Rama:Viti 2014, fundi i kapitullit padron-çirak mes shtetit dhe sipërmarrjes

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bleta e Artë” për sipërmarrjet:

Përshëndetje të gjithëve,

Do ta filloja këtë fjalë të shkurtër, dukë pyetur se ku ndryshon një sipërmarrës nga një artist. Në fakt ngjajnë më shumë sesa ndryshojnë. Të dy kanë nevojë për një fuqi të pazakonshme imagjinate, për një pasion të posaçëm për të kultivuar dhe mbledhur frutat e imagjinatës së tyre, për një kokë të fortë që nuk përulet përpara vështirësive, as përpara dështimit të një përpjekjeje që vazhdon. Sipërmarrësi njësoj si artisti nuk mund të kuptohet pa dozën e vet të marrëzisë, që e bën të dallueshëm nga njerëzit e tjerë.

 

Ca nën ndikimin e shkuar pa pronë private, ku sipërmarrja quhej gjakpirje e popullit të çliruar prej saj, ca nën fuqinë shtypëse të një kapitalizmi vandal të viteve pas rënies së komunizmit, shoqëria jonë prej dy dekadash e pak më shumë e përbuz figurën e sipërmarrësit.

Krejt u padenjë ka qenë në këtë periudhë të historisë sonë, edhe qëndrimi i shtetit ndaj kësaj figure. Klientelizëm nga njëra anë dhe përgjithësisht, dajak gjobash apo borxhesh të marra forcërisht, nga ana tjetër.

As media nuk ka pasur një qasje të ndryshme, ndaj dhe nuk ka mundur të ndikojë dot për ta ndryshuar këtë marrëdhënie kaq primitive të shoqërisë dhe të shtetit me sipërmarrjen. Nuk i kemi parë ndonjëherë historitë e suksesit të sipërmarrësve që të zënë faqet e para të shtypit. Askush nuk i ka njohur ndonjëherë, krijuesit shqiptarë të vendeve të punës, taksapaguesit e mëdhenj të shtetit, ndërtuesit ndër vite të zinxhirit të vlerave në terrenin e vështirë, shumë të vështirë të ekonomisë dhe të jetës së përditshme të shoqërisë sonë në gjithë këto vite.

Sektori privat në Shqipëri është zhvilluar pas një perdeje të errët paragjykimesh dhe padijenije, që i ka mbajtur larg syve të opinionit publik protagonistët kurajozë të sipërmarrjes së lirë. Më bëri përshtypje që dikush këtu, nga ata që morën “Bletën e Artë”, tha se ishte befasuar nga çfarë kishte parë sot, në këto dy ekrane, ndërkohë që për shkak të punës, unë dhe kolegë të tjerë, këtu të pranishëm, kemi fatin të shikojmë mijëra herë më shumë befasira sesa ç’mund të shiheshin sot, në këto ekrane.

 

Është bërë forcë zakoni që sipërmarrësit konsiderohen fajtor, shikohen si faktorë, perceptohen si fajtorë dhe trajtohen si fajtorë në të gjitha instancat e diskutimit apo të këndvështrimit publik. Për shembull, unë nuk di sa fëmijë shqiptarë sot do përgjigjeshin “dua të merren me biznes”, po t’i pyesnim “çfarë do që të bëhesh kur të rritesh”. Mbase asnjëri. Jo vetëm kaq, por edhe shumica dërrmuese e të rinjve sot, – siç tregojnë anketimet e bëra, – parapëlqejnë të punojnë në shtet dhe jo në sektorin privat. Sigurisht ka më shumë sesa një arsye për këtë dhe do të duhet një debat i gjatë, por njëra nga këto arsye është padyshim se pas çdo sipërmarrësi ka një hije. Një hije të fortë dyshimi, për të mos thënë se ka një përbuzje të brendshme që e shoqëron prej shumë kohësh figurën e sipërmarrësit në mjedisin tonë, një përbuzje e trashëguar nga një e kaluar ku vetë emri sipërmarrës nuk ekzistonte, quhej kulak dhe një përbuzje e kultivuar në vitet e këtij tranzicioni të ngatërruar.

Është një përbuzje që karakterizon fatkeqësisht, edhe sjelljen tradicionale të shtetit ndaj sipërmarrjes. Një sjellje që materializohet prej 20 e ca vitesh në të përditshmen tuaj përmes kontakteve me përfaqësuesit e shtetit, me doganierë, me tatimorë, me inspektorë, me kontrollorë, me gjithfarë xhakaidurësh që trokasin në derën e biznesit tuaj. Të cilëve ju duket jo vetëm e panevojshme që të jenë të mirësjellshëm në mjedisin e një biznesi, por janë të prirur të sillen sikur kanë edhe një mision. Misionin që të hakmerren në emër të popullit kur bien në kontakt me një biznesmen dhe ndjehen në epërsi morale dhe gati-gati sa nuk nxjerrin një dajak për t’i rënë kokës sipërmarrësit në emër të popullit, që për kaq shumë shekuj ka vuajtur nga gjakpirja juaj. Por edhe qeveritë vetë nuk kanë mbetur pas këtyre zuzarëve të vegjël, që janë në vijën e parë të sjelljes anti biznes. E kanë frymëzuar këtë sjellje përmes kientelizimit që i ka ndarë sipërmarrësit në 5 apo 10 “të nënës”, me mbrojtje nga maja e lartë dhe dhjetëra mijëra “të njerkës”, lënë në mëshirën e gjithë atyre hordhive poshtë.

