Raporti i OSAC/ PD: Nxjerr në pah kriminalitetin dhe korrupsionin, qeveria të dorëhiqet
Nënkryetari i PD-së, Nikola Kedhi, reagoi pas raportit të OSAC, duke e cilësuar atë një pasqyrë shqetësuese të sigurisë dhe qeverisjes në Shqipëri. Për të raporti evidenton rritje të kriminalitetit, përfshirje të grupeve shqiptare në krimin e organizuar, probleme me kapacitetet e Policisë së Shtetit dhe shqetësime për korrupsionin, zgjedhjet dhe shërbimet publike. Kedhi akuzoi qeverinë se nuk investon mjaftueshëm në siguri, shëndetësi e arsim, ndërsa favorizon shpenzime të tjera.
Deklarata e plotë
Dje u publikua Raporti i Sigurisë për Shqipërinë nga OSAC, strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili tregon se çfarë duhet të dijë një qytetar amerikan përpara se te vije ne vendin tone. Një raport më shumë që tregon realitetin e dhimbshëm me të cilin ne përballemi përditë. Sipas raportit, kriminaliteti në Shqipëri është rritur me 17 për qind brenda një viti. Rritja lidhet kryesisht me krimet e drogës, mashtrimet dhe armët.
Raporti i OSAC flet për rrjete të krimit të organizuar të përfshira në trafik droge, pastrim parash, trafikim njerëzor, zhvatje, prostitucion dhe korrupsion. Evidenton gjithashtu se armë dhe eksplozivë që qarkullojnë në Europë kanë origjinë ose kalojnë përmes Shqipërisë. Të njëjtën kambanë alarmi ngrinte dhe raporti i ri i Europol pak ditë më parë, i cili dokumentonte se rrjetet kriminale shqiptare janë shndërruar në aktorë transnacionalë, që kontrollojnë zinxhirë të tërë të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, bashkëpunojnë me kartelet latino-amerikane dhe me organizata të tjera kriminale ndërkombëtare, ndërsa përdorin komunikime të enkriptuara, pastrim parash dhe biznese të ligjshme për të fshehur aktivitetin e tyre.
Pas trembëdhjetë vitesh, Shqipëria ka më shumë krim, më shumë para të pista në ekonomi dhe një shtet që nuk u përgjigjet dot qytetarëve me shpejtësinë dhe kapacitetin e nevojshëm. Vetë raporti evidenton se reagimi i policisë vonohet për shkak të mungesës së personelit dhe burimeve, ndërsa aftësia e saj për të mbrojtur dhe ndihmuar qytetarët është e kufizuar në zona të caktuara. Qeveria i gjen 4.2 milionë euro për t’ja dhënë Kanye West, por nuk ka para për sigurinë e qytetarëve, ashtu si nuk ka për zjarrfikëset apo spitalet dhe as për arsimin.
Qytetari shqiptar paguan taksat, por kur ka nevojë për shtetin, e gjen atë të vonuar, të munguar apo të kompromentuar. Pasojat e kriminalizimit të Shqipërisë nuk i vuajnë vetëm viktimat e drejtpërdrejta të krimit. I vuan biznesi i ndershëm, që duhet të konkurrojë me paratë e drogës dhe klientelizmin. I vuan profesionisti, që zbulon se puna dhe aftësia nuk vlejnë sa lidhjet. I vuan familja e zakonshme, që paguan gjithnjë e më shumë dhe ndihet gjithnjë e më shumë e pashpresë.
I vuan i riu, të cilit çdo ditë i jepet mesazhi se në këtë vend ecën më shpejt ai që njeh dikë, jo ai që punon më shumë. Raporti është po aq i rëndë për korrupsionin. Investitorët e huaj evidentojnë se korrupsionin eshte i kudondodhur, në qeveri, në drejtësi, në prokurimet publike dhe në media. Ata ngrenë shqetësime për mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave. Gjithashtu, theksohet se aksidentet janë te shpeshta, shërbimet e urgjencës te kufizuara, nuk ka transport per ne spital, kujdesi mjekësor eshte i papërshtatshëm, transporti publik nuk rekomandohet, uji i çezmës nuk përmbush standardet dhe siguria ne rruge gati nuk ekziston.
Sa i përket zgjedhjeve, raporti vë në dukje se në to janë përfshirë elementë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe se misionet e ODIHR, OSBE, Asambleja Parlamentare e OSBE, Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian kërkuan reformë të plotë zgjedhore, duke identifikuar keqpërdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet si shqetësim kryesor. Mbi të gjitha, raporti arrin në një përfundim të qartë: pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz.
Pandëshkueshmëria vendos se kush fiton tenderin. Kush merr lejen. Kush ndërton aty ku të tjerëve u ndalohet. Kush pasurohet përmes shtetit dhe kush detyrohet të largohet sepse nuk pranon të bëhet pjesë e sistemit. Raporti ndalet edhe te protestat masive të këtyre gati dy muajve, duke konstatuar se edhe pse nisën si reagim mjedisor, sot janë shndërruar në protesta kundër korrupsionit qeveritar. Pas trembëdhjetë vitesh abuzim, vjedhje dhe shpopullim, ka vetëm një akt që kjo qeveri dhe ky Kryeministër duhet të bëjnë: dorëheqja!
KOHA JONË SONDAZH

