“Referendumi popullor” – një bast i rrezikshëm për Bashën
Nga Eduard Zaloshnja
Në çdo meting elektoral dhe emision televiziv, udhëheqësi i koalicionit opozitar, Lulzim Basha, u bën thirrje votuesve të djathtë e të majtë që ta kthejnë 21 qershorin në një ditë referendumi popullor kundër qeverisjes së dyshes Rama-Meta. Për t’i dhënë kështu fund, sipas tij, taksave të larta e çmimt të papërballueshëm të energjisë, si dhe për të bërë të mundur një TVSH të ulur për mallrat e shportës së domosdoshme të konsumatorëve.
Që 21 qershori të kthehet në një referendum të tillë popullor, koalicioni i udhëhequr nga Basha duhet të marrë të paktën 51% të votës popullore atë ditë. Por ç’thonë sondazhet e publikuara deri më sot?
Kompania italiane IPR-Marketing ka zhvilluar sondazhe në Shqipëri për televizionin Ora News në vitet 2009 e 2013, para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Në 2009-ën, rezultatet e zgjedhjeve u përputhën saktësisht me rezultatet e sondazheve, dhe në 2013-ën, pothuajse u përputhën saktësisht në nivel koalicioni.
Dhe të mërkurën, IPR-Marketing prezantoi në televizionin Ora News rezultatet më të fundit të sondazheve për tri bashki të zgjeruara kryesore – për Tiranën, Durrësin, Elbasanin – në të cilat u regjistruan parvjet 31% e të gjithë votave të vlefshme.
Sipas IPR-Marketing, në qoftë se zhvillohen sot zgjedhjet në bashkinë e zgjeruar të Tiranës, koalicioni mazhoritar merr 63% të votave për partitë, ndërsa koalicioni opozitar vetëm 34% (3% shkojnë për partitë jashtë koalicioneve).
Në bashkinë e zgjeruar të Durrësit, koalicioni mazhoritar merr 58.5% të votave për partitë, ndërsa ai opozitar vetëm 40.5% (1% shkojnë për partitë jashtë koalicioneve).
Në bashkinë e zgjeruar Elbasan, koalicioni mazhoritar merr 64.5% të votave dhe koalicioni opozitar merr 32% të votave(3.5% shkojnë për partitë jashtë koalicioneve).
Duke i kombinuar përqindjet e mësipërme me pjesmarrjen e mundshme (bazuar në pjesmarrjen në zgjedhjet lokale të 2011-ës), për të tria bashkitë e zgjeruara marrë së bashku, rezulton se, në qoftë se zgjedhjet zhvillohen sot, 62% e pjesëmarrësve në votim të këtyre bashkive do të votonin koalicionin mazhoritar dhe vetëm 35% atë opozitar (3% shkojnë për partitë jashtë koalicioneve).
Ky rezultat i sondazhit të IPR-marketing na sugjeron se gjasat janë të mëdha që, në “Referendumin e 21 qershorit”, koalicioni i Bashës të mos kapë dot as kuotën 40%, e jo më 51%. Madje, koalicioni i udhëhequr prej tij mund të mos marrë dot as 680 mijë vota në rang republike – aq sa ç’mori parvjet koalicioni i udhëhequr prej Berishës…