Sjellja degjeneruese ndaj biznesit erdhi dhe degradoi në një institucion degjenerimi, në pikën që Qeveria e mori përfundimisht peng sipërmarrjen, duke marrë përfundimisht të mirëqenë se sipërmarrësi ishte pengu i saj, duke refuzuar të njihte lirinë e sipërmarrjes si liri kushtetuese, të pacenueshme në asnjë formë, direkte ose indirekte, duke refuzuar të njihte standardin e konkurrencës së lirë si standard të patjetërsueshëm të ekonomisë së lirë të tregut, duke refuzuar të njihte të drejtat më elementare të sipërmarrësve për t’u paguar në bazë të kontratës, apo për të marrë mbrapsht në kohën e përcaktuar nga vetë ligji, TVSH-në e rimbursueshme. E, ky degjenerim i vazhdueshëm i marrëdhënieve shtet-sipërmarrje çoi në akumulimin e një borxhi të fshehur, 720 milionë dollarë, në dimrin e një viti më parë.

Sot, vetëm një vit më vonë, ne jemi këtu për t’i dhënë sipërmarrjes një mesazh të qartë mirënjohjeje, respekti dhe vullneti që ta mbyllim një herë e përgjithmonë, kapitullin e zymtë të një marrëdhënieje padron-çirak mes shtetit dhe sipërmarrjes.

Ky ishte një vit ku ne u munduam jashtëzakonisht shumë, për të filluar kthesën në këto marrëdhënie dhe besoj se kthesa ka filluar. Borxhet e turpshme të padronit kanë nisur të shlyhen në një pjesë të madhe të tyre. Praktikisht, deri në 31 dhjetor, ne, edhe me ngutjen tuaj që mos largqoftë i lini lekët pa i marrë aty, do të kemi shlyer 400 milionë dollarë dhe pjesën tjetër, vitin e ardhshëm.

 

TVSH-ja tani rimbursohet automatikisht dhe askush nuk ka nevojë që të paguajë ryshfet për të mundur ta marrë dhe pastaj për ta marrë duke e ndarë me atë që merrte ryshfetin.

 

Gjobat ndaj sipërmarrjes nuk janë më një zë i ndjeshëm në të ardhurat e tatimeve dhe ato fushatat e Ginghis Khan-it në fushën e sipërmarrjes, sa herë që duheshin mbledhur para për të realizuar planin, i takojnë së shkuarës.

Besoj që në tatime dhe dogana kthesa e filluar është revolucionare, në kuptimin e plotë të fjalës. Por jemi ende shumë larg të vendosjes së figurës së sipërmarrësit në piedestalin e admirimit të publikut, si një figurë që në sistemin që kemi zgjedhur duhet të kthehet në model frymëzimi për të rinjtë. Ashtu siç jemi ende larg të vendosjes në vend të dinjitetit të figurës së sipërmarrësit në sjelljen e çdo instance apo përfaqësuesi të shtetit ndaj sipërmarrjes.

Më lejoni të ndaj me ju, shpresën time të madhe se rritja e besimit të sipërmarrjes tek shteti dhe tek institucionet që po ndërtojmë do të sjellë rritjen e bashkëpunimit të natyrshëm mes nesh, kundër praktikave korruptive apo sjelljeve të padenja të agjencive apo njerëzve të shtetit ndaj biznesit dhe njerëzve të biznesit. E theksoj këtë, sepse e kam ndjerë në vijimësi që mungesa e besimit tuaj ndaj shtetit është një problem i madh që duhet ta kapërcejmë sëbashku. Mungesa e besimit tuaj se në rast se ju ankohemi për një sjellje të padenjë, apo një praktikë që cenon lirinë dhe të drejtën tuaj të konkurrencës, do të mund të merrni mbështetjen që meritoni, është ende një besim shumë i lëkundur. Nëse e ndërtojmë këtë besim dhe ne jemi këtu për të bërë çmos që t’i përgjigjemi në kohë reale çdo sipërmarrësi dhe jam shumë i lumtur t’ju them që kemi pasur disa raste, por, për fat të keq, shumë më pak sesa ato që janë në realitet, trokitësish në derën tuaj për qëllime të padenja dhe në të gjitha rastet, ata janë larguar nga shërbimi. Kështu do të veprohet në çdo rast që ju do të ankoheni. Kur një sipërmarrës dhe ky është parimi që ne kemi vendosur në të gjitha agjencitë që i shërbejnë sipërmarrjes, pra, kur një sipërmarrës ankohet për një inspektor, sipërmarrësi ka gjithmonë të drejtë. Dhe mbi këtë bazë, inspektori nuk meriton as të dëgjohet, por duhet të largohet.

