy paketa;

Qoftë paketën e parë, që në rast se ndërton një fermë me 100 hektarë, ke një milionë dollarë mbështetje direkte dhe jo me konkurs apo me aplikacion, pra, për këdo që do të krijojë një fermë 100 hektarë, mbështetja do të jetë direkte, një milionë dollarë grant dhe asnjë kërkesë, përveçse funksionimi i fermës. Qoftë paketën e dytë, 100 mijë dollarë për 10 hektarë sera dhe fondin e garancisë që ka një hapësirë prej 300 milionë eurosh në tre vite. 

Do të varet shumë nga kapaciteti projektues dhe absorbues i sipërmarrjeve, qoftë të mëdha, qoftë më të vogla, por ajo që është e sigurtë është që kapaciteti është deri në 300 milionë euro. Projeksioni ynë është që në vitin e parë mund të shkojmë deri në 50 milionë euro.

Nëse i quani këto surpriza, është në rregull, por mos kërkoni ndonjë surprizë për ndonjë ulje taksash për biznesin e madh, se kjo nuk do ndodhë. Ashtu siç nuk do ndodhë që të rriten më vonë.

Unë besoj që faza e dytë e takimit do jetë më interesante. Do jetë një debat duke u nisur në radhë të parë nga prezantimi i disa shembujve konkretë, që ju t’i shikoni me sytë tuaj që çfarë po flasim, janë gjëra që burojnë nga inkurajimi që kemi nga realiteti, jo nga dëshira e mirë apo nga ëndrrat me sy hapur.

SHKARKO APP