Raportoi gabim për një qytetar gjatë protestës në Zvërnec, Hita pezullon drejtorin e Policisë së Vlorës
Është pezulluar nga detyra ditën e sotme drejtori i Policisë së Vlorës, pasi raportoi gabim për një qytetar gjatë protestës në Zvërnec, i cili shikohet se si tërhiqet me forcë nga forcat e policisë private e tërhiqet zvarrë si skllav në Mesjetë.
Sipas njoftimit zyrtar pezullimi është në lidhje me protestën e sotme në zonën e Zvërnecit, ku u bë një raportim i gabuar nga Policia e Vlorës, e cila tha se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KOHA JONË SONDAZH