Unë dua ta falënderoj ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për organizimin jashtëzakonisht të bukur të këtyre çmimeve për sipërmarrjen, të cilat flasin jo vetëm për kulturën tonë të re politike ndaj biznesit, por i tregojnë publikut shqiptar, në harkun gjithsesi të ngushtë të këtyre pak orëve, histori të bukura suksesi në biznes. Po ashtu i tregojnë edhe fytyrat e njerëzve që fshihen pas këtyre historive. Duke shpresuar që ta mbyllim edhe një tjetër kapitull të shëmtuar dhe të turpshëm për shtetin, për shoqërinë, të sipërmarrësve që fshihen, që i ikin dritave të skenës, që i ikin vëmendjes së publikut dhe të mediave se i tremben gjobës që i vjen nga mbrapa, që unë do të thosha që është gjoba e fytyrës që krijon zili.

Por, mbi të gjitha, unë dua t’ju falënderoj ju, sipërmarrësve që jeni këtu në sallë dhe më vjen shumë keq për faktin që sado që hiqemi si të emancipuar, nuk jemi aq të emancipuar, se vazhdojmë ta themi në gjininë mashkullore, duke harruar se ka edhe sipërmarrëse shumë të nderuara, disa nga të cilat morën edhe çmimin merituar, por edhe gjithë atyre burrave e grave sipërmarrësve jashtë kësaj salle, për gjithçka që bëni në të mirë të atdheut dhe të shoqërisë sonë. Sepse ajo çka është harruar për vite të tëra, kur është folur për sipërmarrësit, ka qenë që sigurisht punojnë për të fituar, por duke punuar për të fituar, bëjnë diçka madhështore për atdheun dhe për shoqërinë tonë në të njëjtën kohë. Ne përulemi përpara jush me mirënjohje për çdo qindarkë kontribut në buxhetin e shtetit, për çdo vend pune që ushqen familje dhe shkollon fëmijë shqiptar, për çdo investim që rrit të ardhurat tuaja, por edhe të shtetit dhe që shton numrin e vendeve të punës.

Në fund dua t’ju kërkoj ndjesë shumë sinqerisht, për gjithçka mund të mos ketë funksionuar si duhet gjatë këtij viti, në praktikat apo në kontaktet e cilitdo prej jush me shtetin.

 

Edhe një herë dua ta mbyll duke u lutur që të na ndihmoni që të shpëtojmë të gjithë bashkë, një orë e më parë, qoftë nga zvarritësit profesionistë të procedurave që janë në çdo institucion, qoftë nga inspektorët që nuk mishërojnë me sjelljen e tyre ndaj jush, ambicien tonë për Shqipërinë që duam, Shqipërinë europiane që mbi të gjitha duhet dhe do të jetë Shqipëria e sipërmarrjes së lirë dhe e njerëzve që nuk i tremben ideve të mëdha, por që kur jepen pas ideve të tyre të marra, nuk janë vetëm, por kanë pranë një shtet që i mbështet, i inkurajon dhe sigurisht nuk ju bëhet kurrë pengesë.

Gëzuar Vitin e Ri!

 

***

“Bleta e Artë” është çmimi i ideuar për të promovuar suksesin e sipërmarrjes gjatë një viti. Sot, në një mbrëmje gala, organizuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama dhe me mbështetjen e disa shoqatave të biznesit, u ndanë “Bletët e Arta” për sipërmarrjet me performancën më të mirë në vitin 2014 në sektorë të ndryshëm.

 

Ministri i Ekonomisë Ahmetaj si organizator i këtij eventi u shpreh se ky çmim nisi si një risi për të theksuar një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Qeverisë dhe sipërmarrjen. “Jemi tërësisht të ndërgjegjshëm se vetëm duke bashkëpunuar në mënyrë proaktive, ne mund të bëjmë realitet diferencën për qytetarin shqiptar, diferencën për ekonominë shqiptare. Ky besim është forcuar veçanërisht vitin që po mbyllet.”

Gjatë kësaj mbrëmjeje u dorëzuan çmimet për sipërmarrësin e vitit në industrinë fason, në fushën e inovacionit, të turizmit, të gruas sipërmarrëse, punëdhënësi më i mirë etj..

Kryeministri Rama dorëzoi “Bletën e Artë” për administratoren më të mirë publike, apo siç e quajti Kryeministri “shërbëtorja më e mirë publike”, çmim që shkoi për Drejtoren e Përgjithshme të Tatime, Brisida Shehaj. Një çmim, të cilin Kryeministri e konsideroi “një gjetje e bukur për të inkurajuar shembujt e mirë të administrimit dhe të shembujve të mirësjelljes në raport me sipërmarrjen.”

Ky event, që e nisi rrugëtimin një vit më parë si “Sipërmarrësi më i mirë i vitit”, synon të kthehet në një traditë të vlerësimit të arritjeve të biznesit vendas.

SHKARKO APP